Vendimi i KKT-së/ Miratohet projekti i xhamisë së Namazgjasë, anulohet qendra shumëfunksionale pranë saj

0
158

Gëzim Saliu

Kryeministri: Plan të përgjithshëm të territorit, KKT aksion për zotërimin e tij

“Merren në mbrojtje Gjirokastra, Kruja dhe Berati”

Rama KKTKëshilli Kombëtar i Territorit miraton vetëm pjesën e parë të projektit për ndërtimin e objektit fetar të Namazgjasë, ndërsa anulon ndërtimin e qendrës shumëfunksionale pranë saj. Kështu bëri të ditur dje Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së KKT-së, duke theksuar se në territorin e programuar për xhaminë, nuk do të ndërtohet asgjë tjetër veç saj. “Ngjallimi i Namazgjasë, leja ndërtimore komplekse dhe ndërtimi i ndërtesës 3, 4, 6 apo 3 kate nëntokë, KKT, konfirmon pjesën e parë të kësaj leje, ndërkohë që anulon pjesën e dytë të lejes. Pra, i hapim rrugë përfundimisht ndërtimit të objektit të kultit, por kemi këputur bishtin godinë me kate që ka shërbyer për të transformuar atë zonë historike të kryeqytetit me një tjetër arsye për të refuzuar këtë mënyrë të të kuptuarit të zhvillimit në kryeqytet. Aty nuk do të ndërtohet gjë veç objektit të kultit”.

Territori

Një ndër vendimet kryesore të mbledhjes së djeshme të Këshillit Kombëtar të Territorit ishte marrja në mbrojtje e tre qyteteve me vlera kulturore dhe historike për vendin dhe më gjerë, Beratin, Gjirokastrën dhe Krujën. Kreu i qeverisë theksoi se për këto qytete të trashëgimisë kulturore nuk do të jepet asnjë leje ndërtimi për projekte individuale. “Trashëgimia kulturore është në rrezik shumë të madh. Kemi vendosur praktikisht të bllokojmë çdo proces për leje të reja për objekte individuale apo grup objektesh për Beratin, Gjirokastrën dhe Krujën. Berati dhe Gjirokastra janë shembuj të rrallë dhe pjesë e thesarit të trashëgimisë kulturore jo vetëm shqiptare, por dhe botërore. Por paraqesin sot shëmbëlltyrën më kuptimplotë të rrënimit. Gjirokastra sot gjendet në listën e kuqe të UNESCO-s. Do të thotë 18 muaj kohë për t’u rikthyer në listën e vlerave të trashëgimisë botërore apo për të dalë përfundimisht jashtë. Berati dhe Gjirokastra janë pjesë e patjetërsueshme e identitetit tonë. Kemi detyrimin t’i mbrojmë me çdo mjet. Nëse vazhdohet kështu do të zhduken përfundimisht pas gërmadhave të rrënimit. Me vetëdije kemi vendosur të marrim në mbrojtje këto 3 qendra të trashëgimisë tonë kulturore”, – tha Rama. Po ashtu Kryeministri bëri të ditur se nga dita e djeshme ka filluar hartimi i një Plani të Përgjithshëm të Territorit, duke premtuar njëkohësisht plan kombëtar për territorin brenda mandatit qeverisës.“Së fundi, fillimi i procesit për planin kombëtar. Legjislacioni ekzistues parasheh që Shqipëria të ketë një zhvillim me plan të përgjithshëm kombëtar. Ministria e Zhvillimit Urban është ngarkuar të bëjë këtë. Shqipëria, brenda këtij mandati dhe ne shpresojmë që deri në gjysmë të mandatit të ketë një plan kombëtar të territorit. Interesat private nuk do të vendosen më mbi interesat kombëtare dhe ato do të bëhen në funksion të zhvillimit”, – theksoi ai. Nga ana tjetër kreu i mazhorancës pohoi se degradimi i zonave arkeologjike është i padenjë për një popull që aspiron Evropën. “Mungesë e plotë e pranisë së institucioneve. Në gjithë këtë tërësi problemesh, që nuk janë aspak të denja për një vend që zhvillon jetën e tij në mes të Evropës, kemi një dukuri paralele; atë të pronave si pasojë e pronësisë së papërcaktuar mbi tokën, zotërimin e paligjshëm në pjesë të tëra të tokës, përkthyer në ndërtime asetesh të paligjshme, që kanë kërcënuar ndjeshëm të ardhmen dhe nga ana tjetër kanë vendosur në kushte të vështira qendrat ekzistuese urbane”, – deklaroi Kryeministri Rama.

 

 

Nisma

Lirimi i trasesë Tiranë-Durrës

Jashtë vëmendjes së takimit të djeshëm të Kryeministrit me KKT nuk ka mbetur dhe siguria rrugore, ku Rama paralajmëroi lirimin e trasesë Tiranë-Durrës. “Jo vetëm qeveria, por drejtësia. Shqiptarëve u është cenuar siguria e jetës si qytetarë, u është kërcënuar haptas ekonomia e tyre si popull, duke iu grabitur territore në rrugët kombëtare. Duhet lirimi i rrugëve kombëtare, të cilat i kanë bërë të pazhvilluara në mënyrë të qëllimshme dhe burim rreziqesh dhe aksidentesh. Lirimi i trasesë Tiranë-Durrës ku po ndodhin gjëra të paimagjinueshme”, – u shpreh kreu i qeverisë.

 

 

Bulevardi i Tiranës

Kryeministri: Do ta diskutojmë mbledhjen tjetër, zhvillimi i territorit, në interes kombëtar dhe jo privat

I pyetur nga gazetarët në konferencën pas mbledhjes së KKT-së në lidhje me bulevardin e Tiranës, kreu i mazhorancës qeverisëse theksoi se ky projekt do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme. “Do të jetë pjesë e një mbledhjeje tjetër. Sot diskutuam për këto që thashë. Ne do të marrin të gjithë përgjegjësinë tonë për të ndryshuar rrjedhën e zhvillimit të vendit. Ne do të bëjmë që zhvillimi i territorit të shkojë në interes kombëtar, e jo në atë të privatit. Epoka e të fortëve është mbyllur në 23 qershor dhe pas kësaj dite ka nisur një epokë e re dhe njerëzit do të gjykojnë punën tonë”.

 

 

 

G99, me post zv.ministri

Rama: Është pjesë e grupit të rimëkëmbjes së vendit

Përfaqësimi i kreut të Partisë G99, Ervin Mete, me një post zv.ministri në kabinetin qeveritar është cilësuar si një zgjedhje që do të kontribuojë në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit. I pyetur nga gazetarët nëse përfshirja e kreut të G99 mund të shkaktojë xhelozi tek aleatët tradicionalë të së majtës, si Gjinushi dhe Milo, të cilët edhe pse kanë marrë më shumë vota, nuk janë përfaqësuar me ndonjë post deri më tani, Rama iu përgjigj duke pohuar: “Nuk ka asnjë zv.ministër nga ndonjë parti që quhet G99, por janë vendosur në atë që ata ofrojnë në bazë të programit tonë. Shikoni CV e zv.ministrit që kemi vendosur aty dhe ne kemi kërkuar që të jetë pjesë e grupit të rimëkëmbjes së vendit tonë”. Dy ditë më parë, Kryeministri Edi Rama ka emëruar dy zëvendësministrat e Financave, Ervin Mete, jurist, pedagog, kryetar i G99 dhe Erion Luçi, ish-drejtor i Departamentit të Kërkimit në Bankën e Shqipërisë. Zv.ministrat nuk u emëruan me vendim qeverie, por me një procedurë tjetër të quajtur “vendim qarkullues”. Lajmi u bë publik pas publikimit në “Facebook” të një fotografie që Edi Rama kishte dalë me disa nga zv.ministrat. Me dy zv.ministrat numri i tyre i përgjithshme shkon në 25.