Gjykatë e Lartë/ Ambasada Holandeze premton trajnimin e 23 nëpunësve gjyqësorë

0
149

zaganjori1-280x200Kreu i Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjori, priti dje në një takim ambasadorin holandez Martin De La Beij. Gjatë këtij takimi, kryegjyqtari Zaganjori e ka falënderuar ambasadorin për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Holanda i ka dhënë Shqipërisë si shtet kandidat për integrimin evropian, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm me anë të projekteve konkrete në ndihmë të gjyqësorit shqiptar. Aktualisht, Gjykata e Lartë ka fituar projektin e financuar nga qeveria holandeze “Rritja e efiçencës në administrimin e drejtësisë”, ndërsa në kuadër të këtij projekti pritet të trajnohen për 10 ditë 23 nëpunës të kësaj gjykate. Kryetari i Gjykatës së Lartë u shpreh se ky projekt i shkëlqyer do të ofrojë ndihmë konkrete në trajtimin e çështjeve me interes për Gjykatën e Lartë, gjithnjë në funksion të forcimit e konsolidimit të mëtejshëm të pushtetit gjyqësor, në mënyrë që të përballohen me sukses sfidat për forcimin e demokracisë në Shqipëri, forcimin e shtetit të së drejtës, mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të individit me anë të një drejtësie efektive në shërbim të qytetarit. Në frymën e bashkëpunimit, z. Zaganjori mirëpriti idenë e ambasadorit De La Beij për vazhdimin e kësaj marrëdhënieje bashkëpunimi, mes dy gjykatave të larta të të dyja vendeve dhe Këshillit të Gjyqtarëve në Hagë. Ambasadori holandez, z. Martin De La Beij, u shpreh se personalisht i vlerëson hapat e marrë nga Shqipëria për plotësimin e standardeve që do ta afrojnë atë më pranë Evropës, duke u angazhuar se qeveria holandeze do të jetë përkrah vendit tonë me ndihma dhe asistenca konkrete në fushën e drejtësisë dhe gjyqësorit. Trajnimi që pritet të organizohet në fillim të tetorit në Hagë, është një tregues pozitiv se Holanda është mike e Shqipërisë dhe është e interesuar që institucionet në Shqipëri të funksionojnë normalisht në forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit etj., duke plotësuar sa më pare kriteret për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.