Përkundër të gjitha kërcënimeve: Denis Mukwege angazhohet për gratë, që kanë qenë viktimë e dhunës në Republikën Demokratike të Kongos. Për punën e tij ai nderohet tani me çmimin Nobel alternativ.
E enjte, 25 tetor 2012: Persona të panjohur të armatosur rëndë hyjnë në pronën e një mjeku kongolez, në momentin që ai sapo kthehet me makinë në shtëpi. Një punonjës përpiqet ta paralajmërojë mjekun dhe e paguan këtë me jetën e tij. I zoti i shtëpisë shpëton pa u plagosur. Atentati nuk është sqaruar deri më sot. Mjeku, që u sulmua, ishte Denis Mukwege, drejtor i spitalit Panzi në qytetin universitar Bukavu në lindje të Kongos. Ai është i specializuar në kirurgji gjinekologjike dhe kuron çdo ditë gra, që kanë qenë viktima të dhunës seksuale. Në mënyrë të përsëritur ai është shprehur kundër dhunës seksuale si armë lufte.
Për angazhimin e tij Mukwege nderohet me çmimin “Right Livelihood Award”, i njohur si çmimi Nobel alternativ. Ky njoftim, që fondacioni e bëri të ditur të enjten (26.09. 2013) në Stokholm të Suedisë, ngjalli gëzim në vendlindjen e tij Kongo. Mukwege është një ndihmë e madhe për gratë e dhunuara, thotë Thérèse Mema e komisionit për Drejtësi dhe Paqe në kryedioqezën Bukavu. “Ai i ndihmon ato, i këshillon në të gjitha çështjet dhe është modest”, thotë ajo për Deutsche Welle. “Prandaj ne jemi shumë të gëzuar, që e gjithë bota i jep atij këtë çmim.”
“T’u shërbesh të tjerëve”
Puna, që bën, është për 58-vjeçarin një vokacion, një thirrje e brendshme. Burim i frymëzimit për të ka qenë i ati, i cili ka qenë prift. “Ai më ka dhënë dhuntinë për të qenë në krah të të tjerëve”, pati thënë Mukwege për Deutsche Welle, kur u nderua me çmimin Olof Palme në vitin 2009. “Për mua kjo ishte një gjë shumë e vogël, por i thashë vetes, do të ishte mirë që ta vazhdoj këtë punë.” Pasi studioi mjekësi në vendin fqinj Burundi, ai punoi në një spital në Lemera, qytet i vogël në rajonin rural të Kivu jugor. Ai u shokua duke parë se sa gra vdisnin atje çdo ditë, gjatë lindjes së fëmijëve të tyre. “Kjo më ka shtyrë që të specializohem më shumë në kurimin e grave”, thote Mukwege. Pastaj ai studioi edhe gjinekologji dhe obstetrikë në Francë.
Kur u kthye në Kongo, që atëherë njihej me emrin Zaire, Mukwege u ndodh para sfidave krejtësisht të reja. Në mesin e viteve 90-të Lemera ndodhej në mesin e territorit të luftërave të Kongos dhe në vitin 1996 u shkatërrua plotësisht. Grupet e ndryshme rebele dhe ushtarët përdornin gjithnjë e më shumë përdhunimin si armë lufte. Me mbështetje ndërkombëtare Mukwege ngriti në këmbë një projekt të ri, spitalin Panzi në Bukavu, kryeqytetin e provincës. Sidomos me pavionin e tij gjinekologjik spitali bëri shpejt emër. Këtu Mukwege dhe kolegët e tij kuruan gra dhe vajza nga e gjithë provinca, të cilat ishin pre të pambrojtura të palëve ndërluftuese në fshatra.
Angazhim për të drejtat e grave
Janë gratë ato, që e mbajnë gjallë shoqërinë kongoleze”, thotë gjinekologu. “Të mjafton vetëm të kalosh në rrugë, për të parë se janë gratë ato, që bëjnë punën më të madhe në shoqëri.” Në këtë mënyrë ata ndihmojnë brezin, që po rritet, duke financuar arsimin për fëmijët e tyre. Luftëtarët e marrin me vetëdije vendimin për të sulmuar së pari gratë.
Ka shumë kohë që Mukwege është shumë më tepër se mjek. Ai është një mbështetës i fortë i të drejtave të grave në Kongo. Ai ka lançuar programe për mbështetjen psikologjike dhe ligjore të viktimave të përdhunimit. Mukwege do që ta kapë problemin në rrënjë dhe flet kundër ekonomisë së luftës, që lulëzon prej vitesh në Kongo, përmes së cilës rebelët dhe qeveritë duan të sigurojnë të ardhura nga resurset. Asgjë nuk do të ndodhë këtu pa presion ndërkombëtar, thotë ai: “Nuk ka për të ndryshuar asgjë, nëse burgosni një rebel të vetëm. Sot fut në burg njërin dhe nesër ka për të lindur një tjetër.” Për të avokuar për paqen në Kongo Mukwege foli në shtator të vitit 2012 para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pikërisht një muaj më vonë pasoi atentati. Pas tij ai u largua për në Evropë me gruan e tij dhe dy fëmijët.
Nevoja për t’u kthyer
Por fati i popullit të tij nuk e linte të qetë kongolezin në mërgim. Para së gjithash organizatat e grave u ngritën më mbrojtje të tij dhe ofruan që të ngrenë një shërbim për të bërë roje. Tre muaj më vonë Mukwege u kthye dhe që atëherë jeton gjithë ditën në spitalin e tij Panzi, ku ai ndihet më i sigurtë se askund tjetër. Ai është nderuar disa herë për përpjekjet e tij. Së fundi ai u pranua në Paris në legjionin francez të nderit, çmimi më i lartë në këtë vend.
Lajmi i dhënies së çmimit të ri gëzon edhe bashkëpunëtoren gjermane, Gisela Schneider, drejtore e Institutit gjerman për Misionin e Mjekësisë (DIfäM). Prej më shumë se dhjetë vjetësh ky institut bashkëpunon intensivisht me Mukwege, ndihmon spitalin e tij dhe bën trajnimin mjekësor në vend. Gisela Schneider, e cila e ka vizituar Mukwege para katër javësh në Kongo, është e entusiazmuar: “Ky ka qenë një vendim i shkëlqyer, sepse këtu nderohet një person, i cili angazhohet me të vërtetë për paqe dhe drejtësi dhe ç’është më e rëndësishmja me gjithë jetën e tij.” Së bashku me tre laureatë të tjerë Mukwege merr rreth 230.000 euro. Çmimi do të jepet me 2 dhjetor në parlamentin suedez në Stokholm.
Ditë Botërore e Zemrës/ Kardiologu: Po preken dhe 25-vjeçarët
Në Ditën Botërore të Zemrës, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, premtoi se së shpejti do të nisë puna për kontroll kombëtar. Në aktivitetin e organizuar për këtë ditë, Beqja tha se Shëndetësia do të ofrojë kontrolle bazë për moshat nga 40-60 vjeç, të cilët janë më të prekurit nga sëmundje kardiovaskulare. Kardiologu Artan Goda apeloi se situata në Shqipëri po rëndohet pasi sëmundjet e zemrës tashmë po prekin edhe 25-vjeçarët.
Dita Botërore e Zemrës mbahet në nivel global çdo vit të dielën e fundit të muajit shtator për të informuar njerëzit në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shkaku më i madh i vdekjeve në të gjithë botën. Dita Botërore e Zemrës gjithashtu synon të promovojë masa parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.
Sëmundjet kardiovaskulare (SKV) shkaktojnë vdekje të parakohëshme. Në fakt, në botë SKV shkaktojnë çdo vit 17.3 milionë vdekje dhe shifrat janë në rritje. Deri në vitin 2030, pritet që çdo vit, 23 milionë njerëz në botë do të vdesin nga SKV.