Goleadorët që lënë shenjë në historinë e futbollit

0
224

maradona-messi-peleTë shënosh nuk është e thjeshtë. Për të qenë fitimtar para portës duhet të kesh instinkt, talent dhe forcë. Duhet të kesh një shqisë shtesë, që ta ndjekësh topin dhe ta dish se ku do ta çosh. Shumë emra kanë arritur që ta mbartin këtë dhunti ndër vite dhe tani. Ata që shënimin e golit e kanë talent, janë shndërruar në legjenda dhe heronj për klubet për të cilat kanë luajtur apo kombëtaret e vendeve të tyre. Nga Peleja, i cili shënoi 1281 gola në 1363 ndeshje, dhe deri te Lionel Mesi me Ronaldon, të konsideruar sot si lojtarët më të mirë në botë. Edhe lojtarët Diego Maradona apo Ronaldo (Fenomeni) japin një pamje më të mirë të lojtarëve që lënë shenjë në sportin më të ndjekur në planet.

MARADONA – Shënimi i golave nuk ishte arma më e fortë e Maradonës, pasi argjentinasi ishte një plejmejkër, por ai shënoi gjithmonë gola të rëndësishëm. Kjo është edhe arsyeja që ai konsiderohet si një nga futbollistët më të shkëlqyer të të gjitha kohërave. 34 gola në 91 ndeshje me kombëtaren, 258 gola në 494 ndeshje me klubet.

 

PELE – Braziliani si mbreti i futbollit. Tri herë kampioni i botës shënoi gjatë karrierës së tij 760 gola në ndeshjet zyrtare, 541 në kampionate. Në total, Pele shënoi 1281 gola në 1363 ndeshje. Në Brazil, Pele shikohet si një hero kombëtar. Nofka e tij është “O Rei” (Mbreti).

 

FERENC PUSHKASH – Një nga lojtarët më të mëdhenj dhe shënuesi më i mirë me ndeshjet ndërkombëtare: 84 gola në 85 ndeshje. Në total ai shënoi 558 gola në 564 ndeshje. I vetmi peng i tij, nuk fitoi dot Kupën e Botës me Hungarinë.

MISHEL PLATINI – Presidenti aktual i UEFA-s është lojtari francez më i mirë, së bashku edhe me Zinedin Zidanin. Fitoi tri herë “Topin e artë” dhe shënoi 312 gola në 580 ndeshje, disa prej tyre perla të vërteta si me Juventusin ashtu dhe me Francën.

ZIKO – I mbiquajtur shpesh “Pele i bardhë”, Ziko është një nga finalizuesit më të aftë dhe ndoshta një prej lojtarëve më të mirë të fillimit të viteve ‘80. 52 gola në 72 ndeshje me Brazilin dhe pjesëmarrës në tri Kupa të Botës: 1978, 1982 dhe 1986.

HUGO SANÇEZ – Lojtari më i mirë meksikan i të gjitha kohërave. Fitoi pesë herë titullin e golashënuesit më të mirë të Primera Divizionit, katër prej tyre rresht duke u shndërruar në një legjendë te Reali i Madridit. 427 gola në 694 ndeshje me klubet.

GUNAR NORDAHL – 442 gola në 504 ndeshje e shpjegojnë më së miri se përse ai është në këtë listë të përzgjedhur. Në vitet e tij më të mira me Milanin ai u shndërrua në një legjendë. Për Milanin në vitet 1949-156 ai shënoi 210 gola në 257 ndeshje.

 

RONALDO – Braziliani konsiderohet nga shumë ekspertë si një nga sulmuesit më të mirë të të gjitha kohërave. Përpara dëmtimit të tij, ai ishte një makinë e vërtetë golash. Gjithsesi, edhe pas rikuperimit, ai vazhdoi të shënonte me një lehtësi të habitshme. Edhe sot, ai është golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës dhe një legjendë në futboll.

DI STEFANO – Një nga golashënuesit më të mirë në historinë e Realit të Madridit dhe lojtari kyç në fitimin e pesë titujve kampionë të Realit në Ligën e Kampioneve në vitet ‘50. Ai dhe sot vështrohet si nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave dhe sigurisht një golashënues vdekjeprurës. 376 gola në 520 ndeshje për të.

GERD MYLER – Gjermani është një nga sulmuesit më prodhimtarë të të gjitha kohërave me ekipet kombëtare, duke shënuar 68 gola në 62 paraqitje, 364 gola në Bundesligë dhe 66 gola në 74 ndeshje të kompeticioneve evropiane të klubeve. Ai e shpenzoi karrierën e tij te Bajerni i Munihut dhe është gjithashtu golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Kupës së Botës.

RUD VAN NISTELROI – Sulmuesi holandez është pa dyshim një nga finalizuesit më të mirë të të gjitha kohërave, dhe ai rrallë gabon kur i paraqitet një shans. Në 88 ndeshje në kompeticionet evropiane, ai ka shënuar 62 gola, një mesatare që pak lojtarë e kanë. Edhe pse është drejt plakjes, ai vazhdon të shënojë për Hamburgun. Ai është i vetmi që ka qenë golashënuesi më i mirë në tri kampionate të ndryshme: ligën holandeze, Premier Ligën angleze dhe La Ligën spanjolle.

 

EUSEBIO – Konsiderohet si një nga futbollistët portugezë më të mirë të të gjitha kohërave. Fituesi i “Topit të Artë” 1965. Ai ishte golashënuesi më i mirë i Benfikës që fitoi dy kupa evropiane dhe ishte gjithashtu shënuesi më i mirë i Kupës së Botës në vitin 1966 me nëntë gola, duke e udhëhequr Portugalinë në një vend të tretë të shkëlqyer. 863 ndeshje, 809 gola për të në të gjitha kompeticionet.

 

ROMARIO – Braziliani është një prej sulmuesve më të talentuar, i pajisur me dhuntinë e golit. FIFA i njeh zyrtarisht 929 gola, por vetë Romario ka publikuar një listë ku ai ka shënuar në total 1000 gola, i fundit me penallti dhe në moshën 41 vjeç.

 

MARKO VAN BASTEN – Sulmuesi holandez ishte golashënuesi lider i “Dream team” të Milanit, duke dominuar skenën evropiane midis fundit të viteve ‘80 dhe fillimeve të viteve ‘90. Goli i tij legjendar në finalen e Euro 1998-ës konsiderohet nga shumë si një prej golave më të mëdhenj të gjitha kohërave. 218 gola në 280 ndeshje me klubet; 24 gola në 58 ndeshje me Holandën. Është 3 herë fitues i “Topit të Artë”.

 

MARIO ZHARDEL – Sulmuesi brazilian shihet si “gjahtari pa leje” në shënimin e golave. Në Evropë ai luajti për Porton, Gallatasarajin dhe Sportingun, duke shënuar 267 gola në 272 ndeshje. Në sezonin 2001-2002 ai shënoi 55 gola në 42 ndeshje. Ishte golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampioneve në sezonin 1999-2000.

 

FERNANDO PEJROTEO – Sulmuesi i Portugalisë dhe Sportingut të Lisbonës shënoi 371 gola në 187 ndeshje, duke pasur mesataren më të mirë në histori me 2. 17 gola për ndeshje.

RIVALDO – Braziliani e mori përsipër Barcelonën gjatë një prej periudhave më të errëta të saj në shënimin e golave dhe me aftësitë e tij ai e provoi veten si një lojtar kyç. Shënoi 5 gola në Kupën e Botës së vitit 2002, ndërkohë që dha asistet e dy golave të Ronaldos në finalen e kompeticionit.

GERI LINEKER – Sulmuesi anglez ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës me cilindo ekip që ai luajti, por dhe me kombëtaren e Anglisë. Ai ishte shënuesi më i mirë në Kupën e Botës së vitit 1986.

TIERI HENRI – Me 226 gola dhe 92 asiste në 369 ndeshje, Tieri Henri është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave i Arsenalit, duke e udhëhequr atë në tre tituj kampionë. Pas aventurës te Barcelona, aktualisht luan në Shtetet e Bashkuar me Nju Jork Red Bull.

ANDRI SHEVÇENKO – Sulmuesi ukrainas është një legjendë te Dinamo e Kievit dhe Milani dhe është aktualisht shënuesi i tretë më i mirë në historinë e kompeticioneve evropiane të klubeve me 64 gola. Ai fitoi midis të tjerave “Topin e Artë” të vitit 2004.

RAUL GONZALES – Edhe pse mesatarja e shënimit të golave nuk është ajo më e mira, Raul Gonzales është shënuesi më i mirë në historinë e Realit të Madridit dhe i dyti më i mirë në Evropë. Ai është gjithashtu shënuesi i dytë më i mirë i Spanjës.

LIONEL MESI – “Pleshti” është lojtari që mund të ulte nga froni Pelenë me Maradonën. Argjentinasi është një ndër më vdekjeprurësit para portës. Jo fizik i gjatë, por i shkurtër dhe shumë i talentuar. Ka shënuar 223 gola në 252 ndeshje me Barcelonën, duke dhënë edhe 64 asiste. Në moshën 26 vjeç konsiderohet si një nga lojtarët që mund të bëjë diferencën me lojën e tij.

KRISTIANO RONALDO – Portugezi 29-vjeçar është një nga golashënuesit vrasës të ditëve të sotme. Në sezonin 2007-2008 ai shënoi 42 gola për Mançester Junajtidin, ndërkohë që dhe sot ai po e ruan aftësinë për të shënuar edhe te Reali i Madridit: 42 gola në 43 ndeshje në kampionat dhe 54 gola në 57 ndeshje në të gjitha kompeticionet gjatë dy sezoneve të para të tij me Realin. Një mesatare mbresëlënëse për CR7, i cili është në një superformë. Portugezi me lojën dhe golat është një ndër goleadorët që do të lërë shenjën në lojën me top për shkak se talenti por edhe forca e bën një ndër më të talentuarit në planet.

DAVID VIJA – David Vija është shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Spanjë dhe ishte golashënuesi më i mirë në Euro 2008 dhe Kupën e Botës 2010. Mesatarja e tij për gola ka qenë gjatë këtyre viteve impresionuese por sezonin e kaluar nuk pati të njëjtën performancë për shkak dëmtimesh. Mirëpo lojtari vazhdon të mbetet një ndër më produktivitet për kombëtaren spanjolle.