Info sport

0
185

 

Reali i Madridit fillon rikonstruktimin e stadiumit

74086Në verën e 2014-ës mund të fillojnë punimet për rikonstruksionin e stadiumit “Santiago Bernabeu”. Katër projekte janë në garë për t’i dhënë një pamje të re gjigandit të futbollit spanjoll dhe botëror. Klubi i Realit të Madridit duhet të zgjedhë në fund të këtij muaji se cili do të jetë projekti fitues, por për momentin çështja kryesore është kostoja financiare: Reali pritet të shpenzojë 400 milionë euro, ndërsa 200 prej tyre mund të vijnë nga një sponsor. Lajmi është bërë publik nga vetë presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez.

 

 

Napoli – Roma, duel edhe në femra

Nesër e gjithë Italia, dhe jo vetëm ajo, i ka sytë te supersfida e javës së tetë të Serisë A, Roma-Napoli. Sfida e “Olimpico”-s mes dy kryesuesve aktualë të kampionatit italian pritet të dhurojë spektakël dhe gola në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Përveç dy tifozerive rivale me njëra-tjetrën dhe për të cilët janë marrë masa të ashpra sigurie, në shkallët e stadiumit dhe para televizionit do të ketë edhe disa prej show-girl-ave të ekranit italian, një pjesë e tyre tifoze verdhekuqe dhe disa napolitane.

 

Piloti 26-vjeçar, vdekje tragjike në pistë

Është shuar në moshën 26-vjeçare Shon Eduards, piloti britanik i automobilizmit, aktualisht lider i kampionatit “Porsche Supercup”. Ndoshta emri i tij nuk thotë shumë, por në të vërtetë në botën e motorëve ai ishte një yll. Ishte një pilot i mirë dhe kishte marrë pjesë edhe në gara të rëndësishme si 24-Orëshi i Le Mans-it. Shon ndodhej në Australi në rolin e instruktorit dhe po merrte pjesë në një kurs azhornimi për pilotët e rinj. Ai ishte pasagjer në makinën e drejtuar nga një 20-vjeçar. I riu ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një mur gomash. Makina ka marrë flakë dhe piloti ka mbetur i plagosur, ndërsa për Shonin është verifikuar tragjedia. Shon ishte i famshëm edhe për diçka tjetër. Babai i tij ishte Gaj Eduards, që për një kohë të shkurtër ishte pilot i Formulës 1 dhe që hyri në histori, pasi i shpëtoi jetën pilotit Niki Lauda në vitin 1976, në incidentin e tmerrshëm ku Ferrari i austriakut mori flakë dhe ai u plagos. Incidenti ku babai i Shonit u bë hero tregohet edhe në filmin e Ron Hauard, “Rush”, që po transmetohet në sallat e kinemasë. Filmi bazohet në rivalitetin mes Laudës dhe Xhejms Hantit dhe shmangien e tragjedisë në momentin kulmor të historisë.

 

 

Anjeli ironizon Interin: Tajlanda e Italisë

Në të tillë situatë është presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, që ka dhënë mendimin e vet në lidhje me ardhjen e Erik Tohirit tek Interi, por nuk i ka kursyer dozat e ironisë. Xhakartone – Numri një i klubit bardhezi postoi në profilin e tij social në “Facebook” një mesazh me shumë ironi, për më tepër provokues: “Kryeqyteti i Indonezisë do të riquhet sot më 15 tetor… jo më Xhakarta, por Xhakartone”. Për ata të cilët nuk e kapin ngacmimin e presidentit, ja cili është shpjegimi. Ai fitim i titullit kampion nga ana e Interit në 2005/20006, që u mor pasi plasi skandali i çështjes “Calciopoli” u quajt nga bardhezinjtë “prej kartoni”. E pikërisht nga ky fakt rrjedh loja e fjalëve. Por, duket se ndërsa të shumtë kanë qenë bardhezinjtë që kanë pëlqyer këtë status të numrit një të klubit, shumë të tjerë zikaltër e kanë kritikuar atë dhe ngacmimet mes palëve në vazhdim nuk kanë munguar. Gjithsesi, duket se mes dy klubeve ka paqe. Sipas “Sportmediaset”, para se të postonte statusin, mes Moratit dhe Anjelit ka pasur një telefonatë dhe juventini ia ka treguar atij. E sigurtë është që të qeshurat s’kanë munguar mes të dyve.

 

Barcelona hap dyert për talentet në Kosovë

Një ndër klubet më me emër në futbollin botëror, FC Barcelona, së shpejti do të hapë dyert e saj edhe për talentet e rinj të futbollit kosovar. Katër herë kampionët e Evropës kanë vizituar Kosovën pas ftesës që i bëri tifozi dhe miku i madh i klubit katalanas, Florim Limaj. Në vizitën e djeshme në Prishtinë, delegacionin e Barcelonës e kryesonte ikona e klubit Josep Maria Fuste, këshilltar i parë i Presidentit Sandro Rosel dhe mik i ngushtë i Pep Guardiolës. Ai u shpreh pas kamerave se politikat e klubit nuk mund të bëhen publike pa u vendosur më parë detajet rreth hapjes së kampit në Kosovë, detaje të cilat do të zbulohen më 30 tetor kur në Kosovë do të arrijë drejtori i Akademisë së famshme “La Massia”, Ksevi Marse. Delegacioni i gjigantit katalanas u prit nga Bordi i Pena-s, grupacionit të tifozëve të Barcelonës për Kosovën. Drejtori gjeneral i klubit katalanas për zbulim të talenteve në botë, Hoze Karlos Garsia, deklaroi disa herë që projekti për hapjen e kampit të Barcelonës në Kosovë është tejet serioz. “Është me të vërtetë projekt shumë serioz dhe veç Kosovës ne jemi të interesuar për zbulimin e talenteve edhe në vendet e tjera të rajonit. Ne jemi duke hartuar një plan biznesi dhe dëshirojmë që Kosova të jetë qendër e klubit tonë për Ballkan”, – deklaroi Hoze Karlos Garsia.

 

Andi Murrei, prova antidoping

Tenisti Andi Murrei, fitues i turneut të fundit “Wimbledon” dhe britaniku i parë pas 77 vitesh, ka qenë i ftuar në Buckingham Palace për të tërhequr nga duart e vetë Princit Uilliam “Titullin e Nderit” të Mbretërisë Britanike. Por para kësaj ka pasur edhe një ndodhi shumë interesante. Teksa bëhej gati për të shkuar në Pallatin Mbretëror, tenisti skocez është dashur të përballet me një test surprizë antidoping, por kjo nuk e ka nervozuar aspak Murrein, që shkruan në “Twitter”: “Në mes të një testi të bukur antidoping, do të bëhem vonë”. Andi Murrei do të rikthehet në fushat e tenisit vetëm pas një viti, për shkak të një operacioni që kreu në shpinë.