“Fundi i marrëzisë” bën kurban edhe dy shefat e Krimit Ekonomik, dekonspiruan operacionin

0
182

Elton Qyno

Pezullohen Ervin Dalipaj në Tiranë dhe Olsi Muçi në Korçë

 

BasteErvin Dalipaj dhe Olsi Muçi janë dy drejtuesit e sektorit të Krimit Ekonomik në Tiranë dhe Korçë, që janë pezulluar nga detyra dhe aktualisht ndaj tyre ka nisur procedurat hetimore Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Dalipaj dhe Muçi kanë rënë në “grackën” e operacionit “Fundi i marrëzisë”, ku gjatë kontrollit të pikave të basteve sportive dhe kazinove, këta dy efektivë policie kanë dekonspiruar operacionin në zonat që mbulonin, duke njoftuar administratorët e këtyre pikave të basteve për heqjen e pajisjeve elektronike dhe jo vetëm. Veç këtyre dy drejtuesve, nën hetim për “Shpërdorim detyre” janë vënë dhe tre efektivë të tjerë, të cilët shkojnë në total në pesë policë, që kanë dekonspiruar operacion kombëtar “Fundi i marrëzisë”. Burime të Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se vetë policia krahas aksionit të madh ishte duke kryer me anë të një rrjeti informativ, edhe një tjetër aksion brenda radhëve të policisë, për të mësuar se kush do ta dekonspironte atë. Të gjithë shefat kryesorë të policisë dhe ata të Krimit Ekonomik ishin nën mbikëqyrje policore nëse do të dekonspironin apo jo. Rezultoi se dy prej 12 shefave të qarqeve dekonspiruan këtë aksion. Ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është duke hetuar veprimtarinë e deritanishme të strukturave përkatëse të policisë, që kanë favorizuar në mënyrë të hapur lulëzimin e kësaj veprimtarie të paligjshme. Në përfundim të këtij hetimi do të përcaktohen edhe përgjegjësitë konkrete për çdo strukturë apo punonjës policie. Në këtë operacion kanë marrë pjesë 6 mijë policë, ndërkohë që vetëm në Tiranë janë bllokuar 400 pika të paligjshme.

 

 

  • Janë të bllokuara 472 subjekte;
  • Janë kontrolluar 696 subjekte;
  • Janë proceduar penalisht 149 subjekte;
  • Janë proceduar 152 persona;
  • Janë sekuestruar 712 makineri ;
  • Janë sekuestruar 75 kompjuterë
  • Janë sekuestruar 190 monitorë

 

 

 

 

Polici i vrarë në Shkodër shpallet dëshmor në gjykatë

 Komisioni refuzoi të shpallte dëshmor Kolë Ndreshajn. Gjykata e Tiranës kthen vendimin

Familjarët e Kolë Ndreshajt, efektivit rrugor të vrarë tri vite më parë në Shkodër, kanë arritur të fitojnë të drejtën e “Shpalljes Dëshmor” dhe marrjen e statusit, pas refuzimit që ju bë nga Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit. Dile Ndreshaj, bashkëshortja e policit që u vra me dy plumba në trup teksa kthehej nga shërbimi në shtëpinë e tij, ka arritur të verë emrin e të shoqit, mes emrave të policëve të shpallur Dëshmorë të Atdheut. Pas tre seancash gjyqësore, Gjykata e Tiranës ka vendosur të pranojë kërkesë-padinë, duke shfuqizuar vendimin e Komisionit të Statusit të Dëshmorit dhe urdhëruar këtë të fundit të nxjerrë një vendim të dytë për këtë rast, duke shënuar emrin e Kolë Ndreshaj, në listën e policëve të rënë dëshmorë. Nëpërmjet këtij vendimi, bashkëshortja e policit të vrarë arrin të sigurojë nga shteti edhe një pension për dy fëmijët e vegjël.

Padia civile

Në pamundësi për të vënë në vendin e vet fotografinë e burrit të saj dhe përfitimit të një pensioni financiar për dy fëmijët e lënë jetimë, Dile Ndreshaj i është drejtuar gjykatës civile për t’i dhënë zgjidhje problemit. Çështja me numrin 14554 është regjistruar në sekretarinë e gjykatës së kryeqytet që në datën 12 qershor, ku i paditur është Komisioni Qendror i Statusit Dëshmor i Atdheut, pranë Këshillit të Ministrave. Objekti i padisë flet për kundërshtim i vendimit nr. 651 date 8.4.2013 të Komisionit Qendror i Statutit të dëshmorit të atdheut, detyrimin e palës së paditur që të nxjerrë aktin administrativ për dhënien e statusit dëshmor i atdheut Kolë Ndreshaj. Tashmë kjo padi është pranuar dhe se me zbardhjen e vendimit gjyqësor, pritet që të fillojë procedura e ekzekutimit. Ndreshaj është ekzekutuar me plumb në zemër nga persona ende të paidentifikuar. Ai ka qenë duke udhëtuar me motorin e policisë, kur është qëlluar me një plumb në zemër duke mbetur i vdekur në vend. Në atë periudhë policia kërkoi zbardhjen menjëherë të ngjarjes duke vënë dhe një shumë prej 5 milion lekë për këdo që kishte informacion, por që në fakt një praktikë e tillë nuk solli rezultat.

Vrasja pas festës

Kolë Ndreshaj, 41 vjeç, ka qenë me shërbim në fshatin Reç të Komunës Shkrel në Malësinë e Madhe ku festohej 66-vjetori i luftës së Reçit një festë kjo tradicionale në zonë e cila festohet që para viti 1990 dhe ka vazhduar më pas. Policia ka qenë e pranishme në aktivitetet e se shtunës që vazhdojnë dhe të dielën pasi vendi ku organizohet kjo festë ka grumbullim të madh personash kryesisht banorë të zonës por dhe të ardhur nga Shkodra. Efektivi i njësisë rajonale të qarkullimit rrugor ka qenë me shërbim dhe rreth orës 02:00 është nisur drejt Shkodrës me motoçikletën e policisë rrugore. Në rrugën që lidh shtatin Reç me rrugën nacionale Koplik-Dedaj rreth 50 m pa dalë në rrugë polici është ndaluar nga autorët që mendohet se e kanë ndjekur pas me makinë. Sapo është ndalur tek vendi i quajtur Foletat e Marshenjt ai është qëlluar me një plumb në zemër duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Trupi i tij është gjetur më pas nga persona që kalonin nëpër këtë aks rrugor që kanë lajmëruar policinë. Për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve në atë kohë është ngritur një grup pune me specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe me Prokurorinë e Krimeve të Renda. Sipas të dhënave të para afër vendit të ngjarjes rreth 1 metër pas është dalluar një frenim automjeti që duhet të ketë qenë mjeti me të cilin udhëtonin autorët.

 

Ngjarja në Lushnjë

 I dehuri aksidentohet për vdekje

 

Një 60-vjeçar nga Këmishtaj i Lushnjës humbi jetën në aksident rrugor pak minuta pasi doli nga një lokal. Aksidenti ndodhi në aksin rrugor Pushimi i Shoferëve-Këmishtaj. Viktima Pilo Velo po lëvizte me motor, kur shkoi dhe përplaset nga pas me një mjet “Volkswagen”. 60-vjeçari përfundoi në kanal dhe policia gjeti pranë trupit të tij një shishe me raki. Policia e Lushnjës ka shkuar në vendin e ngjarjes për të hetuar rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti. Nga dyshimet paraprake rezulton se viktima Pilo Velo, ka qenë në gjendje të dehur në momentin e përplasjes me makinën. Për pasojë ai ka humbur kontrollin e motorit dhe është përplasur me makinën, që po kalonte në ato momente në rrugë.

 

Aksidenti në Durrës

 Makina godet rëndë nënë e bijë

 

Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e rëndë të dy shtetaseve ka ndodhur rreth orës 17:30 minuta në qytetin e Durrësit. Burime nga policia kanë bërë të ditur se, aksidenti i rëndë ka ndodhur në rrugën tregtare një automjet tip “BMW” me targa AA875AY, që drejtohej nga Agim Cara, i cili është shpallur në kërkim. Kjo makinë ka përplasur dy kalimtare, nënë e bijë, ndërsa është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Të aksidentuarat janë identifikuar si Bajame Mustafa, 37 vjeçe dhe Xhovana Mustafa, 16 vjeçe, të cilat janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të qytetit bregdetar me makina të rastit. Burime pranë këtij spitali bëjnë më dije se gjendja e tyre shëndetësore është tepër e rëndë, veçanërisht e 16-vjeçares, ndërsa theksojnë se po bëjnë të pamundur për ta mbajtur në jetë. Uniformat blu janë vënë në ndjekje të makinës që shkaktoi aksidentin, ndërsa ende nuk ka të dhëna zyrtare për drejtuesin e saj.

 

Gjermani

 Goditet rrjeti i drogës, e drejtonte shqiptari

 

Në kuadrin e një operacioni në shkallë të gjerë të zhvilluar dje nga policia federale dhe dogana në Këln është goditur një rrjet kontrabandistësh dhe tregtarësh droge, e cila vepronte në nivel ndërkombëtar. Me këtë rast janë arrestuar dhjetë persona, janë konfiskuar 6.5 kilogramë drogë, një makinë për përpunimin e drogës dhe 134 mijë euro para të gatshme. Gjithashtu, gjatë bastisjes së kryer në 17 lokalet e dyshuara për lidhje me bandën, policia ka gjetur edhe një prostitutë të moshë së mitur, shkruan “generalanzeiger.de”. Banda e goditur dyshohet të ketë kontrabanduar në Gjermani me shumicë drogë të tipit kokainë nga Amerika Jugore përmes Holandës. Krahas kësaj, bandës i ngarkohet kontrabandimi i shtetasve kryesisht shqiptarë për në Gjermani, të cilët pastaj i kanë angazhuar si shitës të drogës ose në prostitucion. Si kreu i bandës konsiderohet një shqiptar 35-vjeçar. Po ashtu edhe shumica e të akuzuarve janë shtetas shqiptarë, të cilët kanë hyrë në Gjermani kryesisht me dokumente të falsifikuara.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency