Super-operacioni i policisë në të gjithë vendin. Nuk zbatoi urdhrin e Tahirit, pezullohet shefi i postës
Gjashtë mijë efektivë të Policisë së Shtetit kanë nisur një operacion në të gjithë vendin për goditjen e aktivitetit të jashtëligjshëm të kazinove dhe lojërave të fatit. Në operacion kanë marrë pjesë edhe inspektorët e Tatim-Taksave të Ministrisë së Financave. Operacioni është më i madhi për policinë që në vitin 2002, kur u organizua operacioni antiskaf “Puna”. Deri në orën 19:00, vetëm në Tiranë raportoheshin bllokimi i 70 ambienteve të kazinove dhe lojërave të fatit e basteve sportive, për mungesë të dokumentacionit apo për praninë e makinetave të paregjistruara. Vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi, kanë zbritur në terren dhe kanë inspektuar veprimet operacionale në zonën e Qytetit Studenti. Inspektimi i paparalajmëruar i ka kushtuar pezullimin shefit të stacionit të policisë të Qytetit Studenti, Arsen Sinomati. Operacioni pritet të vijojë deri në verifikimin e të gjitha kazinove dhe ambienteve të lojërave të fatit e basteve sportive në të gjithë vendin.
Operacioni në rrethe
“Marrëzia e fundit” goditi në çdo qytet e komunë, ku operojnë kazino dhe pika të ndryshme të lojërave të fatit. Bllokime dhe mbyllje të pikave të basteve pati në çdo rreth. Në Korçë, policia bllokoi 54 pika të lojërave të fatit dhe të basteve sportive, disa prej tyre për mungesë dokumentacioni dhe mosshlyerje të detyrimeve. Operacioni do të vazhdojë. Në Fier morën pjesë në operacion 100 efektive policie të mbështetur nga Forcat Speciale. U kontrolluan dhjetëra subjekte, u proceduan 10 prej tyre. Nga kontrolli i ushtruar në Elbasan rezultuan se dhjetëra prej tyre kishin mangësi në dokumentacion dhe kryenin aktivitet të paligjshëm. Në polici janë shoqëruar edhe pronarët e tyre. Në Gjirokastër, FNSH kontrolluan 6 pika të lojërave të fatit, ndërsa pjesa e tyre ishin mbyllur para se të niste operacioni i policisë. Mbi 100 forca policie në Durrës kontrolluan mbi 60 pika bastesh, dhe shumë prej tyre u bllokuan. Aksioni i policisë është shtrirë në të gjithë qytetin përfshirë dhe zonën e Plazhit dhe Shkozetit. Edhe në Lezhë shumë forca policie ushtruan kontroll në të gjitha pikat. Sipas policisë, rastet janë në verifikim dhe ende nuk është marrë ndonjë vendim për bllokim të plotë të tyre. Ato po mbahen në mbikëqyrjen e policisë. Dy biznese të mëdha të lojërave të fatit u bllokuan në qytetin e Shkodrës, ndërsa janë në proces verifikimi dhjetëra lokale të tjera bastesh sportive. Pati sekuestrime të kompjuterave dhe të pajisjeve të tjera të palejueshme.
Vendimi në Fier
Lihet në burg rrëmbyesi i 9-vjeçares
Gjykata e Fierit ka lënë në “Arrest me burg” 22-vjeçarin, që disa ditë më parë mbajti peng një të mitur në një nga lagjet e qytetit të Fierit, por që u shpëtua mrekullisht nga një efektiv policie. Seanca gjyqësore ndaj 22-vjeçarit Kristian Binjaku është mbajtur me dyer të mbyllura. Binjaku tashmë ndodhet pas hekurave nënë akuzën e rrëmbimit dhe veprave të turpshme ndaj të miturës 9-vjeçare. Ngjarja e rëndë ndodhi disa ditë më parë në lagjen “Konferenca e Pezës” të Fierit, ku e mitura është mbajtur për rreth 20 minuta nën presionin e 22-vjeçarit. Ka qenë efektivi i Fierit Bledar Naci, i cili ndodhej rastësisht në vendngjarje, i veshur civil ka ndërhyrë duke shpëtuar të miturën. Polici fillimisht është ndeshur me pengmarrësin dhe më pas e ka arrestuar atë.
Korrupsioni në spital
Dy mjekët e Pogradecit, detyrim paraqitjeje
Gjykata e Korçës lë në arrest shtëpie deri në përfundim të hetimeve dy mjekët Ismail Uzuni dhe Nikolla Nunka të cilët akuzohen për mitmarrje. Prokuroria e Korçës kishte kërkuar arrest në burg për dy mjekët të cilët akuzohen se merrnin para nga pacientët për ndërhyrjet kirurgjikale. Dy mjekët u arrestuan tre ditë më parë, pas një hetimi 2 mujor nga policia. Sipas policisë, Uzuni, i cili punonte si një reanimator në spitalin e Pogradecit, pacientët e tij i drejtonte te kolegu i tij në spitalin e Korçës Nikolla Nunka. Ky i fundit, pas ndërhyrjeve kirurgjikale u merrte pacientëve të tij shumën prej 20 mijë lekësh, shumë të cilën e ndante me mjekun reanimator Uzuni.
Gradat në polici
SHKB nis hetimet për gjetjen e shkeljeve
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm do të verifikojë procedurat e marrjes së gradave nga oficerët e Policisë së Shtetit. Lajmi konfirmohet nga burime të besueshme të Ministrisë së Brendshme dhe koinçidon me periudhën e përgatitjes së një drafti për rrëzimin e ligjit aktual të gradave dhe karrierës dhe zëvendësimin e tij me një ligj tjetër. Burimet thanë se hetimi ka për objekt gjetjen e rasteve të shkeljes dhe abuzimeve në dhënien e gradave, ndërsa nuk bënë komente me rastet e emërimeve të fundit, të cilat e kanë shkelur ligjin e promovimit në karrierë dhe gradave. Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka kryer një vizitë blic, të paparalajmëruar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Burimet zyrtare nuk bënë komente për motivin e vizitës së papritur apo nëse ka pasur masa administrative pas inspektimit që kreu ministri Tahiri.