Shkrimtari: Opozita dhe pozita nuk duhet të mendojnë për hakmarrje, por të ndërtojnë një marrëdhënie autor-redaktor
Në 82-vjetorin e lindjes, shkrimtari i njohur shqiptar Dritëro Agolli mori dje urime të shumta nga miq, të afërm si edhe nga përfaqësues të shumtë të jetës politike në vend. Në bashkëbisedimin me vizitorët e tij në shtëpi, Agolli rrëfeu për jetën, krijimtarinë, gazetarinë, duke mos lënë jashtë vëmendjes dhe porositë për politikën. Lidhur me përplasjen kryesore mes mazhorancës dhe opozitës për ligjin e nëpunësit civil, shkrimtari deklaron se nëse një ditë do të hiqet dorë nga ndryshimi i administratës me ngjyrime politike, vendi do të shënonte një përparim të madh. “Gjithmonë kështu ka qenë, administrata është ndryshuar me ndryshimin e qeverisë. Nëse heqim dorë nga ky “zakon”, kemi bërë një përparim të madh. Njerëzit duhet të jenë specialistë të zotë dhe nuk duhen parë nga bindjet politike”. Si ish deputet i kuvendit në të dy periudhat, Agolli theksoi se dialogu dhe bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës është shumë i rëndësishëm. “Jam i majtë por opozita dhe pozita nuk duhet të mendojnë për hakmarrje por të ndërtojnë një marrëdhënie autor-redaktor”, – tha ai.
Ditëlindja
Për shkrimtarin Agolli, vlerësimi me çmimin e letërsisë “Carlo Levi” në Itali përbën një stimul shumë të madh. “E kam të vështirë të flas për veten pasi marr çmime ose pasi botoj libër, por kësaj here do të bëj një përjashtim. Jam në një moshë “të superthyer” dhe ky çmim më ka ngritur shumë humorin. Kam marrë edhe çmime të tjera, por ky çmim i marrë në pleqëri më kujton që ende jetoj”, – tha ai. Më tej Agolli pohoi se ndihet i plakur dhe se plakjen e urren vetëm për shkak të dridhjeve që i ka krijuar në duar sepse krijimtaria e tij nuk është pluhurosur nga vitet e kaluara. Lidhur me qeverinë e re, shkrimtari e cilësoi nisjen e saj pozitive. Sipas tij emërimi i emrave të rinj në ekzekutiv përbën një emancipim për politikën shqiptare. Ndërkohë sa i përket Kryeministrit Rama, ai theksoi se pavarësisht se ka pasur edhe kritika kur ai ishte kryetar i opozitës dhe si kryetar i PS-së, beson se ai do të sjellë ndryshime në vend. “Mendoj se si kryetar qeverie mund të bëjë hapa përpara. Edhe Tirana që dikur e ka drejtuar ishte si qeveri e vogël dhe në atë kohë bëri punë shumë të mira duke ia ndryshuar faqen kryeqytetit”, u shpreh Agolli. Ditën e djeshme shkrimtari Dritëro Agolli mbushi 82 vjeç, ku mori urime të shumta nga miqtë, të afërmit si edhe nga përfaqësues të politikës shqiptare. Përveç dhuratave të shumta, si një përshëndetje e veçantë në ditëlindjen e tij ishe ishte edhe sjellja e shqiponjës shtëpinë e tij, e cila pak ditë më parë zbriti në stadiumin “Qemal Stafa”. Urime të përcjella përmes buqetave me lule, shkrimtarit i erdhën nga Kryeministri Rama, kreu i Kuvendit Ilir Meta, përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste si edhe nga personalitet të ndryshme të jetës politike, letrare dhe shoqërore në vend. Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit. Ai i kreu studimet e larta për gazetari jashtë shtetit në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad (Shën Peterburg). Agolli punoi një kohë të gjatë në redaksinë e gazetës “Zëri i popullit”. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.
Basha, buqetë me lule për Agollin
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është bashkuar dje festës së ditëlindjes së 82-të të shkrimtarit Dritëro Agolli. Kryetari i opozitës i ka dërguar patriarkut të së majtës një buqetë me lule, duke e uruar atë me rastin e ditëlindjes.
Deputeti i PD-së
Halimi: Rama po prish ndërtimet e ligjshme
Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, ka reaguar dje lidhur me prishjen e ndërtimeve pa leje, ku ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama se ka vendosur të shkatërrojë ndërtimet e ligjshme. Sipas Halimit, kreu i qeverisë ka autorizuar prishjen e ndërtimeve me leje. “Rama vendos të shkatërrojë ndërtimet e ligjshme të shqiptarëve: I tmerrshëm, i paprecedentë dhe i dënueshëm . Mos lejoni që pronat tuaja të preken nga gangsterët e pushtetit, që kërkojnë t’ju marrin djersën dhe gjakun tuaj, mundin tuaj dhe fëmijëve tuaj, në mënyrë arbitrare me justifikimin se ata janë mbi ligjin. Mos lejoni t’ju prekin të drejtat tuaja që mbrohen nga Kushtetuta e vendit. Mos ju nënshtroni veprimeve arbitrare as të urdhëruesve delirante e gangstere, dhe as të ekzekutorëve të verbër”, – shkruante Halimi në rrjetin social “Facebook”. Sipas deputetit demokrat ky është vendimi më antiligjor dhe antikushtetues që një qeveri mund të ndërmarrë. “Pronat që shqiptarët kanë ndërtuar me leje, janë prona të ligjshme, të mbrojtura nga nenet 41 e 42 të Kushtetutës së vendit dhe të pacenueshme. Prona është e garantuar sipas Kushtetutës dhe nuk mund të preket përveçse nga një proces gjyqësor. Ne jemi këtu dhe do marrim të gjitha masat për të anuluar këtë vendim të tmerrshëm në një shoqëri demokratike. Deri atëherë mos lejoni askënd tua prekë pronën tuaj të ligjshme”, – u shpreh deputeti i PD-së Eduart Halimi.
PD hap fushatën elektorale
Kandidati Stratobërdha për Bashkinë e Korçës: Interesi i qytetarëve në plan të parë
Partia Demokratike hapi zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet për kryetar bashkie në Korçë, që do të mbahen në 3 nëntor. Zgjedhjet për kryetar bashkie vijnë si pasojë e dorëheqjes së Niko Peleshit nga kryetar bashkie dhe zgjedhjen e tij në postin e zëvendëskryeministrit. Në ceremoninë e prezantimit të kandidatit për Bashkinë e Korçës, Sotiraq Stratobërdha, ishin të pranishëm edhe deputetët demokratë Jorida Tabaku dhe Eduard Selami, të cilët vlerësuan figurën e Stratobërdhës. Deputetja Tabaku tha se Stratobërdha përçon vlerat e së djathtës. Ndërsa, Selami theksoi se me Stratobërdhën Bashkia e Korçës do t’u kthehet qytetarëve. Kandidati i PD-së prezantoi programin e tij, duke theksuar se parimi i parë i qeverisjes është barazia e qytetarëve. “Të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit, do të jenë të barabartë para bashkisë”, – tha Stratobërdha. Ai premtoi se nuk do të ketë dallime mes qytetarëve korçarë me bindje politike, intelektualët do ta kenë gjithmonë derën e bashkisë të hapur dhe do të ngrihen politika për të mbajtur afër të rinjtë, që mbarojnë shkollat e larta dhe nuk kthehen më në qytet. “Me grupin e punës që do të ngremë, do të krijojmë politika që do të ndihmojnë bizneset, duke pasur parasysh fillimisht interesin e qytetarëve”, – deklaroi Stratobërdha. Dy ditë më parë, ishte Partia Socialiste që hapi zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e pjesshme lokale në Korçë.
Sot Venizelos në Tiranë
Kufiri detar, toponimet dhe gazsjellësi TAP në qendër të vizitës së kryediplomatit grek
Nënkryetari i qeverisë greke dhe ministër i jashtëm, Evangelos Venizelos, do të vizitojë sot Tiranë ku do të zhvillojë takime me Presidentin Nishani, Kryeministrin Rama, kreun e PD-së Lulzim Basha, kryetarin e PBDNJ-së Vangjel Dule dhe kryepeshkopin e Shqipërisë Anastas Janullatos. Në këtë vizitë në qendër të takimeve të kryediplomatit greke me krerët e shtetit shqiptar di të vendosen disa nga çështjet problematike në marrëdhëniet mes dy vendeve. Një ndër çështjet kryesore që do të diskutohet pritet të jetë ajo për marrëveshjen e kufijve detare, pas ngërçit që u përfshinë dy vendet pas anulimit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë të kësaj marrëveshjeje. Athina e konsideron si prioritet marrëveshjen për kufirin detar, e inkurajuar edhe nga deklarata e Kryeministrit Rama: “Do të duhet të diskutojmë dhe të gjejmë mënyrën e duhur për ta riaktivizuar, me respekt të plotë ndaj pikëpamjeve të njeri-tjetrit, por nga ana tjetër me gjithë vullnetin e mirë që kërkon nga të dy palët e ardhmja e përbashkët”. Një tjetër temë prioritare, e ndërlidhur me marrëveshjen për kufirin detar, është vendimi i Athinës për të avancuar në shpalljen e zonave ekskluzive ekonomike. Aksion për të cilin, sa Kryeministri Samaras, aq edhe Venizelos, janë shprehur vazhdimisht se do të bëhet në marrëveshje me vendet fqinje. Gazsjellësi TAP gjithashtu do të ketë një vend të rëndësishëm në bisedime, me synim bashkërendimin e veprimeve midis Athinës, Tiranës e Romës. Si një risi vlerësohet përfshirja në axhendën e bisedimeve diskutimi i mbi sigurimet shoqërore të emigrantëve shqiptarë në Greqi, që konsiston në njohjen e viteve të punës në tokën helene. Megjithëse tratativat kanë nisur që në fillim të viteve 2000, në këtë çështje nuk ka pasur asnjë zhvillim pozitiv deri më tani. Më tej, problemi shqetësues i toponimeve në pasaportat e fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi, ku pritet që të dy palët të gjejnë zgjidhjen përfundimtare. Venizelos do të pritet sot nga presidenti shqiptar Bujar Nishani, dhe do të takohet edhe me Kryeministrin Rama, ministrin e jashtëm Ditmir Bushati dhe kryetarin e Parlamentit Ilir Meta. Po ashtu kryediplomati grek do të zhvillojë takime me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, si dhe do të vizitojë kryepeshkopin e Shqipërisë, Anastas Janullatos.