Florenc Drizari
Rama: Do kemi xhami pa pallat
Basha dhe Rama uruan besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit
Ditën e kremtimit të festës së Kurban Bajramit, krerët e politikës shqiptare folën edhe për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë, projekt i cili nisi të ndërtohet, por që sipas vendimit të KKT-së, punimet u ndërprerë përkohësisht. Pas takimit që zhvilluan në selinë e Komunitetit Mysliman, Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Lulzim Basha, garantuan mbështetjen për ndërtimin e kësaj vepre dhe në të njëjtën kohë, uruan besimtarët me rastin e kësaj feste.
Kryeministri Edi Rama theksoi se bashkë me familjen e tij do të vendoset në radhën e donatorëve modestë për ndërtimin e këtij tempulli.
Duke iu përgjigjur interesimit të medias, lidhur me projektin e xhamisë së madhe, kryetari i PD-së, njëkohësisht edhe kreu Bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, uroi që qeveria dhe Komuniteti Mysliman të arrijnë të shndërrojnë në realitet ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës, i lënë në harresë për dekada me radhë.
“Pa dyshim, ka qenë një sprovë e madhe, një sprovë të cilën Bashkia e Tiranës, pas dekadash harrese e kaloi me sukses. Xhamia nisi punimet. Siç e dini, pas kësaj ka pasur një vendim i cili ka ndaluar punimet. Tashmë, çështja është midis Komunitetit Mysliman dhe qeverisë dhe unë uroj me gjithë zemër që projekti i xhamisë të ecë përpara”, – theksoi z. Basha.
Urimet për Kurban Bajramin
Pas vizitës në Komunitetin Mysliman, Kryeministri Rama u ndal përpara mediave për të uruar të gjithë besimtarët për festën e Kurban Bajramit.
“Ishte kënaqësi që për herë të parë si Kryeministër erdha këtu dhe urova gëzuar këtë ditë kaq të shënuar mikun tim Selim Muca, gjithë përfaqësuesve të lartë të Komunitetit Mysliman. Folëm për xhaminë e re dhe i sigurova edhe një herë që nga një pallat me xhami do kemi një xhami pa pallat. Familjarisht do të jemi dhe ne në radhën e donatorëve modestë të këtij tempulli. Jam i bindur që së bashku do të ngremë një tjetër pikë referimi në qytet, pikë referimi e munguar. Me ndryshimin e bërë do ta kthejmë në një vlerë të shtuar urbanistike, arkitektonike. Me ndryshimin e bërë nuk do të ndryshojë i gjithë parku”, – deklaroi Kryeministri.
Nga ana e tij, kryetari i PD-së, njëherazi kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, përcolli urimet për çdo shqiptar, pavarësisht nëse jeton brenda apo jashtë kufijve administrativë.
“Çdo besimtari mysliman shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë e Preshevës, shqiptarëve që jetojnë kudo në botë, dua t’u uroj: “Gëzuar Kurban Bajramin!” Sjelltë kjo festë sa më shumë gëzim, hare dhe po kështu shëndet e harmoni, për gjithsecilin prej jush, familjet tuaja dhe për çdo shqiptar! Kjo është një ditë kur kremtohet dashuria për Zotin dhe dashuria për njeri-tjetrin, si një forcë më e madhe se dashuria për vetveten. “Zoti na ka bërë sprovë për njëri-tjetrin”, – thotë Libri i Shenjtë, ndaj si kjo ditë, çdo ditë duhet të kujtojmë se janë aktet e mira, të nisura jo me qëllim përfitimi personal, por me qëllim për të lënë diçka të mirë, për të bërë diçka të mirë, për njëri-tjetrin, për familjen, për shoqërinë, ato që e bëjnë shoqërinë të ecë përpara dhe që u falin lumturi, prindërve, fëmijëve dhe mbarë qytetarëve. Dua të falënderoj me këtë rast, të gjithë besimtarët, imamët dhe klerin, të cilët bënë të mundur kremtimin e kësaj dite edhe sot, ndonëse në kushte jo optimale dhe shpresoj me ndihmën e Zotit, në vitet e ardhshme, çdo sprovë e mbetur, të tejkalohet me sukses!”, – tha z. Basha.
Mijëra besimtarë myslimanë kremtuan Kurban Bajramin, politika uron me mesazhe paqeje
Mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën mëngjesin e të martës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet, për të kryer faljen e Kurban Bajramit. Edhe pse në një ditë me shi, kjo festë nuk i ndali besimtarët të kremtonin këtë ditë dhe t’i luteshin Zotit. Në ditën e shënuar nuk munguan edhe urimet e krerëve të Komunitetit Mysliman në Shqipëri si dhe të përfaqësuesve të lartë të politikës shqiptare. Këta të fundit nuk ngurruan të vizitonin si çdo vit selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë dhe të shprehnin urimet e tyre për besimtarët dhe të gjithë qytetarët.
Presidenti i Republikës
Më shumë paqe, vëllazëri dhe begati ka uruar dje Presidenti i Republikës Bujar Nishani për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Ai ka kërkuar mposhtje të egoizmit dhe frenim të materializmit. “Gëzuar këtë festë që na sjell çdo herë në vëmendje gjënë më madhore të jetës; dashurinë e zotit ndaj njerëzve, mëshirën e tij të pakufishme ndaj tyre, si dhe detyrimet që rrjedhin prej kësaj dashurie dhe asaj mëshire. Mposhtja e egoizmit, të kuptuarit e efektit rrënues të mendjemadhësisë, frenimi i materializmit, arritja e vetëkontrollit gjatë udhës plot peripeci dhe plot rreziqe të Jetës, duke synuar në këtë mënyrë gjithmonë barazinë, vëllazërimin, paqen, begatinë, janë në themel të të kuptuarit të Kurban Bajramit”, – thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit. Gjithashtu mesazhe urimi përcolli edhe ish-kryeministri Berisha, i cili tha: “Uroj që Zoti të pranojë e të shndërrojë sakrificën tonë në mirësi, shëndet, lumturi dhe suksese për të gjithë shqiptarët dhe familjet e tyre!”
Ilir Meta
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, uroi të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Gjatë vizitës që Meta bëri në selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë, u prit nga kryetari i Komunitetit, Haxhi Selim Muça. Z. Meta iu drejtua me një mesazh urimi besimtarëve myslimanë dhe të gjithë shqiptarëve, ai tha: “Në këtë ditë të Kurban Bajramit dua t’u uroj të gjithë besimtarëve dhe të gjithë qytetarëve tanë më shumë solidaritet me njëri-tjetrin dhe në radhë të parë për ata që jetojnë në kushte shumë të vështira”.
Selim Muça
Nga ana e tij, kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, i uroi gjithë besimtarët myslimanë për një jetë më të begatë dhe mbarësi në familjet e tyre. “Ju uroj të gjithë shqiptarëve Gëzuar Festën e Kurban Bajramit, me të mira, me gëzime, me familjarët dhe afërmit”, – uroi Selim Muça.
Një urim për Kurban Bajramin, drejtoi dhe kryegjyshi i bektashinjve. “Në këtë Kurban Bajram njeriu tregon sakrificat që bën ai për nder të Perëndisë dhe tregohet Kurban Bajrami festohet nëpër botë dashuria e Zotit ndaj njeriut. Kjo është një ditë e madhërueshme të paqes, miqësisë dhe dashurisë mes njëi-tjetrit. Zoti na bekoftë të gjithëve”, – uroi kryegjyshi Edmond Brahimaj.
Festa e Kurban Bajramit
Mijëra besimtarë myslimanë kremtuan ditën e sakrifikimit, festën e Kurban Bajramit. Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit në Zot dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes. Kremtimi i kësaj dite, siç është bërë traditë, filloi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur mijëra besimtarë myslimanë falën namazin.
Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Kurban Bajramit konsiston në dy momente: e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Familja që e ther, i ndan dy të tretat e mishit, të cilën ua jep familjeve të varfra dhe atyre që kanë nevojë, ndërsa pjesën tjetër mund ta mbajë.
Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë, të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.