Skllavëri moderne në Katar?

0
163

Mijëra vetë nga Azia Jugore kërkojnë çdo vit punë në shtetet e pasura të Gjirit Persik. Është një ëndërr për një jetë më të mirë. Por Kampionati Botëror 2022 hedh dritë mbi realitetin e ashpër, që i pret emigrantët atje.

 

16 tetor katarMë kishin premtuar punë në një ofiçinë. Por në Katar ne migrantët merreshim në punë nga sipërmarrësit e ndërtimit. Ata na detyronin të punonim për të gjitha llojet e firmave. Unë duhej të punoja në skela 100 dhe 200 metra të larta. Ishte e rrezikshme, por menaxherët bënin sikur nuk shikonin dhe na thoshin, se ne ishim vetë përgjegjës për sigurinë tonë”, – kështu i tregon Bide Majakoti, një punëtor migrant nga Nepali, Unionit Ndërkombëtar të Sindikatave, ITUC, se si është joshur dhe mashtruar nga agjencitë e rekrutimit.

Majakoti ishte nisur me shpresën për të fituar shpejt para në Katar. Por doli krejt ndryshe: “Kisha marrë një kredi me norma të larta interesi, që të shkoja në Emiratet Arabe. Por atje nuk mora rrogë dhe nuk munda ta paguaja kredinë. Me duheshin para për një operacion zemre për të shpëtuar jetën e sime bije dhe për këtë arsye m’u desh të shisja tokën time në Nepal. Tani jam në krizë”.

 

Praktika ilegale rekrutimi

Skela në lartësi marramendëse. Emigrantët në Katar punojnë shpesh në kushte të rrezikshme

Shumë nga afro 1,2 milionë punëtorët emigrantë në Katar përjetojnë abuzimin dhe shfrytëzimin në një dimension, që mund të përshkruhet si “skllavëria e shekullit të 21-të”, – shkruhet në një raport të ITUC. Shumica janë punëtorë të pashkolluar nga Nepali, India dhe Bangladeshi. Shumë prej tyre druhen të tregojnë historinë e tyre në media. Ata kanë frikë nga hakmarrja dhe dëbimi.

Mjerimi i emigrantëve shpesh fillon para ardhjes së tyre në Gjirin Persik. Të shtyrë nga varfëria, pabarazia sociale dhe mungesa e mundësive për punë në vendet e tyre ata shesin pronën e tyre dhe marrin hua për të paguar tarifat e larta të rekrutimit, që kërkojnë agjentët e migracionit. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) tarifat arrijnë nga 3.000 deri 10.000 dollarë amerikanë.

Problemet thellohen nga praktikat e ilegale të agjencive të rekrutimit. “Ndërmjetësit i joshin punëtorët me premtime të rreme për të përfituar sa më shumë. Shumë prej tyre i falsifikojnë lejet e punës dhe kontratat”, – thotë në intervistë me “Deutsche Welle”-n Nandita Baruah, eksperte për migracionin e punës dhe trafikimin e qenieve njerëzore në organizatën aziatike për zhvillim “Asia Foundation”. Shumë emigrantë janë të varur nga këto agjenci, ata nuk kanë kontakte të tjera dhe nuk njohin kanale të tjera, për t’u larguar nga vendi në mënyrë legale”.

Në vendin pritës punëtorët migrantë ballafaqohen me keqtrajtim dhe shfrytëzim. “Atje disa punëtorë emigrantë nuk marrin as punën dhe as rrogën, që u është premtuar. Kontratat e tyre grisen. Shumë sipërmarrës ua mbajnë pasaportat”, – thotë sekretarja e përgjithshme e ITUC, Sharan Burrow. “Përveç kësaj, burrat janë shpesh të detyruar të punojnë në kushte të rrezikshme nuk lejohen të organizohen në sindikata”. Shumë punëtorë sipas ITUC rrëfejnë për kampe pune të stërmbushura, për kushte johigjienike dhe për mungesë të ujit të pijshëm.

 

Kritikat shtohen

Kritika në botë rritet pas vdekjes së shumë punëtorëve në punimet për kampionatin botëror të futbollit. Shfrytëzimi i punëtorëve emigrantë thellohet nga i ashtuquajturi sistemi “Kafala”. Ai u ndalon punëtorëve që të ndërrojnë punë dhe të largohen nga vendi pa lejen e punëdhënësit. Edhe pse ligji i punës në Katar përmban kufizimin e orarit të punës dhe i obligon sipërmarrësit që të garantojnë pagat, strehimin dhe kujdesin shëndetësor, shumë rrallë zbatimi i tij kontrollohet nga autoritetet, thonë ekspertët.

Sipas një raporti të organizatës të të drejtave të njeriut Human Rights Watch të këtij viti qeveria e Katarit ka të punësuar vetëm 150 inspektorë. Kontrollet e tyre nuk përfshijnë bisedat me punëtorët. Unioni Ndërkombëtar i Sindikatave, ITUC, kritikon Emiratin e Katarit se nuk ofron procedura të mjaftueshme për ankesat e punëtorëve. E pyetur nga “Deutsche Welle” lidhur me këto akuza Ministria e Punës në Doha nuk u përgjigj.

Në një kohë që ky shtet i Gjirit, i pasur me depozita natyrore të gazit, nis një program miliardësh për ndërtimet për kampionatin botëror të futbollit 2022, ai bie gjithnjë e më shumë nën presionin ndërkombëtar. Kritika për vdekjen e dhjetëra punëtorëve emigrantë në lidhje me projektet e ndërtimit për kampionatin Botëror shtohet.

 

FIFA është “shumë e brengosur”

Kritikat u shkaktuan nga një informacion i gazetës britanike “The Guardian”. Ajo raportonte se gjatë verës në Katar, ku temperaturat mund të arrijnë deri në 50 gradë, kishin gjetur vdekjen 44 punëtorë migrantë nepalezë. Katari reagoi me njoftimin se do ta dyfishojë numrin e inspektorëve dhe do të emërojë një firmë e pavarur ligjore për të shqyrtuar të gjitha ankesat. Megjithatë autoritetet e hodhën poshtë akuzën, se emigrantët nepalezë trajtohen “si skllevër”.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit, FIFA, në një deklaratë për “Deutsche Welle” shprehu “shqetësim të madh” lidhur me raportet e mediave. Ajo njoftoi se do t’u shprehë autoriteteve të Katarit shqetësimet për shkeljen e të drejtës së punës dhe kushtet e vështira të punës në projektet e ndërtimit për Kampionatin Botëror.

 

Ndryshime në sistem

Ekspertët tërheqin vëmendjen se fenomeni i keqtrajtimit të emigrantëve dhe mohimi i drejtave të punës nuk shfaqet vetëm në Katar. Edhe në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajt dhe Malajzi, janë dokumentuar kushte të ngjashme shfrytëzimi. Ekspertët mendojnë se në këto vende janë të nevojshme ndryshime të rëndësishme strukturore për të përmirësuar kushtet e punës dhe të jetesës të punëtorëve migrantë.

Vetëm Emirati i Katarit në vitet e ardhshme do të ketë nevojë për rreth një milionë punëtorë të tjerë për të zgjeruar infrastrukturën dhe për të ndërtuar stadiume futbolli për Kampionatin Botëror. “Presioni ndërkombëtar, sidomos nga ana e shteteve, që marrin pjesë në Kampionatin Botëror dhe nga bota sportive është i domosdoshëm”, – thotë Nandita Baruah. “Ne duhet të pyesim veten, nëse ndërgjegjja jonë na e lejon të luajmë në stadiumet dhe objektet, që janë ndërtuar me gjakun e punëtorëve migrantë”.

 

 

Portugalia duhet të shtrëngojë edhe më shumë rripin

Qytetarët në vendin më të varfër të Evropës Perëndimore e dinin pak a shumë se çfarë i priste, por projektbuxheti i qeverisë së qendrës së djathtë të Kryeministrit Pedro Passos Coelho kërkon në shkallë të konsiderueshme më shumë sakrifica financiare sesa pritej më parë. Fillimisht për vitin 2014 ishin parashikuar kursime prej 2.5 deri në 3.3 miliardë euro. Tani, buxheti i shtetit do të shkurtohet me 3.9 miliardë euro.

Ministrja e Financave, Maria Luis Albuquerque, e quajti zbatimin e kursimeve të parashikuara si “vendimtare për të ardhmen” e vendit të saj: “Këto përpjekje janë të nevojshme për të përmbyllur me sukses programin tonë të ndihmës, i cili përfundon në qershor të vitit 2014. Këto sakrifica janë të nevojshme për të siguruar të ardhmen”.

Pothuajse asnjë portugez nuk do të shpëtojë pa u prekur nga kursimet. Megjithatë, më së shumti do të goditen nëpunësit dhe pensionistët: atyre u duhet të heqin dorë nga 2.5 deri në 12 për qind të të ardhurave të tyre mbi bazën minimale të garantuar prej 600 € bruto. Edhe pagesat e pensioneve që kalojnë shumën prej 600 euro e më lart do të shkurtohen me 10 për qind. Po ashtu qeveria po mendon të shkurtojë edhe pensionet e vejushave.

Qeveria kishte njoftuar më parë se në buxhetin e ardhshëm do të ketë shkurtime të mëdha. Kursimet prej gati katër miliardë euro në vendin e Eurozonës të përfshirë nga kriza, janë të nevojshme për të arritur qëllimin e deklaruar për reduktimin e deficitit buxhetor të vitit të ardhshëm, në 4.0 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, kritikët u frikësohen trazirave sociale për shkak se popullata është së tepërmi e ngarkuar.

Eurogrupi dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kanë mbështetur në maj të vitit 2011 Lisbonën me një kredi emergjente prej 78 miliardë euro. Kusht për dhënien e kredisë ishte që qeveria portugeze të angazhohej për kursime të vështira dhe reforma gjithëpërfshirëse. Programi i ndihmave përfundon në qershor të vitit 2014 dhe pastaj Portugalia mund të kthehet përsëri në tregjet financiare. Por planet për kursime të qeverisë portugeze janë penguar në mënyrë të përsëritur nga ana e Gjykatës Kushtetuese të vendit. Në gusht, gjyqtarët hodhën poshtë si antikushtetues një plan, i cili parashihte mbylljen e mijëra vendeve të punës në sektorin e shërbimit civil.

 

 

Rusi

Nuk do të ketë burgim për kritikun e Kremlinit, Navalny

 

Nawalny vetë kishte kërkuar shpalljen e pafajësisë në fillim të procesit. Dënimi për abuzim me fonde publike është “i paligjshëm dhe me motive politike”, – deklaroi kritiku i Kremlinit. Gjykatësi i shkallës së parë e pati pranuar të pandryshuar aktpadinë dhe kjo tregon se ai “ka vepruar me porosi”, – kritikoi bloggeri 37-vjeçar. Prokuroria kishte kërkuar refuzimin e apelimit nga Nawalny.

Politikani opozitar ishte dënuar në korrik me pesë vjet heqje lirie, pasi akuzohej se i kishte shkaktuar një dëm ekonomik prej 372.000 eurosh firmës shtetërore “Kirowles” me anë të konsulencës së dobët. Dënimi u pezullua deri në seancën e apelit. Skena për procesin e apelit në të cilin Nawalny bashkë me të akuzuarin tjetër Pjotr Ofizerow, u mbrojtën ndaj akuzave për përvetësim, ndodhej rreth 900 kilometra në lindje të Moskës, në qytetin Kirow. Opozitari më i njohur i Rusisë e përdori paraqitjen e tij në gjyq për t’u pozicionuar edhe më tej qartë kundër Presidentit Vladimir Putin. “Putin-Hajdut” shkruhej në një pusullë të ngjitur mbi laptopin që juristi dhe kritiku i Kremlinit mori me vete në bankën e të akuzuarit. Ndërkohë që mbështetësit e tij protestonin para ndërtesës së gjykatës në Kirow, ai vetë njoftoi se do ta vazhdojë luftën politike. Nawalny tha se kjo ndoshta nuk do të jetë hera e fundit që ai ndodhet para gjyqit.

Vëzhguesit e konsiderojnë procesin kundër kritikut të Kremlinit të motivuar politikisht. Në shtator Nawalny arriti të merrte 27 për qind të votave në zgjedhjet për kryetar bashkie në Moskë, shumë pranë kandidatit të Kremlinit Sergej Sobjanin. Meqenëse vendimi i instancës së parë nuk kishte ende fuqi ligjore, Nawalny mbeti në gjendje të lirë pas vendimit të gjykatësve në korrik dhe në shtator mundi të kandidonte në zgjedhjet për kryebashkiakun e Moskës.

Vendimi i apelit vërtet e çliron nga dënimi me heqje lirie por gjatë periudhës së lirisë me kusht 37-vjeçari nuk mund të kandidojë për asnjë post politik, pra as për zgjedhje si p.sh. për Dumën (parlamenti rus).