Arben Ristani: Është si të fshihesh
dhe të gjuash pas krahëve natën
Aldo Bumçi: Do marrim të gjitha
hapat që ofron Kushtetuta
Shtyrja e ligjit për nëpunësin civil në mbledhjen djeshme të qeverisë, ka sjellë edhe ragimin e ashpër të deputetëve të opozitës të cilët paralajmërojnë mazhorancën për pasoja politike për këtë veprim. Sipas deputetëve të PD-së, ky akt është antikushtetues dhe cenon si marrëveshjen e arritur me konsensus, duke e votuar draftin në fjalë në Kuvendin e Shqipërisë në maj të këtij viti, ashtu edhe proceset integruese të vendit për BE. Ish – ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi thotë se me këtë vendim do të ndërmerren hapa ligjorë, ndërsa deputeti i opozitës Arben Ristani deklaroi se nëse ka shtet ligjor në Shqipëri, ligji duhet të hynte në fuqi më datën 1 tetor.
Por gjatë mbledhjes së mbrëmshme të qeverisë, ligji hyn në fuqi më 1 tetor, por që efektet e tij i fillon pas një afati 6 mujor. Për këtë qeveria argumenton se deri në këtë periudhë do të zbatohen dispozitat e ligjit të vjetër nr.8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil.”.
Sipas vendimit të zbardhur të qeverisë, ligji “Për nëpunësin civil”, është i pazbatueshëm për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit, kohën e pamjaftueshme për të bërë rregullime ligjore sipas procesit legjislativ, nevojën për organizimin institucional, efektet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare. Sipas këti vendimi thuhet se kjo iniciativë e qeverisë ka ardhur me kërkesë të ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike. Për këtë Këshilli i Ministrave vendosi të ndryshojë dy nene të tij, duke përcaktuar se ky ligji hyn në fuqi më 1 tetor, por efektet e tij i shtrin pas 6 muajve nga hyrja në fuqi.
ALDO BUMÇI
Deputeti demokrat Aldo Bumçi paralajmëroi një ditë më parë ndjekjen e të gjithë hapave ligjorë nga opozita kundër vendimit të qeverisë për shtyrjen e efekteve të hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Sipas Bumçit përmes këtij akti antikushtetues mazhoranca po minon konsensusin e arritur mes palëve, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se ligji është i pazbatueshëm.
“Kemi të bëjmë me shtetin e së drejtës, kemi ligj të miratuar me konsensus jo thjesht me 3/5. Nuk bëhet fjalë vetëm për një ligj që prek shërbimin civil, por bëhet fjalë për një arritje konsensusi mes palëve. Aktet normative hartohen pasi ligji hyn në fuqi, jo përpara. Ligji hyn në fuqi me 1 tetor, aktet normative kanë afat edhe 3 muaj. Që këtu rrëzohet argumenti i tyre se ligji është i pazbatueshëm. Sipas Kushtetutës nuk mundet që qeveria me një akt normativ të shtyjë ligjin, ai duhet të votohet në Kuvend me 3/5 dhe nëse nuk votohet mbetet nul. Ligji thotë se 3 muaj para se të hyjë në fuqi nuk mund të bëhet asnjë shkarkim përmes ligjit të vjetër. Ne do ndërmarrim të gjitha hapat që ofron Kushtetuta, vendimin do ta marrim kur të njihemi nga afër me aktin normativ në fjalë. Çdo veprim për ti hapur rrugë spastrimit do kundërshtohet plotësisht. Ligji hyn në fuqi nesër dhe akti është antikushtetues” tha ai në një intervistë për Ora Neës.
ARBEN RISTANI
Kundër vendimit të qeverisë “Rama” për shtyrjen e afateve të ligjit për nëpunësin civil, u shpreh edhe deputeti i PD-së Arben Ristani. Sipas tij, një hap i tillë godet në themel konensusin politik në vend, duke kujtuar se ligji ka kaluar me unanimitet në Parlament. Ristani tha se qëllimi i vërtetë që fshihet pas këtij veprimi është spastrimi i adminsitratës publike.
“Është ligj i miratuar me konsensus në parlament. Një ditë para se të hyjë në fuqi, ka një tendencë për ta shtyrë pas 1 tetorit. Kemi të bëjmë me një goditje në thelb të konsensusit, përmes kësaj konsensusi merr një goditje të fortë edhe për të ardhmen. Arsye ligjore nuk ka, arsyet mund ti marrim mend, por transparence për ta diskutuar dhe parë nuk ka. Ligji nuk mund të diskutohet nëse është apo jo i zbatueshëm nga asnjë, qoftë dhe Kryeministër, përveçse gjykata. Duke përdorur imagjinatën, ligji për të qenë i zbatueshëm do dhe aktet nënligjore, por ligji thotë se më të hyrë ligji në fuqi, KM brenda 3 muajve duhet të nxjerrë aktet. Opozita është e gatshme të japë kontributin e saj me specialistë. Jemi në thyerje të konsensusit, kjo është të fshihesh dhe të gjuash pas krahëve natën. Çështja është se arsyeja e vërtetë është se ligji nuk i intereson mazhorancës për të hyrë në fuqi, pasi i intereson të zhbëjë administratën publike. Ju e dini propagandën e madhe të PS me aplikimet online, më thoni cili prejt tyre ka filluar punë, dhe këto emërimet e bëra gjatë kohëve të fundit janë aplikantë të portalit? Apo kjo është demagogji për popullin?”, – tha Arben Ristani.
Bogdani: Shtyrja e afateve prish konsensusin politik dhe rrezikon statusin e kandidatit
Dy ditë më parë në një intervistë për gazetën “standard”, deputeti i Partisë Demokratike Gert Bogdani deklaroi se shtyrja e afateve të ligjit për nëpunësin civil, prish marrëveshjen politike dhe rrezikon marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
Duke iu drejtuar Kryeministrit Edi Rama, ai tha se ai duhet të respektojë konsensusin e vendosur për miratimin e këtij ligji, i cili u votua legjislacionin e kaluar, pas shumë vonesash dhe me këmbënguljen e Bashkimit Europian.
“Të respektojë dhe të mos dëmtojë shanset e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat në Dhjetor të këtij viti.
Pasi, vlen të kujtojmë faktin, që ky është një nga tri ligjet, kusht i Brukselit për marrjen e statusit të vendit kandidat. Pjesë e konsensusit të miratimit të ligjit, edhe pas vonesave të z. Rama – gjë që i dogji Shqipërisë marrjen e statusit kandidat, ka qenë edhe data 1 Tetor e hyrjes së ligjit në fuqi.
Për t’ju korrigjuar, z. Rama tha se ligji është i pazbatueshëm për shkak të mungesës së akteve nën ligjore. Por ky është thjeshtë një justifikim, sepse ligji në vetvete parashikon miratimin e akteve nën ligjore tre muaj nga hyrja në fuqi e tij”, – tha Bogdani.