Karburantet, në pritje të pikave që mashtrojnë konsumatorët. Metrologjia vazhdon heshtjen!

0
187

Ervin Kaduku

 

Nën zë punonjësit e metrologjisë pranojnë skandalin

Vetëm 6 pika vidhnin konsumatorët, 2 në Tiranë

 

KarburantetKa kaluar më shumë se një muaj kur vetë Drejtoria e Metrologjisë publikoi lajmin për vjedhjen që u bëjnë çdo ditë disa prej pikave të karburantit konsumatorëve, ende nuk janë mësuar emrat se cilët janë abuzuesit?! Çështja i ka kaluar prokurorisë për hetim dhe pritet që brenda kësaj jave dosja të çohet në gjykatë. Sipas të dhënave, janë 14 pika karburante që janë kapur me shkelje, 6 prej tyre kanë abuzuar me sasinë e karburantit duke hedhur më pak naftë ose benzinë sesa paguhej, ndërsa 8 pikat e tjera po hetohen lidhur me prishjen që u kanë bërë vulave të vendosura nga metrologjia dhe për ndërhyrje pjesërisht në pajisje. Por në një kohë kur konsumatorët po presin me padurim të mësojnë se cilat janë emrat e pikave që abuzojnë, si Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, por dhe prokuroria po hezitojnë të publikojnë listën. Pas kontakteve që patëm ditën e djeshme me Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, drejtuesit u shprehen: “Nuk kemi çfarë të themi dhe se gjithçka ia kanë thënë prokurorisë. Lidhur me pyetjen se cilët janë emrat e karburanteve që abuzojnë, Metrologjia ka vazhduar të heshtë duke thënë me këmbëngulje: “Nga ne nuk do të publikohet asnjë emër”.

Skandali

Ndërkohë që këto ditë prokuroria do të marrë në pyetje drejtuesit e pikave të karburanteve që kanë mashtruar konsumatorët, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë nuk ndien asnjë përgjegjësi për skandalin. “Ne kemi vendosur gjoba dhe ligji nuk na lejon që të publikojmë emra”, – tha dje për gazetën një punonjës i kësaj drejtorie. Nën zë këta punonjës kanë lidhur aferat korruptive që kanë zaptuar drejtorinë. “Mos mendo se do të dalë ndonjë informacion këtej (bëhet fjalë për Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë), çdokush është “i lidhur” me pikat e karburanteve”, – thekson një burim i gazetës. Subjektet e kapura me abuzime ndodhen në zonën e Tiranës, Durrësit, Fierit, Elbasanit, Kavajës, Shkodrës, Lezhës si dhe në rrugën Pogradec – Përrenjas dhe Korçë – Bilisht. Sipas të dhënave të prokurorisë, në 10 litra naftë vidhej ndërsa për sasi të mëdha vjedhja ishte akoma më e lartë.

 

Ngjyrosja e karburanteve, vendimi shkon në Gjykatën Kushtetuese

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, me anë të një ankimi, kërkon shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave me datën 13 mars 2013, që jep me koncesion dy shërbime të rëndësishme publike në sektorin strategjik të hidrokarbureve. Seanca e parë në Gjykatën Kushtetuese është vendosur për më datën 3 tetor, ora 10:00, ku kërkohet “shpallja e papajtueshmërisë me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare dhe shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave si dhe pezullimi i zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 200, datë 13. 3.2013, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”. Menjëherë pas publikimit të vendimit dhe kontratave koncesionare, pati reagime të ashpra nga grupet e interesit të cilat thanë se ky ishte një veprim aspak transparent dhe qeveria shqiptare me këto dy kontrata do të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë si dhe në rritjen e çmimit të karburanteve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency