INSTAT: 2008-2012, periudha më pozitive e tregtisë së jashtme

0
172

Ervin Kaduku

 

Në vitin 2012 vërehet një rritje prej 8.2 për qind në eksport dhe ulje prej 2.9 për qind në import. Në vitin 2012 përqindja e mbulimit të importit nga eksporti është 40.3 për qind, nga 36.2 për qind që ishte në vitin 2011

 

eksportet_19Periudha nga viti 2008 deri në fund të 2012-ës zë një vend të veçantë në historinë e ekonomisë shqiptare. Si asnjëherë tjetër, gjatë periudhës 5-vjeçare vërehet një rritje e eksportit dhe ulje e importit të mallrave, duke përjashtuar vitin 2009, ku vërehet rënie si në eksport ashtu edhe në import. Në vitin 2012 vërehet një rritje prej 8.2 për qind në eksport dhe ulje prej 2.9 për qind në import. Në vitin 2012 përqindja e mbulimit është 40.3 për qind, nga 36.2 për qind që ishte në vitin 2011. Kjo është konstatuar në studimin afatgjatë të Institutit të Statistikave kushtuar ecurisë së tregtisë së jashtme të Shqipërisë gjatë periudhës në fjalë. Produktet që dominojnë më tepër eksportin shqiptar për periudhën 2008-2011 janë rieksportet nga për­punimi aktiv i produkteve tekstile dhe këpucët. Në vendin tonë ka shumë ndërmarrje “me fason”, gjë që shpjegon edhe sasinë e madhe të produkteve tekstile dhe të këpucëve që eksportohen. Kurse në vitin 2012 vihet re një ulje të vlerës së këtyre mall­rave duke zënë 29.1 për qind të eksportit. Për vitin 2012 më të eksportuara janë grupmallrat “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” që zënë 35.7 për qind të eksportit.

Në vitin 2012 importi është dominuar nga grupmall­rat “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” duke zënë respektivisht 20.9 për qind dhe 18.5 për qind, të im­portit gjithsej.

Në importin e produkteve bujqësore vlera e importit të grupit të zarzavateve u rrit me 1.1 për qind në vitin 2012, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa importi grupit të frutave u ul me 3.6 për qind në vitin 2012, krahasuar me të njëjtën periudhë.

Partnerët tanë kryesorë edhe në vitin 2012 janë Ita­lia dhe Greqia.

Eksporti dhe importi me Italinë janë rritur gjatë vitit 2012 respektivisht 3.7 për qind dhe 1.4 për qind, kra­hasuar me një vit më parë.

Eksporti me Greqinë është ulur gjatë vitit 2012 me 5.2 për qind, ndërsa importi është ulur me 13.3 për qind, krahasuar me një vit më parë.

Eksporti me vendet e Bashkimit Evropian për vitin 2012 zë 75.5 për qind të eksportit gjithsej, duke u rritur 12.3 për qind, ndërsa importi nga këto vende për vitin 2012 zë 61.9 për qind të importit gjithsej duke u ulur 6 për qind, krahasuar me një vit më parë. Shqipëria vazhdon përpjekjet për të fuqizuar ekonominë e saj në tregun ndërkombëtar nëpërmjet integrimit rajonal. Ky integrim, si një nismë e instituci­oneve ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë, ësh­të zhvilluar në zbatim të parimeve dhe angazhimeve ekonomike e tregtare të përcaktuara në dokumentin zyrtar të Memorandumit te Mirëkuptimit për Liberal­izimin dhe Lehtësimin e Tregtisë, MTL (Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Kroacia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Moldavia).

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve krijon kusht fa­vorizues për shkëmbimin e mallrave mes këtyre vendeve dhe ndikon pozitivisht në zhvillimin e biz­nesit, në zgjedhjet e konsumatorit që do të jenë më të shumta dhe në shkëmbimin kulturor mes këtyre vendeve, sigurohen mundësi më të mëdha për zh­villimin ekonomik të Shqipërisë, mundësi për rritjen e investimeve të huaja, etj. Eksporti në vendet e MTL është rritur në vitin 2012, në krahasim me një vit më parë, 4.4 për qind. Ndërsa importi nga vendet e MTL është rritur në vitin 2012, në krahasim me një vit më parë, 3.2 për qind.

Gjithashtu Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Republikën e Turqisë. Kjo mar­rëveshje hyri në fuqi më datë 01/05/2008, pasi u ratifikua përmes ligjit nr 9733 datë 14/05/2007. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje në 2012 vërehet një ulje prej 7 për qind e eksportit në Turqi dhe një rritje prej 0.6 për qind e importit nga Turqia, krahas­uar me një vit më parë.

 

8-mujor, shpërthejnë eksportet bujqësore

Eksportet e perimeve kanë regjistruar një rritje të shpejtë në 8-mujorin e parë të këtij viti. Të dhënat zyrtare konfirmojnë se gjatë janar-gusht të këtij viti janë eksportuar drejt tregjeve të huaja rreth 1 miliardë lekë perime.

Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja e regjistruar është 67%.

Rritja e eksporteve të perimeve ka qenë shumë dinamike në tre vitet e fundit falë motit më të mirë dhe kthimit të vazhdueshëm të investimeve në bujqësi.

Ekspertët e bujqësisë kanë kërkuar më shumë mbështetje nga qeveria e re për nxitjen dhe mbështetjen e sektorit, që konsiderohet një nga më potencialët në vend.

 

Problematika financiare e shtetit amerikan mban pezull bursat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri tani nuk janë përcaktuar në lidhje me fatin e buxhetit të vet, ndërsa kjo zvarrit negociatat mbi një çështje tjetër tejet të rëndësishme – rritjen e tavanit të borxhit publik të vendit.

Mungesa e lajmeve nga SHBA-ja ka filluar tashmë të drithërojë ethshëm tregjet botërore. Kurse Agjencia Bloomberg parashikon apokalipsin global në qoftë se në Kongresin amerikan nuk do të arrijnë të gjejnë një kompromis përpara 17 tetorit. Deri në atë datë në buxhetin e SHBA-së do të mbeten gjithsej vetëm 30 miliardë dollarë, shumë kjo ekuivalente me default-in teknik të një prej ekonomive më të mëdha në botë. Një nga Agjencitë më të respektuara e më të autoritetshme të informacionit të sferës së biznesit – Bloomberg – parashikon kolapsin e ekonomisë botërore në rast se SHBA-ja do të deklarojë default-in dhe nuk do të jetë më në gjendje të paguajë detyrimet e huaja. Analistët e krahasojnë default-in me falimentimin e Bankës së investimeve “Lehman Brothers” në prag të krizës së vitit 2008, dhe thonë se tani gjithçka do të jetë edhe më keq se atëherë. Në atë kohë kolapsi i Bankës “Lehman Brothers” shkaktoi recesionin më të rëndë që prej periudhës së Depresionit të Madh në Shtetet e Bashkuara dhe u bë pikënisje e krizës globale financiare, nga pasojat e së cilës bota nuk e ka marrë veten deri tani. Në qoftë se SHBA-ja do të rresht së paguari tani llogaritë (faturat e veta) – kjo do të çojë në destabilizim të theksuar të tregjeve të aksioneve që nga Brazili deri në Cyrih, do të ndalojë mekanizmin e kreditit prej 5 trilionë dollarë që ndodhet në varësi të plotë të borxhit publik. Kjo, nga ana e vet, do të shembë me zhurmë monedhën amerikane dhe do të çojë ekonominë globale në “fundin e botës”, sipas Bloomberg.

Hidhet në treg celulari me ekran të lakueshëm

Grupi koreanojugor “Samsung” hodhi dje në tregun kombëtar një telefon celular shumëfunksional me ekran të lakuar, risi teknologjike që synon t’i sigurojë kompanisë vendin e parë në prodhimin e smartfonëve në botë. “‘Galaxy Round’, me përmasa 14,48 centimetra dhe ekran të lakuar u hodh në treg pasditen e djeshme në Korenë e Jugut”, – theksoi një komunikatë e SK Telecom, operatorit të parë celular në vend i cili shpërndan smartfonin. Ekranët e lakuar, më të lehtë dhe më të hollë se ata të smartfonëve të mëparshëm në treg janë kështu në fillimet e tyre dhe më pas qëllimi i ardhshëm do të jetë krijimi i ekraneve elastike që të mund të rrotullohen ose palosen. ”’Samsung Galaxy Round’ i cili funksionon me sistemin operativ ‘Android’ të ‘Google’-it kushton 745 euro ose 1 000 dollarë amerikanë”, – u shpreh kompania “Samsung” me anë të një komunikate pa specifikuar datën e hedhjes në treg për vendet e tjera përveç Koresë së Jugut

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency