Ervin Kaduku
Në këto detyrime, një pjesë të konsiderueshme e zënë edhe faturat që shteti nuk u ka paguar, për punë të kryer e shërbim të plotësuar, shtypit të shkruar apo medias në përgjithësi
Pas zotimit të Kryeministrit Edi Rama për shlyerjen e të gjitha detyrimeve ndaj biznesit, ky i fundit kërkon edhe pagesën e detyrimeve shtesë që rrjedhin nga ky zotim. Konfindustria bën të ditur se do të kërkojë zyrtarisht nga ekzekutivi shqiptar që të zbatojë plotësisht, në mënyrë të njëjtë, sikurse i kërkohet biznesit në detyrimet financiare të ndërsjella.
Konfindustria vlerëson se shlyerja e shumëpritur e faturave të prapambetura të punëve publike nga ana e shtetit duhet të shoqërohet edhe me detyrimet financiare shtesë, mbështetur në fitimin e munguar dhe interesin bankar, që rrjedhin nga vonesa në kohë e pagesës dhe që ka prodhuar kosto shtesë për biznesin. Vlerësim i njëjtë është edhe për vonesat e përhershme në kohë të rikthimit të TVSH-së.
“Duhet të kujtojmë se biznesi për vonesa kohore të shlyerjes së detyrimeve ngarkohet me gjoba tepër të larta”, – theksohet në njoftimin për shtyp të Konfindustrisë.
Konfindustria vlerëson se zbatimi i praktikave të njëjta në detyrimet shtet-biznes do të jetë hap shumë i rëndësishëm në rritjen e përgjegjësisë së përbashkët. Sipas vlerësimeve të FMN-së dhe qeverisë së re, fatura e detyrimeve të pashlyera ndaj biznesit vlerësohet në rreth 400 milionë dollarë ose euro, sipas vlerësimeve të ndryshme.
Në fakt, faturat e papaguara nuk mund të konsiderohen vetëm sa i përket principalit nga qeveria “Rama”. Një gjë e tillë duket se po harrohet nga Financat dhe Kryeministri i vendit. Në rast se qeveria pranon se është krijuar një detyrim, atëherë detyrimi ka edhe interesat mbi vete. Kjo do të thotë që shteti ka përdorur në vite para, që duhej t’ia jepte tjetërkujt, por nuk ja ka dhënë. Në përputhje me rregullat dhe logjikën e ekonomisë së tregut, përdorimi i parasë nga të tretët lind detyrime shtesë, pra principal, por edhe kamatë.
Kërkesa nga ana e biznesit është më se e drejtë, por qeveria aktuale duhet ta marrë atë shumë seriozisht, për të mos u mjaftuar vetëm më frymë kritizerësh, por të përveshë mëngët e të nisë menjëherë, pa u bërë shumë vonë, me pagesat e detyrimeve të prapambetura. Në këto detyrime, një pjesë të konsiderueshme e zënë edhe faturat që shteti nuk u ka paguar, për punë të kryer e shërbim të plotësuar, shtypit të shkruar apo medias në përgjithësi.
Çfarë pasojash mund të ketë bllokimi i super-shtetit SHBA?
Bllokimi i një pjese të operacioneve të administratës amerikane, funksionale sipas procedurave të Shtëpisë së Bardhë, ka ngritur një re të madhe debatesh në Shtetet e Bashkuara. Sipas ekspertëve politikë, sjellja histerike e mediave dhe e analistëve mbi pasojat e përplasjes në Kongres, nuk është aspak e justifikuar dhe mbi të gjitha është e gabuar. Së pari po të bazohemi në eksperiencat e fundit, është më se i zakonshëm dëmi ndaj qeverisë në kohët e përplasjes ndërmjet organit ekzekutiv dhe atij legjislativ. Arsyeja lidhet me domosdoshmërinë e secilës palë për të mbajtur pozicionet e tyre në rastet e mosmarrëveshjeve. Media dhe analistët, tek sa e komentojnë me histeri dhe tragjizëm këtë ndodhi, duhet të kujtojnë dy bllokimet identike të qeverisë në vitin 1995 dhe 1996.
Po të përfshijmë dhe bllokimet e pagesave apo operacioneve të qeverisë të ndodhura në mesin e shekullit të kaluar do të arrijmë në përfundimin se Shtetet e Bashkuara kanë përjetuar më shumë ballafaqime të forcës politike se secili shtet tjetër. Baballarët themelues të Amerikës kërkuan pikërisht tensionin ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ si garantues të demokracisë dhe funksionimit normal të shoqërisë. Duke konsideruar faktin se është shumë i lehtë transformimi nga demokracia në diktaturë, tendenca ishte dhe është pikërisht ndarja e fuqisë për të mbrojtur lirinë. Në një mënyrë apo në një tjetër mundësitë për bllokimin e sotëm të qeverisë u krijuan rreth 798 vjet më parë. Në vitin 1215, mbreti John i Anglisë pranoi kushtet e “Magna Carta”, kontratë e cila e angazhonte mbretin të jetonte nën sundimin e ligjit dhe specifikonte se paratë mund ti përftonte vetëm pas konsensusit të baronëve.
Është pikërisht kjo arsyeja pse Kongresi, apo parlamenti në rastin evropian, vihet përpara senatit, si një organ në shërbim të përfaqësuesve të popullit dhe vetë-qeverisjes. Sipas ekspertit dhe ish-kreut të Kongresit Amerikan, Newt Gingrich, media moderne, e paditur mbi ndodhitë historike, ende nuk po paralelizon seriozitetin e situatës me rëndësinë e lirisë së të të vepruarit politik. Zgjedhjet presidenciale dhe ato përfaqësuese të vitit 2012 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës treguan qartë ndasitë që ekzistojnë aktualisht tek zgjedhësit.
Për pasojë, në një qeveri të ndarë, secila palë ka të drejtën dhe detyrimin për të negociuar. Deri sa presidenti, cilido qoftë ai, të kuptojë rëndësinë e këtij fakti, atëherë dhe pala kundërshtuese do të përdorë “portofolin shtetëror” si forcë kryesore negociuese në zemrën e ndarjes së pushteteve të shprehur në Kushtetutë. Sipas ekspertëve, situata e krijuar aktualisht  në Washington, apo më mirë për momentin ta quajmë Washingtoff, është esenca e sistemit amerikan të kujdesit ndaj lirisë. Në momentin që palët do të tentojnë të bien dakord, kriza do të kalojë dhe qeveria do të rikthehet në kapacitete funksionale.