Konflikti për borxhin në kazino, plagoset polici i Bashkisë Tiranë

0
202

Protagonistët ndoqën njëri-tjetrin me makina nga Tiranë në Laç. I plagosuri u godit me makinë

PoliciaNjë konflikt i nisur për shkak të një borxhi në Tiranë ka përfunduar në hyrje të Laçit me plagosjen e lehtë të një efektivi të Policisë Bashkiake të kryeqytetit. Ngjarja është regjistruar në mbrëmjen e djeshme, kur Haki Çalliku, punonjës i Policisë Bashkiake në Tiranë, si dhe pronar i një kazinoje, është konfliktuar me shtetasin Bashkim Lika, për shkak të një borxhi financiar mes tyre. Sherri mësohet se ka nisur në ambientet e kazinosë, ku palët janë goditur me grushte dhe më pas, siç mësohet edhe nga burimet pranë komisariatit të Laçit, ata kanë hipur në makina dhe kanë ndjekur njëri-tjetrin nga Tirana deri në hyrje të Laçit, ku edhe janë aksidentuar. Megjithëse fillimisht është raportuar se mes dy personave ka pasur të shtëna armësh, në vendngjarje policia e Kurbinit nuk ka gjetur asnjë gëzhojë dhe asnjë armë zjarri. Nga aksidenti burime pranë komisariatit thanë se ka mbetur i plagosur lehtë shtetasi Haki Çalliku, i cili më pas është transportuar në drejtim të spitalit të Laçit dhe se për momentin ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në spital janë dërguar edhe dy persona të tjerë, Bashkim Lika dhe një roje objektesh,që ndodhej sipas policisë rastësisht në vendngjarje.

Hetimet e policisë

Duke iu referuar gjithmonë burimeve të policisë, mes Haki Çallikut dhe Bashkim Likës ka pasur një konflikt, për shkak të një borxhi financiar. Palët s’kanë arritur të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe mes tyre ka lindur një konflikt fizik në Tiranë. Nga kryeqyteti ata janë larguar në drejtim të Laçit, ku gjatë rrugës kanë ndjekur njëri-tjetrin derisa në hyrje të qytetit, siç mësohet, Bashkim Lika ka goditur me makinë shtetasin Haki Çalliku. Që prej mbrëmjes së djeshme një oficer i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Laçit dhe efektiva të tjerë të policisë kanë filluar të hetojnë ngjarjen në fjalë, duke marrë në pyetje personat e përfshirë në këtë ngjarje. Pyetja e tyre është bërë në mbrëmjen e djeshme dhe palët kanë treguar se zanafilla e sherrit ka qenë një borxh i pashlyer. Pritet që ditën e sotme policia dhe Prokuroria e Laçit të hedhin më tepër dritë rreth ngjarjes të rëndë, që ndodhi në hyrje të këtij qyteti.

Plagosja e rojës

Në momentin e përplasjes së automjeteve burime pranë policisë thanë se ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Ky i fundit është transportuar në spitalin e Laçit dhe pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore, mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai është pyetur në komisariatin e Laçit ku ka treguar atë që kishte ndodhur mes dy personave të sipërcituar.

 

 

Ngjarja në Tiranë

 I sëmuri hidhet nga tarraca e Sanatoriumit

Hidhet nga kati i dytë i Sanatoriumit në Tiranë një pacient i sëmurë me kancer. Nga burimet në vendngjarje mësohet se ai është rreth 38 vjeç e pas rrëzimit gjendet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, shërbimet policore të komisariatit numër 1 ndodhen në vendngjarje dhe fillimisht morën në pyetje të pranishmit, si dhe stafin mjekësor, nëse ai ishte një pacient i shtruar në spital apo jo. Policia gjithsesi ka nisur hetimet për të kuptuar shkaqet, por deri tani dyshimet janë se ai është vetëhedhur prej një tronditjeje psikike nga sëmundja e pashërueshme.

 

Ngjarja në Delvinë

 Plagoset me armë zjarri Tore Muzhani

 Plagosje me armë zjarri në jug të vendit. Mbrëmjen e djeshme një 40-vjeçar nga Delvina ka mbetur i plagosur, pasi është qëlluar me armë zjarri. I plagosuri është identifikuar si Tore Muzhani, i cili është dërguar në spitalin rajonal të Sarandës dhe ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë, forcat e policisë kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të plagosjes, 22-vjeçari Xhuliano Kotolloshi, i cili është shpallur në kërkim. Po sipas policisë, 22-vjeçari rezulton person me precedentë penale, pasi vetëm dy vite më parë ai ka plagosur një punonjës të policisë së Delvinës.

 

Aksidenti

 Makina bie në humnerë, tre të plagosur

Një makinë ka përfunduar në humnerë e për pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Xhaferaj. Në momentin e ngjarjes në makinë ndodheshin Muhedin Allaraj, Ylber Allaraj dhe Ramadan Mema. Të tre kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spitalin e Kukësit, ku po marrin ndihmën mjekësore. Sipas mjekëve, Muhedin Allaraj është në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërsa dy personat e tjerë të lënduar ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka vajtur në vendngjarje dhe po heton për shkaqet e aksidentit