Parkut Logjistik i Tiranës, hapen mijëra vende pune, Basha: Kjo është Shqipëria e vërtetë

0
166

 Përfundon faza e parë

Kryebashkiaku: Detyra e politikës është vetëm të krijojë kushte, ambient miqësor dhe garanci për biznesin

 

Parku-3-300x198Ka përfunduar faza e parë e punimeve për projektin “Parku logjistik i Tiranës”, një investim i cili në total kap vlerën e 40 milionë eurove. I pranishëm në inspektimin e punimeve ka qenë dhe kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, i cili i quajti këto investime si një transformim të madh. “Ndërtimi i kësaj faze të projektit punësoi 250 qytetarë, 180 të tjerë janë punësuar ndërkohë në operimin e tij, mijëra të tjerë presin të punësohen. Kjo hapësirë fillon të shërbejë pikërisht për çfarë është ndërtuar, logjistikë dhe jo vetëm për Tiranën por logjistikë për të gjithë rajonin. Dhe kur projekti të ketë përfunduar, brenda kohës dhe me parametrat modernë me të cilat është projektuar, siç përfundon çdo projekt në të cilin kanë marrë pjesë dy investitorët e këtij projekti, mbi 10 mijë qytetarë do të punësohen drejtpërdrejt në këtë ndërmarrje”, – u shpreh kryebashkiaku. Hapësira totale e parkut logjistik të Tiranës do të jetë 200.000 m2 dhe është një nga investimet më të mëdha që po zhvillohet në Shqipëri nga shoqëritë Balfin-Group bashkë me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve. Ky projekt parashikon ndërtimin dhe dhënie me qira të 5 magazinave dhe objekteve industriale të “klasit A”, në zonën më të madhe industriale të Shqipërisë, në autostradën Tiranë-Durrës. Ky investim për kryebashkiakun Basha është një lajm i mirë, për të gjithë ata që janë në kërkim të një vendi pune dhe shenjë besimi tek ekonomia dhe potencialet e Shqipërisë. “Kjo është shenjë e një optimizmi dhe entuziazmi të ndërmarrësve shqiptarë dhe partnerëve të tyre ndërkombëtarë, në këtë rast amerikanë, të besimit tek ekonomia shqiptare, të besimit tek potencialet e Shqipërisë”, – theksoi Basha.

 

Një ekonomi e qëndrueshme

“Shqipëria sot e gjithë ditën, – u shpreh kryebashkiaku, – pavarësisht se në kushtet e një krize globale dhe ekonomike, vazhdon të mbetet një ekonomi e qëndrueshme. FMN foli qartë edhe dje, kur parashikoi rritjen ekonomike për 2013, në 1.7% dhe 2014, 2%. Kjo është e vërteta, kjo është gjendja, rritje ekonomike dhe jo krizë. Modeste por rritje ekonomike! Kjo është Shqipëria e vërtetë dhe jo virtuale, këto janë vende pune reale, kjo është mirëqenie reale dhe e prekshme”

 

Sukses për gjithë Shqipërinë

Ndërsa ka shprehur angazhimin e tij si kryetar i PD-së dhe si kryebashkiak i Tiranës, për të mbështetur sipërmarrjen, Basha theksoi se suksesi i tyre është sukses për gjithë Shqipërinë. “Detyra e politikës është vetëm të krijojë kushte dhe garanci për një ambient sa më miqësor dhe eficient për zhvillimin e këtyre iniciativave. Në detyrën time si kryetar i opozitës dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, dëshiroj të siguroj sërish sot sipërmarrësit e vendit, se ata do të kenë mbështetjen tonë të plotë dhe të gjithanshme në çdo nivel, për të qëndruar, për t’u përballur dhe avancuar në raport me planet e tyre të zhvillimit. Suksesi juaj është sukses i gjithë Shqipërisë. Sipërmarrja e lirë përfaqëson më së miri, me optimizimin dhe guximin e saj, shpirtin krijues, optimizmin e mbarë vendit dhe garancinë më të mirë në progresin e ekonomisë shqiptare. Këto janë vlera pozitive që ju na transmetoni sot neve, drejtuesve dhe përfaqësuesve politikë por janë vlera pozitive që po kështu ne duhet t’i transmetojmë tek ju dhe tek mbarë publiku”, – theksoi kryetari i bashkisë.

Fjalën hapëse në ceremoni e mbajti z. Steven Grunerud, zv.president i grupit Balfin, i cili falënderoi të ftuarit dhe shtoi: “Besoj që në Shqipëri, bizneset duhet të bëjnë një tjetër hap përpara, në cilësinë e menaxhimit të logjistikës. Më shumë vëmendje drejt logjistikës, do të thotë mundësi më të mëdha për të ulur shpenzimet, shkurtuar kohë dhe për të krijuar hapësira më të mira biznesi. Tirana Logistic Park ta ofron këtë mundësi, duke ndarë shpenzimet e logjistikës, eksperiencës në menaxhim dhe shërbime për të arritur rezultate më të mira. Me të vetmin degëzim hekurudhor të dedikuar në Shqipëri brenda një objekti të tillë, Tirana Logistic Park do të ofrojë forma të ndryshme të distribucionit dhe transportit”.

 

 

Dita e Shëndetit Mendor, mjekët, më të vëmendshëm ndaj simptomave

 Në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit Mendor, mjekët psikiatër bëjnë thirrje për më shumë vëmendje nga mjekët parësore ndaj simptomave tek pacientët e tyre, pasi, sipas tyre, arritja deri tek psikiatri është shumë e vështirë për njerëzit. “Depresioni është një sëmundje që prek të gjitha grupmoshat. Ndodhë që depresioni mund të kalojë pa u konstatuar. Kur kalohet në formë të lehtë manifestohet me prishje gjumi, lodhje. i bëhet apel mjekëve të parësorit që të jenë më të vëmendshëm kur shohin simptoma të tilla tek pacientët. Njerëzit e kanë shumë të vështirë për të kërkuar psikiatrin”, – tha mjekja psikiatre Fatmira Elezi. Në aktivitetin e zhvilluar sot me këtë rast, Avokati i Popullit, Igli Totozani, preku problematikën e shërbimeve psikiatrike nëpër institucionet ku personat vuajnë dënimin. “Është problem i madh psikiatria në burgje. Të gjithë ata pacientë me mjekim të detyrueshëm gjenden sot me regjime burgjesh, çka është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut. Duhet gjetur zgjidhje për këto probleme për gjetjen e zgjidhjeve të këtyre probleme që janë të drejtpërdrejta të lidhura me të drejtat e njeriut”, – tha Totozani. Sipas statistikave, 1 në 4 persona preket gjatë jetës nga një çrregullim mendor dhe më të shpeshtat ndër to janë ankthi, humbja e humorit dhe depresioni. Por në vendin tonë, dihet se paragjykimi dhe më pas përjashtimi janë prezente tek personat e prekur nga këto çrregullime. “Nuk është thjesht një dhomë rekreative, është një koncept, të cilin me ndihëm e aktorëve të tjerë ne do ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë. Në emër të ministrit të Shëndetësisë dëshiroj të ftoj të gjithë aktorët e shoqërisë civile, apo edhe aktorë të tjerë, për të kontribuar në këtë fushë, sepse është një nga mënyrat më efikase për të luftuar stigmën dhe diskriminimin”, – tha zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.

 

Malaj: Fond të posaçëm për kërkimin shkencor

Kërkimi shkencor në Shqipëri duhet të mbështetet si me një buxhet më të lartë, por edhe me infrastrukturë në universitete. Laboratorët e ngritur plotësojnë kriteret e Bashkimit Evropian, por ende vendin tonë e pret një rrugë e gjatë në zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor, si dhe të rritjes së numrit të studentëve që merren me punë kërkimore . Kjo ka qenë deklarata e zv.ministres së Arsimit Nora Malaj, gjatë një takimi të mbajtur në Tiranë, me fokus bashkëpunimin mes institucioneve suedeze dhe atyre shqipfolëse në fushën e kërkimit shkencor. “Shqipëria ka ende një rrugë të gjatë përpara për të realizuar një nga objektivat strategjikë të Bashkimit Evropian, Evropa 2010 ku ka vendosur që me mobilitetin e studentëve në hapësirën evropiane të kapë shifrën 20% të studentëve së paku deri në 2020. Kjo është një sfidë tjetër e radhës që universitetet tona i vë përballë standardit dhe sfidave për të përballuar integrimin në procesin e mësimit, por edhe integrimin në procesin e kërkimit” – tha Nora Malaj, zv.ministre e Arsimit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency