Komisioni i medias/ Kuvendi nis procedurat për plotësimin e vendeve vakante të AMA-s, PS kërkon shkarkimin e Bushatit

0
149

Florenc Drizari

Kuvendi nis procedurat për zëvendësimin e anëtarëve të bordit të RTSH-së

BushatiKomisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik pritet të mblidhet paraditen e së mërkurës për nisjen e procedurave lidhur me plotësimin e vendeve vakante në AMA dhe në Këshillin Drejtues të RTSH-së. Edhe pse prej disa ditësh përfaqësuesit e opozitës kanë bojkotuar mbledhjet e komisioneve parlamentare, mazhoranca pritet të kërkojë e vetme ndryshimin e balancave politike në bordet e Autoritetit të Mediave Audiovizive, ish-KKRT-ja ndërsa tani me emrin e ri AMA, dhe Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar.

Aktualisht, nëse i referohemi ligjit për Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA), kjo agjenci është krijuar për rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë radiotelevizive në Republikën e Shqipërisë, duke u konsideruar si një organizëm i pavarur, që vepron bazuar në zbatimin e dispozitave të ligjit nr. 97/2013 datë 4.3.2013”, por që referuar raporteve të fundit dhe qëndrimeve të mbajtura nga mazhoranca e re, puna e këtij institucioni mbetet për t’u rivlerësuar. Shpeshherë deputetët e PS-së kanë kritikuar punën e këtij autoriteti, duke vënë theksin tek politizimi i vendimmarrjeve.

Ndërkohë që, pak ditë më parë, në mbledhjen e fundit të Komisionit Parlamentar të Medias, nënkryetari Alfred Peza ka miratuar me votat e mazhorancës përfshirjen në axhendën e Komisionit ndryshimin e krerëve të autoriteteve mediatike.

Kështu, Kuvendi pritet të nisë paraditen e sotme procedurat për të shkarkuar kryetaren e AMA-s, Endira Bushati, dhe zëvendësimin e saj me një përfaqësues të mazhorancës së re. Po ashtu pritet edhe zëvendësimi i kryetarit të bordit drejtues të RTSH-së, Agron Tufa, dhe 10 anëtarëve të këtij bordi, të cilëve u ka përfunduar mandati dhe zëvendësimi i drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Petrit Beci. Nënkryetari i Komisionit të Medias, socialisti Alfred Peza, theksoi se ligji i ri kërkon që këto institucione duhet të riformatohen në përputhje me balancat e reja të përfaqësimit politik në këto institucione.

Por vendimet e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik pritet të kundërshtohen nga përfaqësuesit e AMA-s, të cilët më herët kanë kërkuar plotësimin e vendeve nga ligjvënësit.

Më herët, Shërbimi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura në Kuvend ka kërkuar që Parlamenti të nisë procedurën për të plotësuar tri vendet vakante në AMA, po ashtu të ndryshojë dhe balancën politike për drejtuesin e saj. “Lind një interpretim juridik, pasi nuk ka përputhje midisi balancës së ligjit të ri që kërkohet, pra tre nga shumica dhe tre nga pakica. Kryetari zgjidhet nga mazhoranca, ndërsa nënkryetari nga pakica. Kjo, pasi aktualisht, kryetari dhe nënkryetari janë trashëguar nga ligji i vjetër, i cili nuk parashikonte balancë politike brenda trupës. Nëse do t’u referohemi dispozitave tranzitore, konkretisht nenit 134 të ligjit 97/2013 ‘Për mediat audiovizive’ si dhe precedentit të KQZ-së, anëtarët duhet të qëndrojnë në detyrë deri në përfundim të afatit të caktuar në mandatin e emërimit. Për me tepër ligji nuk parashikon arsye politike për rastet e lirimit nga detyra”, – thuhet në raportin e Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura.

 

 

Autoriteti i Mediave Audiovizive

“Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) është krijuar për rregullimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë radiotelevizive në Republikën e Shqipërisë, i cili është organizëm i pavarur, që vepron bazuar në zbatimin e dispozitave të ligjit nr. 97/2013, datë 4.3.2013”, – thuhet në faqen zyrtare të AMA-s.

 

 

 

 

PS e PD, larg konsensusit për nëpunësin civil, mazhoranca nesër në provën e 84 votave

Kuvendi i Shqipërisë pritet të vendosë ditën e enjte lidhur me ngërçin politik mes pozitës dhe opozitës për sa i përket aktit normativ të qeverisë për shtyrjen e afateve të ligjit për statusin e nëpunësit civil. Pas këmbimit të letrave respektive mes socialistëve dhe demokratëve për t’u ulur në një tryezë të përbashkët deri në gjetjen e një konsensusi për çështjen e nëpunësit, ende palët duket se janë larg dialogut dhe dita e mërkurë sipas mazhorancës është afati i fundit për dialog. Në letrën e tij drejtuar opozitës, Kryeministri Rama tha se ishte i gatshëm për t’u takuar me cilin do prej krerëve të partive opozitare, duke i ofruar secilit prej tyre mundësi të barabarta në diskutime për çështjen në fjalë, por pa harruar se ditën e enjte qeveria do të vendosë në Kuvend nëse palët nuk gjejnë konsensus. Nga ana e saj, opozita po me anë të një letre i kërkoi Kryeministrit Rama se është e gatshme për dialog, vetëm nëse tërhiqet nga votimi akti normativ, akt i cili shtyn me 6 muaj kohë efektet e veprimit të ligjit për nëpunësin civil. Ndërkaq, një dy ditë më parë, deputeti i PS-së, Ben Blushi, deklaroi se qeveria duhet ta thotë hapur se reforma në administratën publike është e domosdoshme për të çuar përpara nismat e qeverisë. Sipas tij, kjo është një çështje politike, e jo procedurale, ashtu siç pretendohet nga disa drejtues të qeverisë, kur thonë se aktet normative që pritet të miratohen, kanë vetëm natyrë teknike. Sipas tyre, kjo është arsyeja që qeveria ka ndërmarrë nismën me anë të aktit normativ. Ndërkaq, opozita shpesh herë në daljet publike të saj, ka akuzuar qeverinë për prishjen e konsensusit politik të datës 30 maj të këtij viti, duke vënë theksin se kjo iniciativë nga ana e mazhorancës po bëhet vetëm për të bërë spastrime politike të nëpunësve në administratë. Pasi palët nuk kanë gjetur ende konsensusin mes tyre, mazhoranca pritet t’i drejtohet e vetme votimit të aktit normativ në Kuvendin e Shqipërisë ditën e enjte, ku për herë të parë do të përballet edhe me sigurimin e 84 votave, të nevojshme për ta kaluar aktin normativ me fuqinë e ligjit. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit koalicioni i majtë mori 83 vende në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që pas kalimit të deputetit të PR-së, Luan Duzha – drejt LSI-së, mazhoranca e majtë i ka në numër 84 votat, gjë që pritet t’i testojë për herë të parë në këtë mandat në seancë plenare.