Granoff: Partneriteti me kryetarin e Bashkisë, i rëndësishëm në sukseset e arritura nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve
Punësimi dhe zhvillimi ekonomik kanë qenë tema kryesore e takimit të kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha, me anëtarët e bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve dhe kryetarin e tij, Michael Granoff. Kreu i Bashkisë ka bërë një prezantim të hapave të ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës në këtë drejtim, si përmirësimi i klimës së biznesit, reduktimi i barrës fiskale dhe fondi i garancive për të mbështetur të rinjtë deri në moshën 35 vjeç, që duan të nisin një biznes apo të forcojnë atë ekzistues. “Sot (dje) pritëm në Bashkinë e Tiranës, bordin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve që është njëkohësisht edhe bordi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për zhvillim, dy njësi të cilat kanë një kontribut të hershëm dhe shumë pozitiv për Shqipërinë dhe Tiranën. Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit midis Bashkisë së Tiranës dhe Fondacionit, në fusha me rëndësi të veçantë për prioritetet tona dhe qytetarëve të Tiranës, siç është zhvillimi ekonomik dhe shanset për punësim”, – përmendi Basha. Po kështu gjatë takimit u fol për një sërë projektesh të tjera të Fondit dhe Fondacionit “të cilat përbëjnë pa dyshim dy shembuj shumë frymëzues, jo vetëm për njësi të ngjashme që kanë operuar apo vazhdojnë të operojnë në Shqipëri, nga donatorë evropianë dhe euroatlantikë por edhe për vetë shoqërinë shqiptare, botën e biznesit dhe organizime të ngjashme, qëllimi i të cilëve është i njëjtë me ato të Fondit dhe Fondacionit dhe është zhvillimi, mirëqenia dhe konsolidimi i vlerave të një shoqërie të lirë dhe demokratike”, – përmendi Basha gjatë takimit.
Vlerësim për kryebashkiakun
Kryetari i bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan, Michael Granoff, ka theksuar se përmes partneritetit shumë të mirë që ekziston mes Fondit e qeverisjes në nivel qendror dhe lokal janë hedhur hapa të rëndësishëm, në përmirësimin e jetës për mjaft qytetarë shqiptarë. Me mjaft rëndësi në suksesin e projekteve të Fondit Shqiptaro-Amerikan, Granoff ka vlerësuar partneritetin me kryebashkiakun Basha. “Është kënaqësi e bordit që zhvillon këtë takim me ju dhe të dëgjojë lidhur me progresin që ka bërë qyteti si dhe t’ju raportojë ju mbi progresin e bërë nga Fondacioni dhe Fondi. Në një farë mënyre, gjatë takimit, kryetari i Bashkisë foli mbi dëshirat për vitin e ri dhe në një farë mënyre ne po mendojmë për gjërat që mund të bëjmë në ndërtimin e një Shqipërie më të mirë në të ardhmen. Një nga pikat kyçe të suksesit të Fondit dhe Fondacionit, besoj unë, ka qenë krijimi i partneriteteve shumë të mira me të gjitha qeveritë shqiptare, si me opozitën dhe mazhorancën e po ashtu në nivel qendror dhe lokal. Besoj se udhëtimi ynë deri më tani ka treguar se duke bërë partneritete të mira në nivel qendror dhe lokal, ne mund të arrijmë më tepër në përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe Shqipërisë. Besoj se duke parë edhe përvojat e progresin e Fondeve dhe Fondacioneve të tjera në Evropë, mendoj se me anë të këtyre partneriteteve, ne kemi pasur mundësinë të jemi shumë të suksesshëm dhe jam i kënaqur që të kthehemi përsëri pas një viti dhe të raportojmë mbi progresin e sukseset e arritura. Po ashtu, me mjaft rëndësi në këtë pikë është edhe partneriteti me z. Basha”, – deklaroi kryetari i bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Michael Granoff.
Rikthehet moti me shi
Pas disa ditësh të ftohta dhe me temperatura të ulëta është rikthyer moti me shi. Në të gjithë vendin ditën e djeshme që në orët e para të mëngjesit kanë filluar reshjet e shiut. Reshje ka pasur edhe gjatë mesditës dhe mbrëmjes. Edhe temperaturat kanë qenë tipike të periudhës së vjeshtës. Në zonat malore ato kanë variuar nga gjashtë gradë celsius që është minimalja, deri në 18 gradë, maksimalja. Ndërsa në zonat e ulëta dhe bregdetare, vlerat e termometrit shkonin nga 15 deri në 21 gradë celsius. Sipas parashikimit, tre ditët e para të javës së ardhshme do të karakterizohen nga reshje shiu thuajse në të gjithë territorin, ndërsa temperaturat do të pësojnë ulje në vlerat maksimale. Moti pritet të përmirësohet gjatë fundjavës.
Siguria në punë, Nikollaj: Qeveria të mbajë premtimet për minierat e Bulqizës
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë organizoi në Bulqizë një seminar me temë “Për sigurinë dhe shëndetin në punë të punonjësve një sfidë për sindikatat shqiptare”. E zgjedhur edhe nga Organizata Botërore e Punës, si dita e punës në të zezë, 7 tetori ka bërë bashkë sindikalistët dhe minatorët të cilëve, Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, u siguroi edhe një herë premtimin e qeverisë aktuale për hapjen e 300 mijë vendeve të punës. Nikollaj tha se ky seminar bëhet për sensibilizimin e sigurisë dhe shëndetit në punë të minatorëve, ku Bulqiza me minierën e saj mbetet mjaft problematike ne këtë drejtim. “Ne me qeverinë e re, do jemi njëherësh edhe partner në mbajtjen e premtimit të dhënë prej saj për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës, por edhe opozitare nëse një premtim i tillë nuk realizohet. Kjo pasi shteti ka për detyrë të sigurojë punë për të gjithë. Qeveria e re duhet urgjentisht të kthejë sytë nga miniera e Bulqizës, për t’i thënë ndal informalitetit dhe mosplotësimit të kushteve të shëndetit dhe sigurisë në punë për minatorët. Jo rritjes së moshës për daljen në pension të minatorëve, reformë në sigurimet shoqërore për të luftuar informalitetin në punë të punonjësve. Kjo është dita që bën apel për punë, siguri dhe shëndet, problematika këto që në minierën e Bulqizës, më e madhja në vendin tonë dhe më gjerë, lënë shumë për të dëshiruar, ndaj edhe miniera juaj edhe në të ardhmen, ashtu si edhe më parë, mbetet gur themeli për vijimësinë e aksioneve sindikale”, – tha Nikollaj.