Ervin Kaduku
Një projekt infrastrukturor i përmasave shumë të mëdha është në studim e sipër në kancelaritë e Beogradit dhe Shkupit. Kanali ujor do të rivalizonte në trafikun e mallrave pjesën e banuar me shqiptarë, duke i dhënë shtysë zhvillimit të Maqedonisë Lindore dhe Serbisë që nuk ka dalje në det
Kanë përfunduar tashmë studimet paraprake lidhur me fizibilitetin e një vepre gjigande infrastrukturore në Ballkan. Rezultatet nga studimi i kanalit që do të lidhte lumenjtë Danub, Moravë e Vardar kanë treguar se ka leverdi ekonomike, ka njoftuar nga Agjencia e Planifikimit Territorial e Serbisë.
Por, më tepër se një leverdi ekonomike, këtu bëhet fjalë për politikë gjeostrategjike nga ana e Serbisë dhe Maqedonisë, të trembura nga rritja e potencialit të shqiptarëve në Shqipëri, Kosova e Maqedoni, sidomos pas ndërtimit të rrugës së kombit.
Sipas këtij studimi, thekson gazeta e Shkupit në gjuhën shqipe Bota Sot, ndërtimi i kanalit do të kushtonte shumë më pak se sa ishte planifikuar në fillim. Vlerësimet e para kanë qenë se ai do të kushtonte prej 10 deri 15 miliardë euro vetëm në pjesën e Serbisë, kurse ndërtimi do të jepej me koncesion.
Synimet
Nëpërmjet këtij kanali, Serbia synon të ketë dalje në det, duke bartur të gjitha mallrat dhe furnizime të tjera në këtë linjë. Me anë të këtij Kanali synohet që Serbia dhe Maqedonia t’i bëjnë ballë ekonomisë në rritje të vendeve të rajonit, e në veçanti potencialit ekonomik të shqiptarëve.
Vetë deklarata e kryeministrit serb e dhënë kohë më parë se kur nuk do të lejonte që ekonomia e shqiptarëve të ishte model për serbët, duke aluduar që serbët kurrë s’do të mund të imagjinonin të ishin më të varfër se shqiptarët, ka ringjallur idenë e kanalit Danub – Moravë – Vardar.
Në politikën strategjike ekonomike-politike, ky kanal është një shans dhe mundësi për ekonominë serbe dhe maqedonase (Maqedonia e lindjes) pasi janë këta dy shtetet e vetme që nuk kanë dalje në det.
Përveç interesave të tjera, Serbia thuajse të gjitha luftërat i kishte bërë në Ballkan, edhe me qëllimin për të siguruar dalje në det. Duke pasur parasysh se shteti që s’ka dalje në det e ka të vështirë zhvillimin ekonomik, ajo vazhdon t’i bëjë të gjitha kalkulimet që të fillojë ndërtimin e këtij kanali, për të siguruar në 100 vjetët e ardhshme rritje të ekonomisë së Serbisë.
Në këtë, plan po aq e interesuar është edhe Maqedonia.
Me anë të këtij Kanali do të zhvillonte dukshëm rajonin e Maqedonisë së lindjes, e cila kryesisht është e banuar me maqedonas dhe do të siguronte në periudhë afatgjatë mirëqenien e kësaj pjese.
Ndërtimi i kanalit nënkupton zhvillim të transportit, turizmit, tregtisë etj., duke e shndërruar Lindjen e Ballkanit në një atraktivitet dhe zonë të zhvilluar ekonomike.
Ndërsa maqedonasit ndërtojnë megaprojekte edhe me paratë e shqiptarëve, siç është projekti “Shkupi 2014”, zonat e lira ekonomike funksionale në Maqedoninë lindore, e në të ardhmen edhe kanalin që do ta lidhte Serbinë, Maqedoninë e Lindjes dhe Greqinë, shqiptarët e Maqedonisë janë në gjendje kome, shkruan Bota Sot. Shqiptarët edhe kësaj radhe, sidomos ata të Maqedonisë vazhdojnë të mbeten në gjumë dhe deri më tani nuk është dëgjuar aspak opinioni i tyre rreth këtij projekti. Ata ende s’e kanë idenë se ku do të na shpie ndërtimi i këtij kanali. Çfarë do të thotë kjo për ekonominë shqiptare.
“Qeveritarët tanë nuk kanë forcë të paktën të insistojnë që të ndërtohet Rruga e Arbrit që do ta shkurtonte për 190 km distancën mes Tiranës dhe Shkupit dhe do ta zhvillonte dukshëm rajonin veriperëndimor të Maqedonisë të banuar kryesisht me shqiptarë”, – shton gazeta.
Dhe, përderisa ne s’kemi mundësi të ndërtojmë rrugë elementare, të tjerët janë në gjendje të krijojnë edhe kanale ujore që janë dhjetëra herë më të shtrenjtë, vetëm e vetëm për të siguruar ekonomitë e tyre, përfundon artikulli i së përditshmes së shqiptarëve të Maqedonisë.