Ervin Kaduku
Sa do të ndikonte rishikimi i vendimeve të qeverisë së mëparshme tek besueshmëria e investitorëve, vendas dhe të huaj, për të investuar në Shqipëri?
Ashtu sikurse është deklaruar edhe më parë nga vetë Kryeministri Edi Rama dhe eksponentë të qeverisë së tij, Këshilli i Ministrave ka ndërmarrë sërish një numër anulimesh të procedurave të prokurimit publik, që janë kryer në fushën e investimeve energjetike. Në një njoftim zyrtar, dje është mësuar se Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar vendimet e mëparshme të Këshillit të Ministrave për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të hidrocentraleve sa më poshtë:
Shfuqizim i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 691, datë 16.8.2013 “Për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Selca 2 dhe Mesmal”;
Shfuqizim i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 754, datë 5.9.2013 “Për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Gjergjovinë”;
Shfuqizim i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 606, datë 24.7.2013 “Për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Viliq”;
Shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 607, datë 24.7.2013 “Për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Kolosjan”;
Shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 608, datë 24. 7.2013 “Për miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë për dhënien me koncesion të hidrocentralit “Kalivar”.
Nga ana tjetër, pas evidentimit, nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik, në krye të së cilës është emëruar ditët e fundit Denar Biba, një nga anëtarët e dorëhequr me motive politike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të shkeljeve materiale dhe procedurale nga ana e Autoritetit Kontraktor gjatë realizimit të procedurave, ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Damian Gjiknuri ka urdhëruar edhe anulimin e procedurës së koncesionit me objekt “Ndërtimi i hidrocentralit Viliq”, e hapur me urdhrin nr. 655, datë 02.8.2013; anulimin e procedurës së koncesionit me objekt “Ndërtimi i Hidrocentralit Kolosjan”, e hapur me urdhrin nr. 655, datë 2.8.2013 dhe anulimin e procedurës së koncesionit me objekt “Ndërtimi i Hidrocentralit Kalivar”, e hapur me urdhrin nr. 655, datë 2.8.2013.
Anulimet e procedurave të këtyre koncesioneve janë kryer, për shkak të aplikimit të gabuar të bazës ligjore, mosrespektimit të afatit kohor për dorëzimin e ofertave dhe mos respektimin e afatit të ankimimit të operatorëve të pakënaqur, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Për tre rastet e mësipërme, Gjiknuri ka urdhëruar edhe analizimin e përgjegjësisë dhe marrjen e masave disiplinore ndaj personave përgjegjës.
Javët e fundit, qeveria dhe dikastere të caktuara kanë nisur anulimin e koncesioneve të dhëna gjatë Ekzekutivit të mëparshëm. Pavarësisht se nuk përjashtohet mundësia që gjatë procedurave të mëparshme të jenë kryer shkelje të natyrave të ndryshme, marrja e karakterit të një fushate nuk do të ishte një sinjal i mirë për ekonominë e vendit, pikërisht në momentin kur nga Rama dhe ministrat e tij flitet për një “arkë bosh” të shtetit.
Konsumi i ulët, inflacioni mbetet nën 2 për qind në shtator
Konsumi i pakët i brendshëm vazhdon të japë efektet e veta mbi inflacionin, që mbetet nën nivelin minimal preferuar nga Banka e Shqipërisë, prej 2 përqindësh. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin shtator 2013, arriti 114.6 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07 = 100), duke shënuar një rritje prej 0.8 përqindësh krahasuar me muajin e mëparshëm, njoftoi Instituti i Statistikave. Ndryshimi vjetor në muajin shtator është 1.7 për qind, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 2.6 për qind, duke qenë nën objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 2-4% dhe duke lënë hapësira për një ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit.
Krahasuar me muajin e mëparshëm, indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 1.6 për qind. Rritja më e madhe prej 7.6 për qind vërehet në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”. Indeksi i nëngrupit “Fruta” shënoi një rritje prej 4.4 për qind.
Indeksi i grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” shënoi një rritje mujore 0.9 për qind, por çmimi i naftës shënoi një ulje 0.3 për qind dhe çmimi i benzinës ulje 0.4 për qind.