Daja përdhunon mbesën minorene, pranga pas denoncimit të kunatit

0
175

Elton Qyno

Historia e abuzimit seksual nisi në Selanik. Eni Eshja abuzoi pas largimit të prindërve

 

Drejtoria e policise TiraneNjë vajzë 13-vjeçare është përdhunuar nga daja i saj, teksa ky i fundit kishte shkuar në shtëpinë e motrës së tij në Selanik. Minorenia është abuzuar seksualisht përgjatë gjithë natës dhe më pas, në orët e para të mëngjesit, vajza ka telefonuar prindërit e saj që udhëtonin në drejtim të Shqipërisë. 34-vjeçari Eni Eshja është arrestuar nga policia e Elbasanit menjëherë pasi ka mbërritur në Shqipëri, pasi në këtë polici kishte paraqitur një kallëzim penal kunati i tij, që është babai i vajzës minorene. Dy prindërit e minorenes kanë qenë në Shqipëri në momentin kur ka ndodhur krimi, pasi kishin shkuar për një punë familjare. Duke qenë se nuk mund ta linin vetëm vajzën e vogël, motra ka menduar që atë ta linte nën shoqërinë e të vëllait të saj 34-vjeçar, i cili kishte pak ditë që kishte mbërritur në Selanik, me shpresën e gjetjes së një pune. Dajë dhe mbesë kanë qëndruar bashkë përgjatë gjithë natës dhe se e mitura është dhunuar seksualisht, duke u kërcënuar me jetë se nëse tregonte, daja do të hakmerrej ndaj saj.

Denoncimi në polici

I riu nga fshati Bujqës i Elbasanit akuzohet se kur qëndronte në shtëpinë e motrës së tij në Selanik, ku ata ishin emigrantë, ka abuzuar me mbesën e tij 13-vjeçare, kur ishin vetëm në shtëpi. Kjo është pretenduar nga vetë vajza, e cila ka telefonuar prindërit që ishin nisur në Shqipëri, duke i treguar çfarë kishte ndodhur. Atëherë babai i saj është nisur drejt komisariatit të policisë për të bërë denoncimin, ndërkohë që nëna është nisur në Greqi për t’u kthyer pranë vajzës së saj. Ndërkohë, 34-vjeçari niset për në Shqipëri, por pikërisht sapo ka hyrë në territorin e qarkut të Elbasanit, në afërsi të fshatit Labinot-Fushë është arrestuar nën akuzën marrëdhënie seksuale brenda gjinisë dhe me të mitura. Sipas policisë, gjithçka ka nisur më 21 shtator, kur prindërit me banim në Tregan, aktualisht emigrantë në Selanik, janë nisur në Shqipëri për një ngjarje familjare. Të bijën e tyre 13-vjeçare e kanë lënë me vëllain e nënës së vajzës. Në mbrëmje kur kanë qenë në shtëpi, ai dyshohet se e ka detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me të dhe vajza nuk ka pasur asnjë mundësi të ikë nga shtëpia.

Ardhja në Shqipëri

Në këto kushte, vajza ka telefonuar prindërit e saj duke i treguar çfarë kishte ndodhur. Tronditja ka qenë e madhe dhe fillimisht ata nuk e kanë besuar, por kur vajza ka filluar të qajë dhe të kërkojë të largohet nga shtëpia, atëherë nëna është nisur menjëherë në Greqi për tek vajza e saj, ndërsa babai drejt policisë. Sipas dëshmisë së familjarëve, nga frika se mos denoncohej edhe në Greqi nga vajza, 34-vjeçari është nisur në Shqipëri, ndërsa nëna ka arritur tek e bija. Ndërkohë, policia e Elbasanit e kishte shpallur person në kërkim nga akuza e ngritur prej babait të vajzës. Vetëm pak orë më parë, i riu është kapur në hyrje të Elbasanit në fshatin Labinot-Fushë, duke përfunduar në prangat e policisë. Eni Eshja akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me të mitur, me persona në gjini”. Ai nuk e ka pranuar akuzën, duke e quajtur një shpikje të mbesës së tij për shkak të një grindjeje që ka ndodhur mes tyre në kohën kur ka qenë së bashku. Gjithsesi, policia ka vendosur masën e ndalimit fillimisht, duke kërkuar sjelljen e vajzës në Shqipëri për marrjen e dëshmisë dhe verifikimin e kallëzimit të bërë nga babai i të miturës. Po kështu për të hedhur dritë mbi të vërtetën e kësaj ngjarje, është kërkuar që vajza t’i nënshtrohet një ekspertize, për të mësuar nëse e mitura është dhunuar seksualisht ose jo.

 

Priten ndryshime në drejtoritë e qarqeve

12 drejtorë raportojnë krimin tek ministri Tahiri: Hetoni vrasjen e Xhindit dhe Konomit

Hetimi i dy vrasjeve të bujshme, ajo e deputetit të PS-së Fatmir Xhindi dhe gjyqtarit të Vlorës Skerdilajd Konomi, ka qenë pikë diskutimi i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me drejtorët e Policisë së Shtetit. Tahiri, gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, u ka lëshuar një ultimatum krerëve të policisë, që gjatë punës së tyre këto dy çështje të ndiqen me përparësi dhe se duhet që të sigurohen prova për zbardhjen e plotë dhe identifikimin e autorëve të këtyre krimeve. Veç kësaj, Tahiri nënvizoi se Policia e Shtetit duhet të hartojë një plan për goditjen e trafikut të lëndëve plasëse, që kohet e fundit janë regjistruar disa raste, ku krimi ka vepruar me bomba të telekomanduara. Mësohet se gjatë takimit, të gjithë drejtorët e qarqeve kanë raportuar para ministrit të Brendshëm për situatën kriminale të çdo qarku që ata mbulojnë. Ndërkohë, nga ana tjetër, mësohet se ministri Tahiri është shprehur se rezultatet e këtyre 10 ditëve të para të drejtimit të dikasterit të rendit janë të mira, por të pamjaftueshme. Ai ka shtuar se duhet më shumë punë dhe luftë ndaj krimit të organizuar, trafiqeve dhe zbulimit të organizatorëve të atentateve me lëndë eksplozive. Tahiri mësohet gjithashtu se ka vlerësuar “rezultate të dukshme edhe në qarkullimin rrugor, por të pamjaftueshme për disiplinimin e trafikut si një vend që aspiron Bashkimin Evropian”. Pas këtij takimi pritet që në ditët në vijim të ketë zëvendësime në rang drejtorësh dhe zv.drejtorësh në të gjitha qarqet e vendit. Vetëm dje, Tahiri urdhëroi pezullimin e të gjithë efektivëve të policisë së Mamurrasit, të cilët nuk ndërhynë në dhunën e ushtruar ndaj gjyqtarëve të ndeshjes së futbollit Mamurrasi – Albpetrol, si edhe ata që nuk u dhanë ndihmën e shoqërimit për në spital me pretekstin se nuk kishin mjete transportuese.

 

 

Task-forca merr në pyetje pronarët

Task-forca e Prokurorisë së Tiranës, që po heton subjektet që abuzuan me tregtimin e karburanteve, pritet që këto ditë të marrë në pyetje administratorët e kompanive ku janë konstatuar vjedhjet. Hetimet po bazohen në bazë të raportit të Drejtorisë së Përgjithshme e Metrologjisë. Ndërkohë, javën e kaluar, hetuesit e çështjes kanë sekuestruar edhe raportin e Inspektoratit Qendror Teknik, të cilët kanë konstatuar disa shkelje nga subjekte të ndryshëm, që abuzonin me cilësinë e karburanteve, duke përzier me lëndë të tjera. Në raportin e kontrolli të pikave të karburantit të Drejtorisë së Përgjithshme e Metrologjisë, që tashme i është dorëzuar prokurorisë së Tiranës, janë gjetur me shkelje 14 subjekte private. Të 14 këto pika karburanti për të cilat dyshohet se kanë vjedhur konsumatorët janë vendosur gjoba me nga 750 mijë lekë të reja. Subjektet e kapura me abuzime ndodhen në zonën e Tiranës, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Kavajës, Shkodrës, Lezhës si dhe në rrugën Pogradec – Përrenjas dhe Korçë – Bilisht.

Ngjarja në Kukës

Plagoset me plumb në qafë 25-vjeçari

Një i ri është plagosur në rrethana ende të paqarta në veri të vendit. Ngjarja është regjistruar pasditen e djeshme në Kukës, ku 25-vjeçari Fatmir Lala është plagosur me një plumb në qafë. Sipas policisë së Kukësit i plagosuri është transportuar menjëherë në spital, nga ku mjekët bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë. Për këtë arsye ai është nisur drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës për ndihmë më të specializuar. Ndërkohë policia ka shoqëruar në komisariat shokun e të plagosurit për të mësuar detajet rreth ngjarjes, ndërsa konfirmon se ka identifikuar autorin e plagosjes dhe po punon për kapjen e tij. Aktualisht për këtë ngjarje materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë së Kukësit për hetime të mëtejshme.

Në autostradë

Tri makina përfshihen në aksident rrugor

Tri automjete janë përfshirë në një aksident rrugor pasditen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. Burime nga policia bëjnë me dije se dy trajlera janë përplasur me një automjet tip “Volkswagen”, ndërkohë që njëri nga trajlerat ka dalë jashtë rrugës. Si pasojë e aksidentit janë shkaktuar radhë të gjata në trafik, ndërkohë që fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Nga ana e policisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Në vendngjarje janë kryer matjet e nevojshme dhe se janë marrë deklarimet e disa personave që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes. Lidhur me këtë aksident aktualisht materialet hetimore i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës, për akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.