Projektligji “Për masat kundër financimit të terrorizmit”/ Ndryshojnë rregullat, ministri i Jashtëm informon Kryeministrin dhe kreun e SHISH-it për terrorizmin

0
140

Florenc Drizari

Fatmir Xhafaj: Keqardhje për mungesën e opozitës, shpresoj të jenë në ditët në vijim

 

Komisioni-i-LigjeveKomisioni i Ligjeve miratoi projektligjin “Për masat kundër financimit të terrorizmit” me votat e mazhorancës, ndërsa opozita nuk mori pjesë në mbledhje. Kreu i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj, tha se ndihej i keqardhur për mungesën anëtarëve të opozitës dhe për mosdhënien e kontributit të tyre për projektligjin në fjalë, ndërkohë që në legjislaturën e kaluar, deputetët e djathtë kanë qenë iniciatorë të draftit.

Do të ishte pozitive të ishin këtu edhe kolegët tanë të opozitës, sepse janë iniciatorët e këtij projekti. Jam i keqardhur që ata sot mungojnë në mbledhjen e këtij komisioni, por le të shpresojmë që në ditët në vijim do të jenë më pranë”.

Ndërkaq, projektligji “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, është miratuar në parim në legjislaturën e kaluar me të gjitha votat e komisionit. Nga deputetët e mazhorancës u tha se qëllimi i këtij projektligji është përafrimi i legjislacionit tonë dhe parashikimet e akteve të ndryshme ndërkombëtare porsa i takon, luftës kundër masave për financimin e terrorizmit dhe në të njëjtën kohë, edhe reflektimit ndaj rekomandimeve që bëjnë organizma të ndryshëm ndërkombëtare; kryesisht nga Komiteti Manival nga Këshilli i Evropës.

“Projekti shfuqizon ligjin e mëparshëm nr. 925815.002.7.2004 dhe bën një rregullim të ri ligjor në një fushë që ka një fokus shumë të veçantë siç është ajo e luftës kundër terrorizmit”, – deklaroi një ditë më parë relatorja e këtij drafti, deputetja e PS-së, Ermonela Felaj.

Ndryshimi i parë që sjell ky projekt është dhënia rol e ministrit të Punëve të Jashtme ku do të jetë institucioni që do të vërë i pari në lëvizje Këshillin e Ministrave për sa i takon vendimit për të përfshirë në listën e personave terroristë. Në të njëjtën kohë ai do të verë në dijeni organe të tjera ligjzbatuese, duke filluar që nga prokurori i Përgjithshëm, ministri i Financave, Shërbimi Informativ etj.

Ajo çfarë ndryshon nga ligji i vjetër është që më parë ka qenë Drejtoria e Pastrimit të Parave që nëpërmjet një personi të saj shqyrtonte portalin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për sa i takon listës së personave të shpallur terroristë. Në momentin kur ky portal së bashku me të dhënat bëhet zyrtar, me projektligjin e ri futet në lojë ministri i Jashtëm për arsyes se në Këshillin e Sigurimit, Ministria e Jashtme ka një zyrë përfaqësimi pranë OKB-së, e cila ka mundësi ta marri listën e personave terroristë dhe për ata që nxirren jashtë liste në momentin më të parë. Këtë të dhënë ia paraqet ministrit të Jashtëm i cili vë në lëvizje të gjitha organet e tjera që kanë përgjegjësi në këtë fushë.

Ndryshime të tjera në këtë ligj kanë të bëjnë me një zbatim më të plotë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

 

 

Komisioni i Integrimit miraton ndryshimet në ligjin e mbetjeve

Komisioni i Integrimit miratoi një ditë më parë pa praninë e opozitës ndryshimet në ligjin për “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Nënkryetari i Komisionit, Taulant Balla theksoi se ndryshimet e ligjit parandalojnë futjen e mbetjeve të rrezikshme në vend.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit theksuan rëndësinë e pezullimit të importit, në mënyrë që të nxitet riciklimi në vend, ndërsa ambientalistët kërkuan që pr/ligji të kthehet në ligj për ambient më të pastër. Palët e interesuara theksuan se ndryshimet në ligj përputhen me kriteret e legjislacionit evropian.

Përfaqësuesja e e LSI-së në Komision, Monika Kryemadhi, teksa vlerësoi pr/ligjin kërkoi të dijë nëse janë lejuar me parë importimi i mbetjeve të dëmshme në vend. Fatkeqësisht përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit konstatuan se ka precedentë të futjes së mbetjeve të rrezikshme në vend, por sipas tyre pr/ligji tashmë e korrigjon këtë efekt negativ.

Projektligji i mbetjeve është diskutuar sot pa praninë e opozitës edhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku kryetari Eduard Shalsi theksoi nevojën e hapave emergjente që mbetjet të riciklohen. Sipas Shalsit, pas ndërhyrjes së qeverisë në ligjin për mbetjet, nuk është i nevojshëm referendumi i paralajmëruar nga ambientalistët.

 

Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Presidenti Nishani takon sot krerët e grupeve

Presidenti Bujar Nishani pritet të takojë paraditen e së martës krerët e grupeve parlamentare, Gramoz Ruçin, Edi Palokën, Petrit Vasilin, Shpëtim Idrizin dhe Fatmir Mediun, lidhur me konsultimet për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Nishani do të presë në zyrën e tij krerët e grupeve parlamentare një e nga një.

Sipas njoftimit të Presidencës, bëhet e ditur se, nesër në orën 10:00, Presidenti Nishani takimin e parë e ka me kreun e grupit të PS, Gramoz Ruçi.

Më pas, në orën 10:45, Presidenti Nishani do të presë në takim kreun e grupit të PD, Edi Paloka.

Ndërsa në orën 12:30 do të zhvillohet takimi me kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Takimi me kreun e grupit të PDIU, Shpëtim Idrizi do të zhvillohet në orën 13:30.

Ndërsa takimin e fundit, Nishani do ta kryejë me kreun e grupit të PR, Fetmir Mediu në orën 14:30.

Takimet vijnë në kuadër të zgjedhjes së kreut të ri të Gjykatës Kushtetuese, pas mbarimit të mandatit 3-vjeçar të kryetarit Bashkim Dedja.

Takimi i kreut të shtetit me krerët e grupeve parlamentare nuk i pari. Rreth një vit më parë kreu i shtetit zhvilli takime të veçanta me të gjithë krerët e grupeve parlamentare lidhur me datën e përcaktimit të zgjedhjet të përgjithshme parlamentare, 23 qershorin. Një tjetër takim mes kreut të shtetit dhe kryetarëve të grupeve parlamentare, ka qenë edhe ajo për të caktuar emrin e kryeprokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.