Universitetet/ Fituesit, si do të bëhen regjistrimet, formulari A3 publikohet në 15 tetor Viti akademik nis më 7 tetor

0
228

Kuotat e mbetura bosh, plotësohen me formularin A3

 

studente-proteste-diploma-fallcoKur janë shpallur 31 mijë kandidatët fitues për në universitete publike, tashmë procedura e regjistrimit do të zhvendoset në sekretaritë e fakulteteve. Sipas Agjencisë Kombëtare të Provimeve, regjistrimi i kandidatëve fitues do të nisë në 7 tetor dhe do të përfundojë në 13 tetor. “Në javën e parë të fillimit të vitit akademik nga 7 tetor deri 13 tetor 2013, fituesit e publikuar në listat e raundit I, faza II, duhet të prezantohen personalisht në sekretarinë mësimore të fakultetit ku janë shpallur fitues dhe të dorëzojnë dokumentet përkatëse”, – thuhet në udhëzim. Dokumentet që duhen dorëzuar janë:

-dokumenti i identifikimit (letërnjoftimi ID ose pasaportë). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit (e panoterizuar)

– 2 fotografi

– mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekë, për llogari të IALP përkatëse (rekomandohet pranë zyrave të Postës Shqiptare)

Studimet në vitin e ri akademik 2013-2014 nisin më 7 tetor. Pasi dorëzon dokumentet e mësipërme, studenti firmos në listën e konfirmimit në sekretari. Në përfundim sekretaria e pajis atë me fletën e regjistrimit në programin e studimit ku është shpallur fitues. Studenti që nuk i kryen këto procedura gjatë javës së parë të fillimit të vitit akademik, konsiderohet i paregjistruar dhe e humbet këtë program studimi. Sekretaritë duhet të pasqyrojnë në sistem të gjithë studentët që dorëzojnë dokumentet dhe për rrjedhojë vijojnë studimet në programin përkatës deri në datën 13 tetor 2013. Nga ana e tyre fakultetet informojnë studentët e paraqitur të kryejnë dorëzimin e dokumenteve në sekretari dhe ta pajisen me fletëregjistrimin përkatës.

Formulari A3

Për të gjithë ata kandidatë që kanë një shpresë për të fituar një degë më të mirë, apo të jenë fitues për herë të parë në universitete, formulari A3 do të shpallet më 15 tetor. Do të jetë udhëzimi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që do të përcaktojë detajet e formularit, por sipas burimeve, nuk pritet të ketë ndryshime nga një vit më parë. Të njëjtat burime theksojnë se duke u bazuar te përvoja e një viti më parë pritet të ngelen bosh rreth 1000 kuota. Sipas vendimit të qeverisë, degët që nuk do të kenë kuota të paplotësuara nuk do të përfshihen në formularin A3. Për ato degë ku do të ketë qoftë dhe një degë të paplotësuar, program i studimit do të jetë pjesë e formularit A3. Do të kenë mundësi për të plotësuar formularin A3 kandidatët që:

– kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2
– kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2013
– kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore
– kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje.