Jurges Veizaj
Ka mbaruar pjesa më e madhe e sfidave të Superligës Shqiptare në mesjavë. Ndeshje që ka sjellë emocione të forta ka qenë ajo midis Partizanit dhe Kukësit për vetë fuqinë e skuadrave. Ndeshja ka përfunduar në favorin e kryeqytetasve. Kjo disfatë bëri që të japë dorëheqjen trajneri Cungu. Një luftë e fortë ka qenë edhe ajo midis Bylisit dhe Flamurtarit, që ka mbaruar në barazim në minutat e fundit.
Partizani dhe Tirana me Laçin ka qenë tri skuadrat që kanë arritur që të marrin tri pikë në ndeshjet e djeshme. Të kuqtë arritën që të fitonin ndaj Kukësit, që këtë sezon të ri është futur në një qorrsokak. Ata kanë arritur që me anë të një loje të mirë të triumfojnë ndaj verilindorëve. Kjo disfatë e tyre ka detyruar trajnerin Armando Cungu që të japë dorëheqjen, për shkak të rezultateve të dobëta në këtë fillim kampionati. Ndërkaq, Tirana ka arritur që të fitojë ndaj Kastriotit. Në një ndeshje që në dukje ishte e barabartë, por që goli i shënuar që në minutat e para nga portugezi Semedo i dha trepikëshin skuadrës së Nevil Dedes. Fushë-krujasit meritonin më shumë, por ndërhyrjet e gardianit Caka kanë ndaluar sulmet e tyre. Ndërsa Laçi ka arritur që të fitojë ndaj Besës, duke i treguar tifozerisë vendase se ka akoma forcën për të fituar në fushën e tyre. Ndërsa në barazim janë mbyllur edhe sfidat midis Teutës dhe Lushnjës dhe ajo midis Flamurtarit dhe Bylisit. Ndeshje emocionuese ka qenë ajo në Lushnjë, ku është zhvilluar një lojë e bukur midis dy skuadrave të cilat janë risi në këtë sezon të ri. Edhe pse myzeqarët, duke shfrytëzuar faktorin fushë, kanë ushtruar presion, durrsakët nuk kanë arritur që të marrin fitoren. Kjo, pasi djemtë e detit kanë arritur që të mbrohen shumë mirë. Ndërsa me të njëjtin temp loje ka qenë edhe sfida midis Flamurtarit dhe Bylisit. Ndeshje me skenarë që i dhanë disa herë fate të ndryshme takimit. Pavarësisht se ballshiotët arritën që të dominonin gjatë gjithë lojës, në dy minutat e fundit ishte Beqiri ai që do t’u jepte barazimin vlonjatëve.
Kukësi-Partizani
Duket se Kukësi po pëson disfata të njëpasnjëshme. Kësaj radhe përballja me Partizanin e ka nxjerrë përsëri me zero pikë. Një pjesë e mirë e lojtarëve që luajnë te Kukësi kanë qenë pjesë e të kuqve dhe dukej si një ndeshje brenda të njëjtit ekip, duke parë edhe numrin e lojtarëve që janë aktivizuar për Partizanin. Mjafton këtu të përmendim Igli Allmuçën, Alikajn dhe Gerard Prognin, të cilët kanë qenë pjesë e ekipit në kohë të ndryshme. Kryeqytetasit arritën që të fitonin me rezultatin minimal 1 me 0. Partizani ka qenë gjatë gjithë kohës tepër aktiv. Ndeshja nisi me një presion nga miqtë që më anë të krahëve ushtronin presion ndaj Kukësit. Skuadra verilindore ishte në presion dhe shume pak e pa portën e kundërshtarëve. Kjo, pasi skuadra e Likës arrin që ta bllokojë në mesfushën e tyre skuadrën e Cungut. Mazrekaj dhe Mitraj i hapën probleme mbrojtjes kuksiane. Mitraj pati disa shanse të volitshme para portës, por që reagoi keq, duke mos i kthyer në gol. Në pjesën e dytë Kukësi vendos të ndryshojë dhe trajneri Cungu bën ndërrimet e tij. Popoviçi është lojtari kyç që futet në vend të Cikalleshit dhe shton ndjeshëm rolin e skuadrës në fazën sulmuese. Edhe Partizani nuk vonon dhe vë në lëvizje stolin duke ndryshuar Maliqin për Thanën. Duket se i sapofuturi do të ishte edhe shpëtimi i Partizanit, i cili do të përfitonte nga një lëmsh në zonën e Kukësit për të shënuar golin e vetëm të sfidës në minutën e 77-të. Sfida do të mbyllej në këtë rezultat, duke i dhënë tri pikë mjaft të vlefshme. Ky rezultat i çon në vendin e dytë, në kuotën e 12 pikëve, ndërsa Kukësi në vendin e tetë me shtatë pikë.
Flamurtari-Bylisi
Sfida e jugut ishte një ndeshje me emocion tepër të madh. Të dyja skuadrat gjatë gjithë historisë së ndeshjeve midis tyre kanë rezervuar gjithmonë spektakël. Ndeshja ka nisur me një sulm të madh drejt portës së vlonjatëve nga ana e ballshiotëve. Sulmet e tyre e kanë vënë në presion portierin Moçka që nuk e ka pasur të lehtë në këtë ndeshje. Flamurtari është i përgjumur, ndërsa Bylisi përfiton nga situata. Në minutën e 20-të do të vinte edhe goli nga Gërxho, që me anë të një gjuajtjeje do ta çonte rezultatin në avantazh për skuadrën e Egbos. Pas golit vihet në veprim edhe skuadra kuqezi. Aksionet e tyre sjellin edhe golin nga ana e Qejvanit, që i jep skuadrës barazimin momental. Bylisi pëson edhe një disfatë tjetër. Gjatë një aksioni të vlonjatëve, portieri Ruçi detyrohet që të dalë jashtë zone, duke bërë një ndërhyrje që detyron arbitrin Meta që të akordojë goditje dënimi dhe t’i japë portierit karton të kuq. Ekipi mallakastriot do të bënte një ndërrim të detyrueshëm, duke nxjerrë jashtë loje Kulin për portierin Stivi Frashëri. Por, edhe pse me 10 lojtarë, Bylisi nuk tregon frikë dhe shkon drejt zonës së Moçkës për të kërkuar avantazh. Ky guxim do të shpërblehej, duke i sjellë edhe golin e dytë skuadrës. Protagonisti do të ishte Izuçuku, që driblon mbrojtësit vlonjatë dhe detyron Miçin që t’i ndërhyjë në mënyrë të parregullt. Arbitri do të akordonte penallti që do të kthehej më pas në gol nga Mëto, që do ta çonte skuadrën në avantazh. Kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi i ndeshjes, gjyqtari akordon një penallti për skuadrën e Flamurtarit. Mirëpo Sakaj do të ndalet nga Stivi Frashëri që nuk do të lejojë vlonjatin të shënojë golin e barazimit. Por si për ironi të fatit, kur kishin mbetur vetëm dy minuta nga përfundimi i ndeshjes, ishte Beqiri ai që do të shpëtonte ekipin vlonjat nga disfata, duke dalë nga fusha me një pikë tepër të vlefshme. Ky rezultat e mban Flamurtarin në vendin e parafundit, në kuotën e pesë pikëve, ndërsa Bylisi në vendin e gjashtë, në kuotën e 8 pikëve.
JAVA 6, KATEGORIA SUPERIORE
KUKËSI-PARTIZANI 0-1
Golat: Thana 77′
Gjyqtarë: Enea Jorgji
LUSHNJA-TEUTA 1-1
Golat: Korreshi 21′ / D. Xhafaj 55′
Gjyqtarë: Lorenc Jemini
TIRANA-KASTRIOTI 1-0
Golat: Semedo 7′
Gjyqtarë: Emirion Sino
FLAMURTARI-BYLISI 2-2
Golat: Qejvani 29′, Beqiri 88′ / Gerxho 24′, 53′ (pen)
Gjyqtarë: Kridens Meta
LAÇI-BESA 1-0
Golat: Vucaj 23′
Gjyqtarë: Laver Alla
Klasifikimi
1 Teuta 12
2 Partizani 11
3 Vllaznia 10
4 Laçi 10
5 Korçë 9
6 Bylis 8
7 Lushnja 8
8 Kukësi 7
9 Tirana 7
10 Kastrioti 6
11 Flamurtari 5
12 Besa 1