Gëzim Saliu
Kreu i grupit parlamentar LSI-së, Vasili: Takimi, demonstrim i pjekurisë politike dhe mesazh i mirëpritur nga partnerët evropianë
Zgjidhja e debatit politik për ligjin e nëpunësit civil mund të vijë nga një takim mes Kryeministrit të vendit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Kështu propozoi dje Lëvizja Socialiste për Integrim përmes kreut të saj të grupit parlamentar Petrit Vasili, i cili theksoi se takimi i dy liderëve politikë do të sillte vetëm rezultate pozitive për një çështje madhore siç është ligji për nëpunësin civil. “Ne vlerësojmë se është një moment i rëndësishëm për të rivendosur dialogun mes mazhorancës dhe opozitës, dialog, i cili në mënyrë të natyrshme çon në zgjidhjen e problemeve dhe nuk ushqen krijimin e distancave të largëta, të panevojshme, të cilat kanë shoqëruar politikën shqiptare në vite të tëra. Ne e gjejmë të udhës të promovojmë idenë e një takimi mes mazhorancës dhe opozitës në nivel të kryetarëve, pra të Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për të eksploruar një dakordësi në mënyrë që ky ligj shumë i rëndësishëm, i cili ka qenë produkt i një konsensusi dhe dakordësie politike të vazhdojë të jetë i tillë edhe në këtë akt”, – u shpreh Vasili.
Deklarata
Nga Kryesia e Kuvendit, deputeti i LSI-së e cilësoi aktin normativ të qeverisë për Nëpunësin Civil si një akt që përforcon efektin e tij shumë pozitiv lidhur me konsolidimin e administratës dhe shërbimit civil. Por duke marrë shkas nga kundërshtia e opozitës lidhur me këtë akt, Vasili theksoi se takimi mes kryeministrit dhe kreut të PD-së do të ishte një hap i madh përpara në kuadër të dialogut dhe konsensusit. “Një takim i tillë ne mendojmë se do të ishte shumë i rëndësishëm për të stabilizuar dhe për të futur në hullinë e dialogut politik mazhorancën dhe opozitën për çështje madhore, kur ato janë të detyruara në kuptimin më të mirë të kësaj fjale të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, e në mënyrë të veçantë për ato çështje që janë çështje madhore. Një komunikim i tillë, një takim i tillë përveçse do ti jepte një përgjigje pozitive kësaj çështjeje e cila e kërkon dhe e ka të mirëkuptuar e të pranuar një konsensus të gjerë do të ishte një demonstrim edhe i pjekurisë politike, e cila nuk ka munguar të shfaqet edhe në momentin e miratimit të tij në Majin e këtij viti, por do të ishte dhe një mesazh shumë I mirëpritur dhe nga partnerët evropianë, të cilët e shikojnë dhe e vlerësojnë dialogun si një nga elementët thelbësorë të një politike që funksionon, të një demokracie që funksionon”, – u shpreh kreu i grupit parlamentar të LSI-së, duke shtuar se si çështja madhore të aktit normativ të ligjit për Nëpunësin Civil si edhe për reforma të tjera madhore, janë çështje që shkojnë përtej mandateve qeverisëse dhe kërkojnë në mënyrë të domosdoshme një dialog të natyrshëm pozitë dhe opozitë. Në një mbledhje qeverie të një jave më parë, Këshilli i Ministrave vendosi nxjerrjen e aktit normativ i cili shtyn me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit të Nëpunësit Civil. Kjo vendimmarrje sipas mazhorancës ishte e domosdoshme për shkak të mungesës së akteve nënligjore të ligjit të nëpunësit civil. Ndërkohë që opozita e djathtë e ka cilësuar aktin normativ të qeverisë si thyerje të konsensusit të arritur më parë mes palëve në seancën e 30 majit në Kuvend, ku u votuan tri ligjet e Brukselit. Sipas opozitës, qëllimi i mazhorancës me aktin normativ është spastrimi i administratës dhe emërimi i militantëve partiakë.
Rama kërkon konsensusin. Basha: Tërhiq aktin normativ
Kryeministri i vendit Edi Rama deklaroi dy ditë më parë në seancën parlamentare se po i jep kohë opozitës të reflektojë dhe të japë konsensusin e duhur për aktin normativ të qeverisë lidhur me shtyrjen me 6 muaj të ligjit të nëpunësit civil. Sipas Ramës, mazhoranca mund të përdorë forcën e kartonëve, por më shumë se kjo dëshiron mirëkuptimin për konsensus nga opozita. “Forca numerike nuk na mungon, na e njeh edhe Kushtetuta, por kërkojmë mirëkuptimin e opozitës lidhur me aktin normativ për ligjin e nëpunësit civil”, – tha Rama. Ndërkohë në përgjigje të thirrjes së kryeministrit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh: “Duke iu përgjigjur deklaratës së kryeministrit nga foltorja e Kuvendit, i them tërhiq katin normativ dhe fut në zbatim ligjin për nëpunësin civil. Tërhiq këtë thikë që i ngule pas shpine konsensusit”.
Negociatat për nëpunësin Celibashi dhe Gjosha takojnë Idrizin
Diskutimi i aktit normativ për statusin e nëpunësit civil ka mbledhur dje në një takim Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, së bashku me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha dhe kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Në këtë takim sipas ministrit Celibashi është theksuar nevoja për gjithëpërfshirje dhe konsensus për këtë Akt themeltar për ndërtimin e një administrate publike të baraslarguar nga interesat politike. “Sapo përfunduam së bashku me kolegen Klajda Gjosha, Ministre e Integrimit Europian, një takim të rëndësishëm me kryetarin e PDIU, z. Shpëtim Idrizi në lidhje me rëndësinë e pjesëmarrjes në Kuvend gjatë diskutimit të Aktit Normativ për statusin e Nëpunësit Civil, të shtyrë dje në Kuvend. Mbetemi optimistë për bashkëpunimin e faktorëve të opozitës në diskutimin e Aktit në Kuvend”- shkruante ministri Celibashi në rrjetin social “Facebook”.
Ministrja e Inovacionit Harito: Pa aktin normativ, administrata do ishte më pak e mbrojtur
Ministrja për Inovacionin e Administratën Publike, Milena Harito deklaroi dje se akti normativ i qeverisë për nëpunësin civil është politizuar nga opozita shqiptare, pasi sipas saj nëse ligji do zbatohej, në kushtet kur i mungonin aktet nënligjore, administrata publike do të ishte më pak e mbrojtur. “Nëse do zbatohej, nëpunësit civilë do të ishin në një boshllëk juridik total, do të ishin më pak te mbrojtur seç janë në situatën e sotme. Ne kemi lënë në fuqi një ligj me të cilin ka funksionuar shteti shqiptar. Ne më shume po i mbrojmë nëpunësit civil. Ligji ishte i pazbatueshëm në gjendjen që e gjetëm”, – deklaroi Harito në një intervistë për “News 24”. Sipas ministres së Inovacionit, rreth 30 nene të ligjit për nëpunësin civil kërkojnë akte nënligjore. “Sapo mbërrita në zyrë kërkova ndihmën e Komisionit Evropian, Sigma, për këtë çështje. Ata na rekomanduan të shtyjmë efektet e ligjit, ta linim hyrjen në fuqi, pikërisht sepse ishte një ligj me 3/5 dhe thjesht të shtynim efektet e ligjit më tej. Treguam vullnetin e qartë që nuk duam të prekim ligjin me 3/5 por thjesht të shtyjmë efektet pasi ligji ishte i pazbatueshëm”, – deklaroi Harito.