Gëzim Saliu
Basha- Metës: Akti o votohet, o hidhet poshtë. Fjala e mirë ka vlerë vetëm nëse shoqërohet me vepra të mira
“Opozita e vendosur të mbrojë vlerën e konsensusit”
Akti normativ i qeverisë për shtyrjen e ligjit të Nëpunësit Civil nuk lë shteg për dialog mes mazhorancës dhe opozitës. Kështu ka deklaruar dje kreu i Partisë demokratike Lulzim Basha, duke theksuar se shtyrja e ligjit nga ana e qeverisë përbën një atentat të rëndë ndaj konsensusit të arritur mes palëve në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të 30 majit, ku u votuan tri ligjet e Brukselit. Sipas liderit të opozitës, deklaratat e dy ditëve më parë të kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për dialog dhe bashkëpunim s’kanë asnjë kuptim, kur akti i parë i mazhorancës është prishja e konsensusit unanim. “Fjalët i merr era në qoftë se nuk shoqërohen me vepra. Stërbetimet për dialog dhe bashkëpunim me opozitën s’kanë asnjë kuptim, kur akti i parë është prita që i bëhet konsensusit unanim të 30 majit. Akti normativ i sjellë në Parlament nuk lë vend për diskutim. Këtë e di çdo kush, uroj ta dijë edhe kryetari i Kuvendit, që akti normativ o votohet, o hidhet poshtë, pra nuk ka vend për dialog. Në këtë kuptim, opozita është e vendosur të mbrojë vlerën e konsensusit, pikë së pari, si një vlerë të kulturës europiane të politikëbërjes dhe pikë së dyti, si një garanci për balancimin dhe kontrollin e pushteteve në demokraci dhe sa kohë që arbitrariteti dhe abuziviteti janë fakte, nuk ka asnjë vlerë fjala e mirë. Fjala e mirë ka vlerë vetëm nëse shoqërohet me vepra të mira”, – u shpreh Basha.
Reagimi
Për kryetarin e PD-së, pavarësisht thyerjes së konsensusit nga ana e mazhorancës për ligjin e Nëpunësit Civil, opozita mbetet e përkushtuar për dialog të përhershëm me qytetarët shqiptarë. “Në një mëngjes të keq të kësaj mazhorance të re, e cila e fillon jo duke u rrekur të plotësojë premtimet para qytetarëve, por duke shkelmuar edhe ato të mira me të cilat u angazhua bashkërisht në të kaluarën jo fort të largët, siç ishte konsensusi”, theksoi Basha. Ndërkohë i pyetur nga gazetarët nëse opozita e djathtë është konsultuar me Brukselin lidhur me çështje e administratës si edhe për mundësinë e një takimi mes tij dhe komisionarit për zgjerimin në KE Stefan Fule, Basha iu përgjigj duke pohuar se,: “Partia Demokratike ka dialog të vazhdueshëm me të gjithë partnerët tanë evropianë dhe amerikanë. Për këtë, të mos shqetësohet askush. Por askush të mos heqë vëmendjen nga ky atentat i rëndë që i ka ndodhur demokracisë dhe të mos kujtojë se Partia Demokratike apo opozita do të qëndrojnë të heshtur përballë tij. Ne do të kryejmë detyrën tonë para Kushtetutës, do të kryejmë detyrën tonë para qytetarëve, do të kryejmë detyrën tonë para demokracisë, do të kryejmë detyrën tonë para kulturës së re politike, duke qëndruar forcërisht, para vjetërsirave të shkelmimit të konsensusit dhe arbitraritetit që na serviren sot nga mazhoranca e re”. Në mbledhjen e kaluar të Këshillit të Ministrave nëpërmjet një akti normativ u mor vendimi për shtyrjen me 6 muaj të hyrjes në fuqi të ligjit të Nëpunësit Civil. Për mazhorancën qeverisëse, mungesa e akteve nënligjore e bënte ligjin të pazbatueshëm dhe si i tillë ai ligj, sipas të majtëve, duhej shtyrë për të ndërhyrë në të.
Rikonstruksioni i Rrugës Him Kolli
Kryebashkiaku Basha: Ne nuk themi se arka është bosh, por përmbushim premtimet
Me një investim prej 9.5 milionë lekësh, banorët e rrugës “Him Kolli” do të kenë tashmë një infrastrukturë të rikonstruktuar tërësisht. Me investimin e Bashkisë së Tiranës, në këtë rrugë u ndërtua sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të shiut, ujësjellësi dhe asfaltimi i saj. Kryebashkiaku Lulzim Basha, i pranishëm në përfundimin e punimeve theksoi se pas realizimit të këtij premtimi vëmendja e Bashkisë është përqendruar tek të tjera prioritete të banorëve të Tiranës. “Me përfundimin e rrugës “Him Kolli” përfundon edhe investimi në 5 rrugë të kësaj lagjeje të vjetër të qytetit të Tiranës. Këto ishin rrugë të lëna pas dore prej dekadash, çka përbënte një mëkat të vërtetë në raport me qytetarët dhe një mëkat të dyfishtë, në raport me qytetin, sepse këtu jemi në fakt në “kërthizën” e Tiranës. Sot, me inspektimin e përfundimit të punimeve të rrugës “Him Kolli”, ne njoftojmë përfundimin e paketës investuese të vitit 2012-2013, prej 5 rrugësh në qendër të Tiranës, investime të cilat mundësuan rehabilitimin e kanalizimeve, ujërave të bardha, ujërave të zeza, ujësjellësit, asfaltimin dhe ndërhyrje të tjera të cilat kanë bërë të mundur shtimin e vendeve të parkimit dhe gjelbërimit në këtë zonë të vjetër të qytetit të Tiranës. Me këtë, jo vetëm u vijmë në ndihmë banorëve, jo vetëm mbajmë premtimin tonë por spostojmë vëmendjen në të tjera prioritete të kësaj lagjeje dhe të qytetit tonë, kudo”, u shpreh Basha. Nga ana tjetër kryebashkiaku i kryeqytetit, theksoi se Bashkia e Tiranës do të fokusohet drejt të ardhmes së qytetit, për të cilën është votuar dhe nuk do të justifikohet me të shkuarën. “Një gjë është e sigurt! Bashkia e Tiranës, çdo ditë, duke qëndruar në lartësinë e saj, nuk qarravitet se arka është bosh por përmbush premtimet e saj, për të realizuar të ardhura dhe për t’i kthyer këto të ardhura në të mira materiale për qytetarët, sepse ky është thelbi i çdo kontrate midis çdo pushteti të zgjedhur dhe të zgjedhurve të tij Gjithçka tjetër është një alibi, për t’u shërbyer pushtetarëve”, theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha.