Kufinjtë e ministres së Kulturës

0
193

Violeta Murati

 

Shkarkohet Zhani Ciko, ministria po kërkon menaxherë apo militantë?!

 

GE DIGITAL CAMERAMjeshtri Zhani Ciko, pa asnjë telefonatë dhe lajmërim, krejt ftohtë, përmes njoftimit të vendosur në faqet zyrtare të Ministrisë së Kulturës, është kuptuar se duhet të largohet nga posti i drejtorit të Teatrit të Operas dhe Baletit, që e mban prej vitesh. Ciko, si personalitet, por edhe thjesht nëpunës civil, është diskutuar për postin e mbajtur gjatë, pavarësisht kohës së pensionit. Por, si në shembujt e institucioneve kulturore në botë, shpesh në këto rangje u bëhet nderim kontributeve mjeshtërore që ashtu si në rastin e Cikos ka funksionuar. Nëse Ministria e Kulturës kërkon një menaxher për institucionet e kulturës, do të bëjë mirë, pasi në tregun e sotëm kulturor pikërisht ky pozicion është krejt i hapur, i paaplikueshëm, qoftë si individë, por dhe institucionalisht. Po t’i hidhet sy ligjit, por edhe eksperiencave si funksionojnë institucionet në vende të tjera, hallka e menaxherit është në strukturës e organizimit institucional, si bëhet ballafaqimi me tregun. Ka jo pak raste që drejtuesit janë ikona honori për mjeshtrit. Mjafton kjo për të “lehtësuar” vëmendjen dhe famën e një institucioni kulturor, në rastin tonë konkret të virtuozitetit kulturor me të cilën përballemi në kultura të tjera.

Ndoshta nga ana e ministrisë kjo gjë nuk është kuptuar, dukshëm pse është kjo “ftohtësi” në relacionin e parë, të një ekuilibri midis kulturës dhe politikës. Ndryshe do ishte puna nëse ministrja e Kulturës do të propozonte (jo në emër të politikës së qeverisë së re) strategjinë e politikave kulturore që do të ndiqte, që nuk besojmë të jenë të ndryshme nga qeveritë e tjera, të cilitdo krah. Kultura sigurisht që është diferenca, dhe nëse ministrja e re do të na dëshmonte të kundërtën, do të ishte i dhimbshëm pozicioni i saj si përfaqësuese e letrave, ku dija kuptohet më mirë në universalitetin e “republikës së artit”!

Prandaj, këtë çështje nuk mund ta trajtojmë thjesht si çështje të ligjit të nëpunësit civil apo përmbushje të daljes në pension të një mjeshtri. Me këtë nuk themi që Ciko, edhe pse në kohën e pensionit, të qëndrojë aty deri në frymë të fundit. Nuk mund të thuhet as fakti banal i moslëshimit të postit, “sikur e ka zënë me tapi”! Por mënyra arbitrare, gati një dhunë psikike, se si përgatiten pushtetet të zotërojnë institucionet me militantë, pa konsideruar aspak një realitet publik. Ky realitet është ligji. Institucionet e kulturës kanë vite që kalojnë si në kohën e diktaturës nga një dorë pushteti në tjetrin, sa sigurisht artistët janë pjesa e sakrificës dhe në paradoks e injorancës politike.

Mbajtja në qafë e “çelësit” politik për kulturën dhe institucionet e saj është nevoja urgjente për t’u shkulur, si strategji dhe mentalitet. Nuk i takon asnjë ministri të Kulturës të mburret me programin politik të qeverive, dhe as të bëhet dele: libri shqip është libër shqip dhe s’mund të ketë program qeverisës për këtë, përveçse një politikë kulturore të qartë; strategji, dhe ngritje raportesh për të siguruar ekuilibrin si ministri midis krijuesit dhe produktit të tij. Ky është defekti që po merr me vete qysh në këtë fillim dhe ministren e re të Kulturës. Shtrirja e vizionit për kulturën nuk janë zyrat e politikës. Por çlirimit i aktorëve të kulturës, artistëve mentalitete e makthet e politikës, i staniacionit të tyre të cilët edhe pas 23 vjetësh nuk mbahen dot në një treg arti, në një treg të konkurrencës së lirë. Ndërhyrja e politikës në kulturë ka shembull të shkëlqyer diktaturën, si bëhet lavazhi i trurit ndër intelektualë!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency