Banka Botërore thotë se Evropa Lindore dhe Azia Qendrore kanë treguar shenja të ripërtritjes nga pengesat ekonomike, që i kishin përjetuar gjatë krizës globale financiare dhe asaj në eurozonë. Por, ekonomistët në takimet vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të premten në Uashington, po ashtu kanë thënë se rajoni e ka pasur “ripërtëritjen më të ngadalshme të rritjes”, në krahasim me rajonet e tjera në botë dhe mbetet e ndjeshme ndaj rreziqeve. Laura Tuck, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, tha se dalja e ngadalshme e Evropës Perëndimore nga recesioni ka pasur “efekt të vogël” në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe ato të Azisë Qendrore. Projeksionet e Bankës Botërore janë se rajoni do të ketë “rritje modeste në shkallë prej 2.2% në vitin 2013 dhe 3.1% në vitin 2014”. Laura Tuck, po ashtu, theksoi se shkalla e rritjes së projektuar në vendet e dala nga ish-Bashkimi Sovjetik, është 2.4% të GDP-së për vitin 2013, megjithëse ekonomia e Rusisë është zvogëluar në shkallën 1.8% të rritjes. Më tutje, zonja Tuck tha: “Pra, lajm i mirë është, siç thashë, se ekonomia evropiane është kthyer. Lajm i keq është se rreziqet financiare, përfshirë edhe nga këtu në Shtetet e Bashkuara, po shfaqen. Pas sugjerimit të shefit të Rezervave Federale të Shteteve të Bashkuara, Ben Bernake, në muajin maj të këtij viti, se mund të ketë ulje, kapitali që ka rrjedhur në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore, është tharë, të ardhurat kanë lëvizur lartë, rezervat kanë rënë me të shpejtë dhe monedhat janë dobësuar”. “Kjo ka pasur ndikim në ato vende të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe Azisë Qendrore, me deficitin më të madh në xhirot, që janë të ndjeshme në hyrjet, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, Armeninë dhe Bjellorusinë”, tha Laura Tuck. Ajo tha se vendet në këto rajone duhet të ballafaqohen me “realitetin e ashpër” që problemet qendrore në ekonomitë e tyre janë të natyrës strukturore dhe kërkojnë zgjidhje vendëse. Në këto zgjidhje përfshihet nevoja për të punuar në krijimin e vendeve të reja të punës, shqyrtimin e çështjes se popullata po vjetrohet dhe menaxhimi më i mirë i burimeve natyrore. Hans Timer, shef ekonomik në Bankën Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore, tha se vendet e këtij rajoni “duhet të ndërmarrin reforma dhe politika për përmirësimin e ambientit për firmat e reja dhe ato ekzistuese për zhvillim dhe krijim të vendeve të punës, dhe për t’i mbështetur punëtorët, që më tepër tu përshtaten kërkesave të reja, në mënyrë që eventualisht do të mund të angazhoheshin në mundësi të reja punuese”. Për Rusinë, zonja Tuck, tha se sfidë është që të bëhet më kompetitive dhe t’i nxisë investimet. “Sfida më e rëndësishme për Rusinë tash është që t’i shqyrtoj çështjet e strukturës jo-kompetitive në ekonomi dhe të ndryshoj nga modeli, i cili ishte shumë i fokusuar në stimulimin e kërkesave vendëse në atë që të shqyrtohen sektorët jo-kompetitivë, e veçanërisht, për të bërë përpjekje për zhvillimin e më tepër investimeve në ekonomi”, tha Tuck. Për sukses në afat më të gjatë, ekonomistët thanë se vendet në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, “duhet të ndërtojnë institucione më të mira”.
*Marrë nga Radio Evropa e Lirë