2000 euro për të kaluar brigjet e Mesdheut

0
152

Speciale/ Sa para duhen për t’u strehuar në Perëndim; Refugjatët dhe rrugët e tyre drejt fortesës Europë

 

Ata vijnë nga Afganistani, Mali apo Siria. Të nxitur nga uria dhe varfëria braktisin vendlindjen e marrin udhët për një jetë më të mirë në Europë. Por shumica e këtyre itinerareve janë mjaft të rrezikshme.

 

anijeNë vitin 2012 rreth 300.000 vetë kërkuan azil në BE. Mes BE-së dhe vendlindjes së refugjatëve qëndrojnë qindra e mijëra kilometra. Nga rajonet e krizës dhe luftës në botë, refugjatët vijnë kryesisht përmes katër drejtimeve në kufijtë e jashtëm të BE-së. Shumica përdor rrugën detare përmes Mesdheut. Në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë punonjësit e agjencisë së BE-së për ruajtjen e lufijve, Frontex kapin shumë klandestinë, që përpiqen përmes rrugës tokësore të hyjnë në BE. Drejtime të tjera të ardhjes në BE janë përmes Libisë dhe Tunezisë drejt Italisë e Maltës, apo përmes Algjerisë e Marokut në Spanjë. Një drejtim tjetër është edhe rruga përmes Ballkanit.

 

Eurosur – cinizëm i pastër?

Harald Glöde, drejtues i filialit të Berlinit të organizatës “Borderline Europe” thotë se “momentalisht frekuentohet më shumë rruga përmes Mesdheut, pra ardhja në Lampeduzë dhe Sicili. Fillimisht frekuentohej më shumë rruga ballkanike nga Shqipëria në Itali, por më vonë rruga përmes Mesdheut fitoi peshë, megjithëse një udhë mjaft e rrezikshme. Shumë refugjatë kanë humbur jetën. Vetëm tragjedia e rëndë e tetorit 2013, ku humbën jetën më shumë se 270 vetë, tregoi se sa të rrezikshme janë këto rrugë dhe sa të dëshpëruar janë refugjatët që i hyjnë kësaj aventure.

Një teknikë e re satelitore e Bashkimit Europian, European Border Surveillance System, (Eurosur) do t’i lokalizojë më shpejt varkat shpesh të tejmbushura në Mesdhe. Ajo do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti. Organizatat për te drejtat e njeriut kritikojnë se këto teknika shërbejnë më shumë për të ruajtur Europën nga emigrantët ilegalë. Harald Glöde mendon se përmes kësaj politike izolimi edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të humbasin jetën refugjatët në Mesdhe. “Eurosur do të bëjë që refugjatët të marrin varka më të vogla, që të mos kapen nga satelitët”, mendon Harald Glöde. Deklaratat se Eurosur do të shpëtojë jetë, janë për ekspertin cinizëm i pastër.

 

1000 deri 2000 euro për të kaluar brigjet e Mesdheut

Organizata Ndërkombëtare për Migrimin vlerëson se në dhjetë vitet e fundit 20.000 vetë kanë humbur jetën në përpjekje për të ardhur në Europë. Shifra mendohet të jetë shumë më e lartë. Bernd Hemingsay nga kjo organizatë pret megjithatë efekte pozitive nga survejimi përmes Eurosur. “Po qe se Eurosur ia del të ndalojë emigrantët që të mos marrin anije të vogla të papërshtatshme për daljen në det të hapur, kjo është pozitive.” Ai thekson se përmes kësaj do të reduktohet edhe kriminaliteti i organizuar. Refugjatët vetë kërkojnë kontrabandistë për t’i transportuar. Shpesh ata duhet të paguajnë shuma nga 5000 deri në 10.000 euro. Vetëm kalimi i Mesdheut kushton aktualisht 1000 deri në 2000 euro. E gjitha pa garanci që klandestini do ta mbijetojë aksionin për kalimin e Mesdheut.

 

Me avion drejt Europës

“Këta kontrabandistë janë pjesë e kriminalitetit të organizuar. Ata reagojnë shpejt dhe pikërisht kjo e bën mjaft të vështirë kontrollimin e situatës”, thotë Bernd Hemingëay. Edhe kur të fillojë survejimi i rreptë i Mesdheut përmes Eurosur, kontrabandistët do të gjejnë rrugë të tjera. Aktualisht kjo organizatë ka zbuluar përdorimin e një rruge të re drejt Europës: Përmes Detit të Zi në Rumani dhe Bullgari. Refugjatët sirianë janë ata që e përdorin më së shumti këtë rrugë. Politika e izolimit e BE-së i çon refugjatët në duart e kontrabandistëve, kritikon Harald Glöde nga Borderline Europe. Këta njerëz nuk kanë asnjë mundësi legale të hyjnë në Europë.

Shumë klandestinë zgjedhin edhe një rrugë tjetër. Sipas të dhënave të organizatave për të drejtat e njeriut, rreth 70-80% e tyre vijnë me vizë turistike në BE- dhe nuk kthehen më. Pas skadimit të saj, ata kërkojnë azil ose qëndrojnë ilegalisht në vend. Ekspertët janë të një mendimi në një çështje: Po qe se nuk krijohen rrugë legale të futjes në Europë, njerëzit do të vazhdojnë të rrezikojnë jetën në përpjekje për të ardhur në Bashkimin Europian.