“Kutia e Pandorës”/ Dajti i hap “luftë” policisë, akuza për armët e përdorura në aksion

0
154

Sonja Caka

Deklarata: Altin Dizdari 3 muaj pas vdekjes firmosi për një armë

Reagimi: Bëj kallëzim në prokurori, nëse ka prova të reja

 

Dritan-Dajti-320x240-1Dritan Dajti i ka hapur “luftë” policisë, duke lëshuar lumë akuzash si për drejtuesit e saj, ashtu dhe për armët e përdorura në aksionin për kapjen e tij ku humbën jetën katër policë dhe mbeti i plagosur edhe vetë. Pas akuzave se për armën e përdorur nga Fatos Xhani ditën e ngjarjes është firmosur dy muaj pas vdekjes së këtij të fundit, një tjetër akuzë vjen për armën e përdorur nga një tjetër efektiv i vrarë, për atë të Altin Dizdarit. Sipas të pandehurit, efektivi i policisë, Altin Dizdari, rezulton të ketë firmosur marrjen në dorëzim të një arme vetëm 3 muaj pas vdekjes së tij. Për këtë arsye, Dajti kërkoi nga gjykata sekuestrimin e kësaj arme dhe të dokumentacionit që vërteton thëniet e tij. Para togave të zeza, i pandehuri ka deklaruar se në procesverbalin e Librit të Armatimit të datës 17 nëntor 2009 rezulton se i ndjeri Dizdari ka firmosur për të marrë një armë, e cila nuk ka asnjë numër dhe as lloj. Sipas të pandehurit, Altin Dizdari ka mbetur i vrarë më datë 7 gusht të vitit 2009 dhe vetëm tre muaj më pas emri i tij figuron në Librin e Armatimit, ku ka tërhequr një armë zjarri të paregjistruar. I pandehuri ka kërkuar sqarime se si një person i vdekur mund të marrë një armë nga magazina e policisë dhe madje të shënojë emrin, mbiemrin dhe firmën e tij. Në sallën e gjyqit ka pasur replika mes prokurorit të çështjes dhe të pandehurit, të cilët kanë shkëmbyer batuta në lidhje me këtë procesverbal. Përfaqësuesi i akuzës i ka kërkuar të pandehurit që provat për këtë çështje t’i denoncojë në prokurori. Ndërsa i pandehuri i është përgjigjur se nëse i jepet leje, është i gatshëm që me paterica të shkojë në prokurori, por momentalisht ai ndodhet pas hekurave. Batutës së Dajtit i është kundërpërgjigjur sërish prokurori, i cili i ka kujtuar se në të njëjtën mënyrë si mban lidhjet me median mund t’i mbajë edhe me prokurorinë. Më pas, gjykata është shprehur se lidhur me kërkesat e të Dajtit do të shprehet në momentin e përfundimit të këqyrjes së provave shkresore të organit të akuzës dhe të pandehurit. Pas këtij vendimi, i pandehuri i ka kërkuar gjykatës që të caktojë një ditë kur do të pranohen pretendimet. “Prej disa vitesh ju keni shtyrë dhe refuzuar çdo kërkesë timen. Më tregoni se kur do të jetë dita që ju do të pranoni kërkesat e mia që t’i bëj të gjitha në atë ditë. Është e drejta juaj të bëni ç’të doni dhe të pranoni kërkesat e prokurorisë, por në rrethanat që unë nuk kam avokat, kërkoj të largohem nga salla e gjyqit”, – është shprehur Dritan Dajti. Edhe dje, ashtu si dy seancat e kaluara, nuk ishte paraqitur asnjë nga avokatët e caktuar kryesisht, duke detyruar gjykatën të thërrasë dy të tjerë nga lista kryesisht, ndërsa të caktojë për të premten seancën e radhës.