Florenc Drizari
Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu: Shqipëria do të ketë gjithmonë përkrahjen e Turqisë në rajon dhe në botë
Kryeministri Edi Rama priti në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu. Gjatë këtij takimi, Kryeministri e falënderoi ministrin Davutoglu për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia i ka dhënë Shqipërisë. Rama theksoi se partneriteti strategjik mes dy vendeve do të forcojë më tej edhe bashkëpunimin në të ardhmen.
Sipas zyrës së shtypit të PS-së, ministri Davutoglu uroi Kryeministrin Rama për fitoren e zgjedhjeve dhe marrjen e detyrës së re në qeverisjen e vendit.
“Kryeministri Rama dhe ministri i Jashtëm Davutoglu biseduan edhe për zhvillimin e mbledhjeve të përbashkëta të dy kabineteve qeverisëse, si edhe për këshilltarët turq në fushat e energjisë, ekonomisë, shëndetësisë dhe rendit publik që do të asistojnë nga afër sektorët përkatës”, – thuhet në njoftimin zyrtar.
Ndërkaq, në një koment në rrjetin social “Facebook”, Kryeministri Rama thotë se Turqia është pikë referimi për zhvillimin ekonomik e social. Në komentin e tij Rama tha se takimi me kryediplomatin turk ishte i pari ministër i Jashtëm që viziton Shqipërinë për t’u takuar me qeverinë e re.
DAVUTOGLU NË TIRANË
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmed Davutoglu, e nisi vizitën e tij dyditore në Shqipëri me një takim me homologun e tij Ditmir Bushati. Menjëherë pas takimit dy kryediplomatët dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku bënë të ditur se në qendër të bisedës mes tyre ishte institucionalizimi i dialogut dhe intensifikimi i bashkëpunimit shumëdimensional shqiptaro-turk, si dhe shkëmbimi i pikëpamjeve për zhvillimet rajonale dhe bashkëpunimi në kuadër të organizmave shumëpalësh.
Ministri i Jashtëm Davutoglu theksoi rëndësinë që Turqia i kushton bashkëpunimit me Shqipërinë, duke shtuar se në kuadër të këtij partneriteti do të zhvillohen edhe mbledhje të përbashkëta mes qeverive të dy vendeve, të kryesuara nga dy kryeministrat, Rama dhe Erdogan.
“Biseduam për hartimin e dokumentit të partneritetit strategjik dhe në të ardhmen do të hidhen hapa në këtë drejtim. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për ne dhe parashikon dhe mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive. Kjo tregon rëndësinë që i kushtojmë”, – deklaroi ministri turk.
Më tej kryediplomati Davutoglu theksoi se miqësia mes dy vendeve ka qenë e qëndrueshme, duke shprehur bindjen se do të vazhdojë të fuqizohet edhe më shumë në të ardhmen. Për ministrin Davutoglu, “suksesi i Shqipërisë është edhe suksesi i Turqisë”. Shqipëria është në transformim të vazhdueshëm, gjithçka është në ndryshim, në transformim, urojmë që kjo të vazhdojë. Çdo sukses i Shqipërisë në të njëjtën kohë është sukses edhe për ne. Shqipëria do të ketë gjithmonë përkrahjen e Turqisë për të luajtur një rol më të rëndësishëm në rajon dhe në botë. Gjithmonë jemi bashkë me njëri-tjetrin. Flamujt e dy vendeve do të jenë gjithmonë së bashku”, – tha ministri turk.
Gjithashtu, ministri turk zhvilloi edhe një takim me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Metën.
“Bashkëpunimi mes Turqisë dhe Shqipërisë është strategjik dhe suksesi i Shqipërisë, është edhe suksesi i Turqisë”, – u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoðlu, gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit, Meta.
Kryetari i Kuvendit i shprehu ministrit Davutoðlu mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për mbështetjen e Turqisë dhe shprehu besimin se marrëdhëniet ndërparlamentare do të njohin një fazë të re zhvillimi.
Bushati: Bashkëpunimi me Turqinë bazohet në vlerat e përbashkëta
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë takimit që pati me homologun e tij turk, Davotudlu, theksoi se dokumenti për bashkëpunimin strategjik Shqipëri-Turqi, do të përcaktojë një rrugë më cilësore dhe më strategjike të bashkëpunimit mes dy vendeve, që siç tha ai, bazohet mbi vlerat e përbashkëta që kanë vendet tona dhe rajoni. Kryediplomati shqiptar falënderoi homologun turk për përpjekjet që qeveria e Kryeministrit Erdogan ka bërë për realizimin e projektit të gazsjellësit TAP. Ministri Bushati i kërkoi qeverisë turke që të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të pasur një degëzim të gazsjellësit edhe në Kosovë.
Më tej ministri Bushati theksoi se “bashkëpunimi mes dy vendeve në përballimin e sfidave që kanë të bëjnë me paqen në rajon dhe në botë është tashmë i certifikuar”.
“Rasti i Sirisë është prova më e qartë e këtij bashkëpunimi. Turqia ka luajtur një rol stabilizues, paqësues dhe demokratik në rajon. Posaçërisht do të doja të falënderoja rolin e qeverisë turke të kryeministrit Erdogan në njohjen dhe konsolidimin e pavarësisë së Kosovës”, – vijoi ministri Bushati.