Elton Qyno
RENEA arreston në mëngjes tre pengmarrësit dhe liron pengun. Ngjarja, në fshatin Shtiqën të Kukësit
Pengmarrja e një shtetasi kosovar në Kukës gjithçka ka nisur për pazarin e dy pasaportave biometrike, pasi pengu ishte njohur në burg me kosovarin e arrestuar. Sipas policisë, Lumir Gashi ka ardhur në Shqipëri dy ditë më parë, bashkë me Flamur Currin dhe kushëririn e këtij të fundit. Ata kanë kontaktuar me dy kuksianët, me qëllim që në emër të tyre të nxirrnin dy pasaporta biometrike. Pasi kanë rënë dakord për pagesën, kuksianët dhe Gashi kanë mbajtur peng Currin dhe kanë kërkuar që kushëriri i tij t’u sillte paratë. Në këto kushte, kushëriri i tij është nisur për Kosovë, por ka kontaktuar me policinë, duke u treguar se kishin marrë peng Flamur Currin. Menjëherë, policia është vënë në lëvizje, kështu që mëngjesin e djeshëm, kushëriri i pengut ka kontaktuar me autorët, me qëllim që të bënte jepte paratë. Kur autorët kanë shkuar në vendin e takimit të përcaktuar prej tij, ka ndërhyrë policia dhe ka bërë të mundur lirimin e pengut dhe arrestimin e pengmarrësve.
Për 6 mijë euro
Tre persona kanë mbajtur peng për më shumë se 11 orë një shtetas kosovar duke kërkuar 6 mijë euro në këmbim të lirisë. Vetëm pas ndërhyrjes së forcave RENEA në mëngjesin e djeshëm u bë lirimi i shtetasit Flamur Curri nga Vushtria. Historia e pengmarrjes së kosovarit nisi mbrëmjen e mërkurë në një lokal në fshatin Shtiqën të Kukësit, dhe RENEA arriti të verë në pranga 3 të rinjtë gjobëvënësit, Ardian Mujën, Shkëlzen Durakun 29 vjeç dhe Lumir Gashin 28 vjeç. Autorët ishin të armatosur, me dy automatik dhe një me pistoletë. Sipas policisë ata ishin me një makinë tip Golf gri kur rrëmbyen 30-vjeçarin nga Kosova. Rrëmbimi e mbajtja peng e tij është bërë në këmbim të një shume prej 6000 eurosh, të cilat do të dorëzoheshin ditën e enjte në një lokal në afërsi të PKK Morinë në orën 09:00 nga djali i xhaxhait të pengut. Ndërhyrja e forcave të policisë është bërë në momentin kur në lokal do të bëhej dhënia e shumës dhe lëshimi i pengut. Sipas policisë Curri është në gjendje të mirë shëndetësore. Ky është rasti i tretë i pengmarrjeve dhe gjobëvënieve, gjatë ditëve të fundit. Këta 3 shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin më datë 25 shtator 2013 rreth orës 22:00 me një mjet tip “Golf”.
Përzgjedhja e RENEA-s
Dështimi i pak ditëve më parë të një operacioni policor për arrestimin e disa personave që kishin vënë 100 mijë dollarë një biznesmeni ka shtyrë, Prokurorinë e Krimeve të Rënda që këtë operacion t’ia besojë repartit special RENEA. Kështu sapo janë siguruar provat, dhe është marrë konfirmimi nga ana e kallëzuesit se kishte lënë takim, me pengmarrësit, është vendosur të ndërhyhet nëpërmjet forcës speciale RENEA. Një grup i këtij reparti ka udhëtuar gjatë natës nga Tiranë në drejtim të Kukësit, ku në orët e para të mëngjesit të djeshëm është pozicionuar në afërsi të doganës Morinës, ku pranë një lokali do të kryheshin dhe shkëmbimet e pengjeve. Mësohet se shtetasi Kosovar i detyrohej shumën prej 6 mijë euro, tre pengmarrësve dhe për këta ata e kishin marrë me makinën e tyre duke e izoluar në fshat. Për të marrë lekët, kosovari ka telefonuar kushëririn në Kosovë, ku e ka vënë në dijeni se tre persona nga Shqipëria e kishin marrë peng, dhe se duhet të takohej patjetër me ta për ti dorëzuar një shumë financiare prej 6 mijë euro. Mirëpo këtij vendimi nuk i është bindur plotësisht, i afërmi i pengut i cili pasi ka kaluar doganën ka shkuar në Drejtorinë e Policisë së Kukësit, ku ka kryer denoncimin lidhur me rastin e pengmarrjes së të vëllait. Menjëherë në lëvizje janë vënë dhe strukturat e Krimeve të Rënda, të cilat kanë organizuar operacionin për lirimin e pengut dhe arrestimin e autorëve. Për këtë është menduar që ndërhyrja të kryhet me forcat e specializuara RENEA, të cilat në orët e para të mëngjesit kanë liruar shtetasin kosovar dhe kanë arrestuar tre autorët e këtij krimi.
Familja e denoncoi rastin në polici
Lezhë, i mituri, tri ditë i zhdukur policia e gjen në mbrëmje në Tiranë
Një 13-vjeçar nga Lezha i cili prej 3 ditësh rezultonte i humbur, pasi ishte larguar nga shtëpia, është gjetur mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Klisman Ndou, 13 vjeç, nga fshati Tale 2 e Lezhës ka lënë mësimin ditën e martë dhe është kthyer fillimisht në shtëpi ku ka lënë çantën dhe më pas ka udhëtuar drejt Lezhës i shoqëruar edhe me dy djem të tjerë nga fshati Tale. Në hyrje të qytetit është vërejtur nga i ati, i cili e ka rikthyer në banesë, por rreth orës 10:00 ai është larguar sërish për të mos u kthyer më. Familja Ndou ka denoncuar rastin në polici, megjithatë 13-vjeçari është mundur të gjendet në Tiranë pas tre ditësh. Fillimisht familjarët kanë kërkuar tek të gjithë të afërmit, e më pas iu janë drejtuar pikave kufitare me shpresën se fëmija i tyre 13-vjeçar mund të kishte marrë një drejtim të tillë. Fotoja dhe të dhënat e 13-vjeçarit Klisman Ndou u shpërndanë në të gjithë komisariatet e policive dhe pikat doganore, për të lajmëruar në rast se dikush e shihte. Pasi është gjetur kryeqytet në gjetur në kryeqytet në gjendje të mirë shëndetësore. Klisman Ndoi është marrë në pyetje nga policia e Tiranës lidhur me shkaqet e largimit të tij nga shtëpia, ndërsa do të dërgohet drejt Lezhës dhe për t’u bashkuar me familjarët e tij.