Biznesi gjerman: Parapëlqejmë taksën e sheshtë!

0
170

Ervin Kaduku

 

Anette Kasten, kryetare e Dhomës Gjermane të Tregtisë në Shqipëri, është shprehur se më e rëndësishme se ndryshimet që do të ndodhin në sistemin tatimor, është dhënia e kohës për bizneset, të cilat tashmë kanë investuar në Shqipëri

 

gjermanjaBizneset e huaja do të parapëlqenin taksën e sheshtë në vend të asaj progresive, që pritet të zbatohet nga qeveria e re vitin e ardhshëm. Në një intervistë për median, Anette Kasten, kryetare e Dhomës Gjermane të Tregtisë në Shqipëri, është shprehur se më e rëndësishme se ndryshimet që do të ndodhin në sistemin tatimor, është dhënia e kohës për bizneset, të cilat tashmë kanë investuar në Shqipëri, në mënyrë që të llogaritin regjimin e ri të taksimit në planin e biznesit.

“Biznesi gjerman e konsideron taksën e sheshtë si mjaft të favorshme dhe tërheqëse për investitorët e huaj. Por, nëse qeveria shqiptare e konsideron taksën progresive si një formë më të drejtë të taksimit dhe që më pas do të marrë edhe masa për të ulur borxhin publik dhe për të balancuar buxhetin, ne do ta pranojmë atë. Vetëm se, nëse do të ketë ndryshime në sistemin e taksimit, qeveria duhet t’u japë kohë kompanive tona që të arrijnë të adoptojnë sistemin e ri dhe ta futin më pas në planin e biznesit”, – theksoi ajo.

Biznesi gjerman ka qenë një nga zërat kryesorë sa i përket ankesave për interpretimin e ligjit nga ana e organeve tatimore dhe gjobitjes së ndërmarrjeve në disa raste.

Sa i përket nismës së qeverisë që të përzgjedhë një kompani private, e cila do të ushtronte kontroll te bizneset e mëdha, Anette Kasten shprehet: “Ne nuk kemi përvojë të madhe me këtë procedurë të re, por nëse qeveria e re kërkon që të marrë një kompani auditimi private duket një ide e mirë. Por duhet të shohim rezultatet që do të ketë në praktikë. Fjala-çelës në këtë rast është: implementim sa më i drejtë”.

Sipas investitorëve gjermanë, më mirë se sistemi i taksimit është siguria për biznesin, kontroll i drejtë nga ana e organeve përgjegjëse dhe funksionim i plotë i sistemit të drejtësisë.

 

 

 

Haxhinasto: Nuk ndjekim dot ritmet e paraardhësve për Tiranë – Elbasan

Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Edmond Haxhinasto, ka theksuar dje se ritmet që do të ndjekë qeveria e re për përfundimin e segmenteve rrugore të filluara tashmë dhe që po ndërtohen me fonde nga buxheti i shtetit, do të jenë të ndryshme nga ato që realizoi qeveria “Berisha”. Nga ana tjetër, ai shtoi se para se të shlyhen borxhet që ka shteti ndaj privatit në rrugët, do të kërkohet kohë për të bërë inspektimet e punimeve në terren, çka shtyn në kohë këtë premtim të Kryeministrit Rama.

Haxhinasto ishte dje për një inspektim të ecurisë së rrugës Tiranë – Elbasan nga ku përsëriti faktin se qeveria është e vendosur që t’u shlyejë kompanive borxhin për investimet që ato kanë realizuar në rrugë, ashtu sikundër do të marrë masa specifike për të përmirësuar segmentet rrugore.
Gjatë inspektimit të punimeve, Haxhinasto tha: “Kjo rrugë është një kontratë e cila ka nevojë për një ritëm të ri për të përfunduar punimet dhe ç’është më e rëndësishmja, punimet do të përfundojnë në të gjitha elementet që ka projekti i kësaj vepre të rëndësishme”. Lidhur me standardet e kësaj rruge, ai theksoi se elementet kryesore janë standardet inxhinierike, ato të sinjalistikës, standardet e sigurisë në rrugë, që janë shumë të rëndësishme për banorët në të dyja anët e saj. Për sa u përket rrugëve që ende nuk kanë përfunduar si dhe shlyerjes së kontraktorëve, ministri tha: “Borxhet do të shlyhen, pasi ky është një angazhim i qeverisë së re, por më parë do të bëjmë verifikimin në terren, përqindjeve që janë realizuar nga kompanitë kontraktuale dhe sigurisht menjëherë do të vijojmë pagesën e detyrimit që kemi ndaj kompanive”.