Sonja Caka
Akuzat e Esmeralda Thimos
Hakmarrja e deputetit të PS-së për ikonën e Onufrit futi në burg burrin tim
Gruaja rrëfen arrestimin e të shoqit, Gjergjit, marrjen e licencës së tij në vitin 1996 dhe hapjen e 6 ekspozitave me këto ikona, si dhe refuzimin që i shoqi i bëri një deputeti aktual të PS-së për t’i shitur Onufrin
“Gjergji është një koleksionist me licencë, jo një trafikant. E bënë kurban, pse refuzoi të jepte ikonën e Onufrit”. Ky është reagimi i parë në media nga persona të familjes së Gjergji Thimos, i arrestuar dhe i akuzuar për vjedhje me qëllim trafikimi të një thesari të vërtetë veprash arti. Tepër e tensionuar për akuzat ndaj të shoqit, të cilat ajo i quan spekulime dhe të padrejta, Esmeralda Thimo sqaron të vërtetën e saj për të shoqin, Gjergjin, dhe veprat e artit, të cilat gjendeshin prej vitesh në banesën e saj. Madje, gruaja e të arrestuarit nuk ngurron të akuzojë se pas këtij operacioni “të pazakontë” të deklaruar në media, fshihet hakmarrja e një deputeti të PS-së, i cili i ka bërë një sërë ofertash në shtëpi të shoqit për t’i blerë ikonën e Onufrit dhe Gjergji ka refuzuar, duke mos pranuar asnjë lloj çmimi për ta shitur. Gruaja rrëfen se pikturat nuk kanë qenë fshehur, pasi disa herë i shoqi i ka publikuar nëpër ekspozita apo janë bërë publike edhe në emisione apo dokumentare në media. Gjithçka, sipas Esmeralda Thimos, është një sajesë, një kurth nga personi që donte Onufrin.
Licencimi
E pyetur për arrestimin e të shoqit, kush është ai dhe lidhja me veprat e artit të gjetura në banesë, gruaja e tij shprehet: “Gjergji është licencuar në 1996 nga ministria dhe me vendim gjykate, madje një pjesë e ministrave dhe qeveritarëve kanë marrë pjesë edhe nëpër ekspozitat që ka hapur burri im. Të gjitha veprat që ai dispononte, kanë qenë të grumbulluara, por edhe të trashëguara nga ana e babait të tij, i cili ka mbaruar të njëjtën shkollë me Janullatusin”. Më tej në rrëfimin e saj, Esmeralda tregon: “Gjergji i ka ruajtur vetë të gjitha dhe i ka mirëmbajtur me shpenzimet e veta. Madje, ai herë pas here i ka bërë kërkesë për hapjen e një muzeu Qendrës së Inventarizimit, por nga ana e tyre nuk ka pasur asnjë përgjigje pozitive, pasi i thoshin që nuk kishin fonde të mjaftueshme”. Esmeralda Thimo vijon të tregojë për të shoqin, duke u shprehur: “Në vitin 1996, Gjergji ka marrë licencën për Muze Privat të Kulturës Shqiptare, ndërsa sot është në pranga si trafikant. Nëse burri im do të ishte trafikant, grabitës dhe këto akuza do të ishin të vërteta, atëherë unë nuk do të rrija të punoja tërë ditën dhe tërë natën në këtë lokal, ku ju më shikoni. Gjergji i ka pasion ikonat dhe është koleksionues. Ai është një figurë mjaft e njohur për botën e artit dhe ka hapur shumë herë ekspozita me gjithë afresket dhe veprat e mbledhura. Ai i ruan ato me shumë fanatizëm dhe kishte një përkujdesje maksimale, duke iu angazhuar totalisht”. Më tej, gruaja na rrëfen se Gjergji nuk e ka pasur mundësinë financiare për t’i kuruar apo më mirë restauruar ato, por vetëm për t’i ruajtur. “Mundësia financiare për t’i mbajtur dhe për t’i restauruar ka qenë e vogël. Disa prej veprave kanë qenë në një prej dhomave të lokalit, pasi në shtëpi nuk kishte vend për të gjitha”, – shprehet gruaja e të akuzuarit si trafikant i veprave të artit.
Arrestimi
Më tej, Esmeralda na shpjegon edhe detaje përr natën e operacionit të policisë. “Natën e ngjarjes unë isha me një shoqe duke pirë kafe, ndërsa Gjergji pasi bëri pazaret, vajti me vrap në shtëpi, pasi kishte gjithmonë merak për veprat e artit se mos i grabisnin. Një furgon policie ndaloi para lokalit dhe 20 veta erdhën brenda. U tremba dhe u thashë se çfarë po kërkonin. Ata më thanë se kishin ardhur për problem droge dhe më pyetën se ku ndodhej Gjergji. E trembur i thashë që ne nuk merremi me drugë dhe burri im kishte dalë. Më pas, ata u drejtuan tek ajo dhoma, ku iu thashë se ndodheshin disa nga veprat e artit, dhe më kërkuan që ta hapja. I thashë se aty janë disa materiale të punës së Gjergjit dhe se çelësin e kishte im shoq me vete. Vajtën lart në banesë ku ndodhej Gjergji me djalin dhe morën çdo gjë që gjetën. I pyeta nëse kishin mandat kontrolli ose vendim gjykate dhe të ma tregonin, por njëri prej tyre m’u përgjigj: “Ik shporru, se do të të nxjerr jashtë”. Policia mori çdo gjë që gjeti, madje më morën edhe një vazo me lule pa pikë vlerë kulturore dhe një qëndismë në mur, që kishte bërë ime gjyshe. Kishte mbetur vetëm që të më merrnin edhe mua me vete”, – vijon të rrëfejë me detaje ajo.
Akuzat
Më pas ajo hedh dyshime se gjithçka mund të ishte e kurdisur. “Ata nuk kishin as mandat kontrolli, asgjë dhe për mua kjo situatë është e kurdisur, por nuk mund të shprehem pa u këshilluar me avokatin tim. Mund t’ju them se është e lidhur me njërën nga ikonat e Gjergjit, bëhet fjalë për ikonën e Onufrit, të cilën ai ka refuzuar që ta japë”. Më pas ajo shprehet edhe për mënyrën se si i shoqi siguronte këto vepra arti. “Gjergjit vinin ia sillnin veprat dhe ai i blinte, një pjesë ia dhuronin. Madje, edhe për ato vepra që janë shitur jashtë vendit, është vënë në dijeni edhe Qendra e Inventarizimit, duke u zbatuar rregullat. Ka qenë vetë Teodor Laço, i cili në 1996 i dha Gjergjit licencë për muze”. Esmeralda na rrëfen edhe për ekspozitat që ka hapur i shoqi, duke u shprehur: “Në total, Gjergji ka hapur nja 6 ekspozita dhe e para është në vitin 1999. Gjergji është Muzeu i parë i Etnografisë dhe u bë kurban, pasi i deshën veprën e Onufrit dhe nuk pranoi ta jepte”. Por, gruaja hedh akuza të rënda edhe ndaj kreut të Qendrës së Inventarizimit, duke u shprehur: “Madje, burri im ka kërkuar ndihmën e Qendrës së Inventarizimit dhe i ka kërkuar disa herë që ta ndihmonin, pasi nuk i përballonte dot t’i mbante të gjitha veprat. Ai drejtues ka qenë në dijeni dhe s’ka reaguar fare. Burri im ndodhet në qeli për diçka që s’e ka bërë dhe personin për të cilën e akuzojnë si bashkëpunëtor, ne nuk e njihnim fare dhe as kemi lidhje me të”.
Reagimi i Artemisa Thimos në “Facebook”
Për ikonat e gjetura në banesën tonë janë bërë emisione të shumta
Në faqen e avokatit Altin Goxhaj në rrjetin social “Facebook”, ka reaguar edhe vajza e Gjergji Thimos, i arrestuar mbrëmjen e së martës në banesën e tij. Ja ç’thotë e bija e tij, Artemisa Thimo, në një prononcim në profilin e Goxhajt: “Gjithë jeta e këtij njeriu (jo se është babai im dhe hajde të them dy fjalë të mira) i është dedikuar mbrojtjes dhe restaurimit të ikonave. I grumbullonte në bazë të një licence që i ishte dhënë shumë vite më parë nga shteti. Nuk kishte asgjë të jashtëligjshme, këtë e tregojnë edhe ekspozitat e shumta të bëra ndër vite, ku të pranishme kanë qenë mediat dhe shumë personazhe publike, përfshirë këtu dhe ato politike. Shumë emisione janë bërë për këto ikona, theksoj emisione të kërkuara nga vetë Gjergji Thimo, ku kërkonte ndihmë nga shteti, sepse nuk kishte ku t’i mbante. Kërkonte një vend ku të ndërtonte një muze modest në mënyrë që kushdo të kishte mundësi t’i shikonte por edhe t’i ruante në kushte sa më të mira, sepse një artdashës e di shumë mirë që ato ikona duhen kushte qoftë për t’i mbajtur, qoftë për t’i restauruar. Më kujtohen shumë net kur shikoja babain tim që me plot pasion i pastronte ato ikona dhe më fliste diçka mbi to apo mënyrën si ishin punuar. Më thoshte se ndoshta një ditë dikush do interesohej ta ndihmonte të ngrinte atë muze që aq shumë e dëshironte… Ndërsa dje kam parë ato ikona të hedhura mjerisht nëpër furgonë dhe lexova të tmerrshmen tragjiken fjalë “trafikant”. Kujt ia trafikonte???? Një trafikant nuk del hapur dhe bën të gjitha ato që përmenda më lart? U quajt bazë trafikimi shtëpia e tij në “Don Bosko”??Cila bazë??? Ajo ishte shtëpia ku ai jetonte dhe normalisht atje i kishte dhe ikonat dhe këtë e dinin të gjithë, sepse ajo shtëpi shumë herë ka dalë në televizor në shumë emisione. Por, është më e bukur për shqiptarët të besojnë se njeriu që para 10 vjetësh a më shumë në një nga emisionet e Saimir Kumbaros “Heronjtë e Shqipërisë” u quajt hero, sot të quhet trafikant…”
Hetimi
Sot masa e sigurisë në Gjykatë, prokurorët kërkojnë “Arrest me burg”
Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar dje në Gjykatë kërkesën për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të arrestuarve të dyshuar për “Trafikimin e veprave të artit” të sekuestruara në orët e vona të ditës së martë. Sipas burimeve nga akuza, për të dyshuarit Gjergji Thimo dhe Arben Spaho, prokuroria do të kërkojë nga Gjykata e Tiranës caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. Të dyshuarit, Thimo dhe Spaho, nuk kanë preferuar të japin shumë hollësi për ikonat e sekuestruara në banesat e tyre. Ata kanë pretenduar se janë pronarë të ikonave dhe veprave të tjera dhe nuk kishin qëllim trafikimin apo shitjen, por do t’i ekspozonin në një muze që pritej të hapnin. Sipas prokurorisë, janë inventarizuar të gjitha ikonat dhe veprat e artit të sekuestruara, që mendohet se 90% e tyre janë të vjedhura në kisha të ndryshme në Qarkun e Korçës në Shqipëri, në Maqedoni e Greqi. Sipas procesverbalit të sekuestrimit, janë 229 ikona të kishave me përmasave të ndryshme, që dyshohet se janë të vjedhura në kisha të ndryshme në Shqipëri, Maqedoni e Greqi. 4 piktura murale të konservuara, që dyshohet se janë vjedhur në Kishën e Voskopojës, 522 piktura bronzi, të cilat i përkasin periudhës së mesjetës dhe 322 objekte të ndryshme. Grupi hetimor mësohet se do zgjerojë hetimet edhe ndaj zyrtarëve të Qendrës së Inventarizimit të Pasurisë Kulturore, të cilët kanë pajisur të dyshuarit me pasaporta të pronësisë së veprave dhe kanë bërë regjistrimin e tyre. Ndërkohë, prokurorët saktësuan se policia nuk është autorizuar të publikojë provat materiale, të cilat janë sekuestruar në banesat e të dyshuarve.