Gëzim Saliu
Kryeministri: Rilindja, një sfidë që do ta bëjë të mundur bashkë me ju
“Vendet që nuk kanë njohur Kosovën, ta bëjnë. Vizioni ynë që Ballkani të punojë së bashku”
Në fjalimin e mbajtur për herë të parë në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara si Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se do të bëjë realitet premtimet e “Rilindjes” edhe falë mbështetjes dhe bashkëpunimit me qeveritë e rajonit e më gjerë. “Ndërsa ngjitesha në këtë foltore ndjeva se çdo të thotë të jesh lideri i një vendit dhe historikun e këtij vendi. Ndjeva sfidat që ka arritur dhe që nuk ka arritur. Ndërsa garoja për postin tim zgjodha temën e Rilindjes, por të gjithë e dinë që këto fjalë janë pjesa më e lehtë, pasi këto fjalë duhet ti kthejmë në punë. Duhet të mbështetemi në organizata të ndryshme, qeveri të ndryshme, institucione të tjera, nga ku mund të mësojmë për të ecur para. Kemi nevojë për njerëz që të jenë bashkudhëtarë me ne në këtë ndryshim. Të sjellësh rilindjen është një sfidë me të cilën ne po përballemi. Do të duhet kohë dhe këmbëngulje po do të ketë nevojë edhe për lidershipin të cilin unë do të përpiqem që ta jap. Megjithatë unë jam i bindur që do të bëhet”, – tha Rama.
Integrimi
Duke theksuar se Shqipëria nuk është imazhi i keq që pasqyrohet në Hollivud, por ajo e njerëzve të mirë dhe punëtorë, Kryeministri i vendit theksoi dje se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet i tij dhe qeverisë që drejton. “Shqipëria është një vend i vogël me potencial të madh, me bukuri të jashtëzakonshme dhe sfida ime është që ky potencial të rrihet të arrihet dhe të bëhet i prekshëm. Por për këtë gjë, do të duhet mirëkuptim nga miqtë dhe partnerët. Filmat si “Taken 1”, “Taken 2, “Bishti i qenit” apo dhe filma të tjerë, etj janë me subjekte që nuk flasin mirë për Shqipërinë. Për ne BE përfaqëson projektin më të rëndësishëm politik që bota ka njohur deri më sot dhe ky është projekt që duam t’i bashkëngjitmi. Nëse BE ka kthyer vëmendjen e tij drejt vendit tonë, të gjithë së bashku, shqiptarë, serb maqedonasit dhe boshnjakët dhe gjithë popujt e rajonit duhet t’i mbajmë sytë mbi BE”, – tha Rama. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë theksoi se çdonjëri nga vendet në rajon do të luajë politikat e duhura dhe do të sigurojë vlera të mëdha. “Falë këtyre ne mund të tregojmë se sa kemi ndryshuar dhe do të ndryshojmë për të hyrë në botën evropiane. Pa dyshim kjo do të kërkojë kohë, mbështetje nga BE, lidership ashtu siç e tregon dhe e kaluara, dhe kjo mund të bëhet. Është qëllimi ynë për të forcuar bashkëpunimin me çdo vend në rajon, përfshirë këtu edhe Serbinë. Le ta marrë vesh i gjithë rajoni që luftërat dhe gjakderdhjet e kanë ndryshuar vendin dhe botën për më mirë”, – u shpreh ai. Ndërkohë si sfidë kryesore të qeverisë së tij, Rama ka cilësuar korrupsionin, për të cilin tha: “Problemet tona nuk janë të bazuara vetëm në Hollivud. Disa janë të vërteta dhe shumë të dëmshme, një prej të cilave është dhe korrupsioni. Ai ndalon progresin, i pengon njerëzit të kenë besim se mund të ketë ndryshim. Korrupsioni mund dhe duhet të mposhtet n.q.s ne duam të ndërtojmë një ekonomi të ligjit. Kjo është e vetmja mënyrë për të tërhequr turizmin. Nuk do të jetë e lehtë, por ne mund ta bëjmë”.
Kosova
Gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e OKB-së, Kryeministri Rama ka ftuar vendet që nuk e kanë njohur Kosovën që të ndërmarrin një hap të tillë, duke theksuar se vizioni i qeverisë që drejton është një Ballkan që punon së bashku. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë starton një epoke te re. Ka ende disa që mendojnë se i përkasin të kaluarës, por ajo që mbizotëron është se Thaçi e Daçiç ditën t’i bënin ballë përgjegjshmërisë së lidershipit të tyre për të sjellë vendet drejt së ardhmes që meritojnë. Ne këtë kuadër Shqipëria është e angazhuar për paqe dhe prosperitet në rajon, ja pse është angazhuar për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës, ja pse u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën të veprojnë kështu, do të ndihmojnë jo vetëm Kosovën, por do t’u bashkëngjiten atyre që ndikojnë në forcimin e stabilitetit. Për skeptiket unë them, populli i Kosovës, si gjithë të tjerët gëzojnë të qenët Republikë e pavarur, e meritojnë njohjen e sovranitetit, sepse kanë dëshmuar angazhimin ndaj të drejtave të njeriut, dialogut dhe paqes”, – theksoi në fjalimin e tij, Kryeministri i vendit Edi Rama.
Forumi i Liderëve Botërorë
Rama: Si mund të ndërtojmë Evropën e bashkuar së bashku
Perspektiva evropiane e vendeve të Evropës Juglindore ka qenë në fokus të fjalës së mbajtur nga Kryeministri Edi Rama gjatë punimeve të djeshme të Forumit të Liderëve Botërorë në Universitetin e Kolumbias në SHBA. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi në fjalën e tij se vendet kandidate dhe ata potencialisht kandidate në BE nuk duhet të presin se çfarë legjislacioni propozon Brukseli për ta përshtatur më pas, por të bëhen palë aktive në hartimin e këtij legjislacioni. “Evropa përfaqëson vetëdijen se veprimet tona të përditshme si vendimmarrës prekin jetën dhe mundësitë e njerëzve sot, por edhe të gjeneratës së të nesërmes, të gjeneratës tjetër të Evropës. Çelësi i axhendës së Evropës Juglindore për zgjerimin duhet të jetë ky shqetësim, që e ardhmja e përbashkët e gjeneratës tjetër të Evropës po ndërtohet në vendet anëtare, po aq sa dhe në vendet kandidate, e po aq sa në vendet potencialisht kandidate, pra në Evropën Juglindore. Dhe, pyetja që shtrohet nuk është sesi ta bëjmë Evropën Juglindore gati për Bashkimin Evropian, por se si mund të ndërtojmë Evropën e Bashkuar të gjithë së bashku; se si mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët evropiane të gjithë së bashku. Me marrëveshjen e kohëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës, rajoni ynë mbylli njëherë e mirë një kapitull konflikti duke hapur një kapitull të ri për shqiptarët, shqiptarët e Kosovës, malazezët, serbët, maqedonasit, boshnjakët. Ky duhet të jetë fillimi i veprimit dhe sjelljes si vende kandidate. Dhe të veprosh si vend kandidat do të thotë të mos presësh se çfarë lloj legjislacioni do të të propozojë Brukseli për ta adoptuar atë më pas, paçka nëse e zbaton apo jo. Sjellja si vend kandidat do të thotë të jesh palë aktive si në hartimin e këtij legjislacioni ashtu dhe në transformimin e tij në realitet në vendet tona. Sjellja si vend kandidat do të thotë të jesh i orientuar drejt rezultateve në procesin e përmbushjes së kritereve të anëtarësimit”, – deklaroi Rama. Po ashtu kreu i qeverisë i është përgjigjur pyetjeve të studentëve të këtij Universiteti, ku më herët në këtë forum kanë zhvilluar ngjarje të tilla edhe Herman Van Rompui, President i Këshillit të Evropës, Kryeministri italian Enrico Letta, Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor si dhe lider të tjerë nga e gjithë bota.