Sonja Caka
Abuzivizmi, gjykata e kujdesshme në dhënien e urdhërave të mbrojtjes
I biri mohon, e akuzon se do të fusë motrën dhe dhëndërrin brenda
Gjykata rrëzon kërkesën, e pabazuar në ligj e në prova
Në Gjykata ka nisur prej kohësh edhe abuzivizmi i mjaft qyetarëve në kërkimin e urdhërave të mbrojtjes. Në mjaft raste, gjykata ka konstatuar se kërkueset i drejtohen policisë apo dhe direkt gjykatës për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes, me synimin që të nxjerrin fëmijët nga shtëpia. Një zënkë apo dhe një debat i çfarëdoshëm shfrytëzohet nga kërkueset për të arritur qëllimet, për t’i drejtuar gjyqësorit dhe për t’u ankuar se dhunohen nga fëmijët. Por, të qënit në gjykatë e të dy palëve, hetimi gjyqësor i kërkesave të paditësve, ka bërë që shpesh gjykata të jetë e kujdesshme në lëshimin e urdhërave të mbrojtjes, duke arritur të kuptojnë edhe qëllimin e vërtetë të kërkimit të tyre, pra abuzivizmin ndaj kërkesave për urdhëra mbrojtje, ndaj dhe shpesh kanë vendosur t’i rrëzojnë ato. Në fakt, shpesh të paditurit e kanë paralajmëruar jashtë dyerve të sallave të gjyqit këtë gjë, duke u ankuar se ky ligj shpesh po ndikon negativisht, pasi ose po ju prish familjet për një debat i cili shpesh shitet si ushtrim dhune, ose debatet brenda familjeve po shfrytëzohet nga prindërit me të cilët kanë përplasje, për t’i nxjerrë nga shtëpia. Një rast i ngjashëm është edhe ai i një ushtaraku nga Tirana, i cili vjen me një karrierë edhe nga misionet në Afganistan, i cili akuzon nënë e tij se e ka sjellë para gjykatës për ta nxjerrë nga shtëpia, vetëm që aty të fusë motrën e tij dhe burrin e saj. Gjykata, pasi ka dëgjuar paditësen Hamide.M dhe të paditurin Altin.A, ka vendosur ta rrëzojë kërkesën për lëshim të menjëhershëm të urdhërit të mbrojtjes.
Padia
Në kërkesën e saj para gjykatës, paditësja Hamide.M i kërkonte gjykatës të lëshonte urdhër mbrojtje për të ndaj të birit, të cilin duhej të vendoste ta nxirrte nga shtëpia dhe të mos i afrohej më, pasi e dhunonte. Hamide.M parashtroi para Gjykatës se “i padituri është djali im. Unë kam konflikt me të, për shkak të bashkëshortes dhe vjehrrës së tij, pasi janë ato që e nxisin sherrin. Ai ushtron dhunë ndaj meje. Para pak kohësh, erdhi mamaja e nuses së djalit tim dhe nusja më goditi me grushta, sepse tha që unë ia mbylla derën të ëmës së saj dhe e zura tek dera. Këtë gjë ia thanë edhe djalit tim dhe ai më goditi me grushta dhe më tha: “Do t’i thyej brinjët.” Në shtëpi ne kemi tre dhoma e një kuzhinë. Kam punuar gjithë jetën për atë shtëpi.” Por, në seancë ishte edhe i biri, ai që akuzohej për ushtrim dhune ndaj nënës së tij. Para gjykatës ai u shpreh se “dua t’i bëj me dije Gjykatës se shtëpia është një dhomë e një kuzhinë. Unë me detyrë jam ushtarak dhe kam shkuar dy herë në Afganistan. Me lekët që kam fitua, kam marrë një kredi dhe kam bërë një shtesë në shtëpi, e cila nuk është e legalizuar. Paditësja është nëna ime, por ajo e bën këtë sherr, sepse në banesë do të fusë vajzën e saj, motrën time, e cila ka jetuar dhe punuar më parë në Greqi dhe tashmë është kthyer dhe s’ka shtëpi. Kur unë isha në Afganistan, nëna ime ishte në Greqi dhe i ka dhënë lekët dhëndërrit, burrit të motrës time, të të gjithë shtëpisë. Në atë shtëpi kam investuar unë. Nëna ime e bën këtë debat sepse nuk e do nusen time. Kur nusja ime ka qenë shtatzënë, ajo e ka goditur dhe ofenduar.” Gjykata, pasi ka dëgjuar të dy palët, ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e paditëses duke mos e pranuar padinë me argumentin si të pabazuar në ligj dhe në prova.
Precedenti
Një tjetër rast në gjykatë, ku nëna kërkon t’i nxjerrin vajzën nga shtëpia, është rrëzuar po nga e njëjta gjykatë. Gruaja e moshuar ka kërkuar nga gjykata t’i largojnë vajzën beqare nga shtëpia, pasi kur ziheshin e shante shtrigë plakë. Gjykata, pasi dëgjoi dëshminë e paditëses së moshuar dhe argumentat që lëshonte për kërkesën e saj, vendosi të mos e pranojë me argumentin si të pabazuar në prova e ligj. Por, nuk është e vetmja padi që rrëzohet nga gjykata, ku prindërit kërkojnë të nxjerrin fëmijët nga shtëpia. Pasi ka konstatuar se ka raste abuzivizmi në kërkesat e paraqitura për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes, me bindjen e brendshme dhe provat e paraqitura, gjykata ka vendosur t’i rrëzojë dhe të jetë e kujdesshme në lëshimin e tyre.
Kërkesa
Me djalin në burg, apel gjykatës: Më mbroni nga nusja, më dhunon
Një nënë, e cila prej vitesh ka djalin në burg, i kërkon gjykatës ta mbrojë, pasi nusja e tij e dhunon. Për këtë arsye, gruaja e ve dhe nëna e tre fëmijëve, me shenja të dukshme dhune në fytyrë, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për lëshimin të menjëhershëm të urdhërit të mbrojtjes. Gjatë hetimit gjyqësor të kërkesës së saj, paditësja Hike Ç. parashtroi se me të paditurën Miranda Ç. kanë lidhje familjare, pasi e paditura është nusja e djalit të saj. Paditësja deklaroi në seancë gjyqësore se “e paditura është nusja e djalit të saj prej 9 vjetësh dhe jetojmë në një shtëpi. Djali ndodhet në burg prej 3 vitesh dhe shtëpia është e imja, pasi e ka ndërtuar burri im. Që kur ka ardhur e paditura në shtëpi ka bërë gjithmonë sherr pa shkak. Unë i kam thënë të largohet, por ajo nuk ikën dhe më qëllon vazhdimisht. Para një viti, djali e nxori nga shtëpia dhe i mori shtëpi me qira, por u kthye prapë, pasi m’u lut djali dhe menduam se kishte rënë dhe nuk do bënte më sherre. Por ajo pasi kaluan vetëm dy javë, filloi nga sherret. Parmbrëmë e paditura më rrahu se gjoja i kisha carë legenin e rrobave. Ajo mori të vëllain në telefon dhe i tha se unë i kisha carë legenin, duke përdorur fjalë të pista për mua. Unë i thashë të mos më shante, por ajo mu kthye dhe filloi të më qëllonte me grushta dhe e lau shtëpinë me gjak. Sytë e nxirë dhe hundën e vrarë sot e kam prej saj. Dua që ajo të largohet nga shtëpia dhe të mos ketë asnjë lidhje me mua. Dua të më rrijë larg 200 m.” Paditësja deklaroi në sallën e gjyqit, gjithashtu, se ndjehet shumë e shqetësuar, e frikësuar dhe se jetesa sëbashku me të paditurën është bërë shumë e rëndë. Lidhur me sa shpjegoi dhe pretendoi paditësja, “Gjykata vëren se në kuptim të nenit 3/4 të Ligjit Nr.9669, dt.18.12.2006, në të cilin thuhet se: “Viktimë është personi mbi të cilin është ushtruar dhunë”, Gjykata krijon dyshimin e arsyeshëm se paditësja është një viktimë në kuptim të këtij neni, pasi sic u provua në gjykim dhe rezultoi dhe nga shenjat e dukshme (të nxirat në fytyrën e paditëses), ndaj saj është ushtruar dhunë psikike, fizike dhe morale” dhe për këtë arsye vendosi ta pranojë kërkesën për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes për një vit për gruan, nënën e tre fëmijëve.