Elton Qyno
Zbardhet biseda mes Fatmir Leshit dhe mjekut Petrit Brano gjatë mjekimit të Elvira Leshit
Tre mjekë të spitaleve Berat e Kuçovë, të pandehur për akuzën e “Mjekimit të pakujdesshëm”
“Nuk ka gjë, gruaja jote bën vetë si e sëmurë”. Kjo ka qenë përgjigjja që mjeku i urgjencës së Beratit, Petrit Brano, i ka dhënë një qytetari, të cilit pas një ore i ka vdekur gruaja ndër duar. Vdekja e Elvira Leshit në spitalin e Kuçovës ka bërë që tre mjekë të këtij spitali të merren të pandehur për akuzën e “Mjekimit të pakujdesshëm” dhe se çështja në ngarkim të tyre tashmë i ka kaluar për gjykim Gjykatës së Beratit. Petrit Brano, Petrit Toska dhe Mirushe Tabaku janë gjendur fajtorë nga organi i akuzës, pasi nuk i kanë dhënë ndihmën e duhur mjekësore shtetases Elvira Leshi, e cila është paraqitur në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Kuçovës. Pas kësaj ajo është transportuar në Berat për një mjekim më të kualifikuar dhe në urgjencën e Spitalit Rajonal Berat, pacientja është pritur dhe trajtuar nga mjeku Petrit Bano. Pasi ka qëndruar rreth 30 minuta në këtë repart urgjence, Elvira është lënë e lirë për t’u kthyer sërish për në spitalin e Kuçovës, ku ka gjetur vdekjen rreth orës 18:05.
Dëshmia e bashkëshortit
Nga hetimet paraprake dhe studimi i të dhënave të dokumentuara në kuadrin e këtij procedimi penal ka rezultuar e provuar se në 12 tetor 2012, rreth orës 12:40, pranë shërbimit të urgjencës, spitali Kuçovë, është paraqitur për ndihmë mjekësore pacientja Elvira Leshi nga fshati Velagosht. Kjo paciente është shoqëruar për në këtë spital nga infermierja e fshatit Merushe Tabaku, e cila kishte bërë ndaj saj një trajtim mjekësor, para se të paraqiteshin në këtë repart urgjence. Si është paraqitur në urgjencën e këtij spitali, pacientja është regjistruar me diagnozën: “Neuroze për determinim”, veprim i cili është bërë nga mjeku i urgjencës Petrit Toska. Pasi është trajtuar fillimisht tek ky spital, nga mjeku i urgjencës Petrit Toska dhe gjendja e kësaj pacienteje nuk po ndryshonte, është përcjellë më pas për në Spitalin e Beratit, ku ka mbërritur rreth orës 17:20. Në repartin e urgjencës së Spitalit rajonal Berat, pacientja është pritur dhe trajtuar nga mjeku Petrit Bano. Pasi ka qëndruar rreth 30 minuta në këtë repart urgjence, Elvira është lënë e lirë për t’u kthyer sërish për në Spitalin e Kuçovës, ku ka gjetur vdekjen rreth orës 18:05. Lidhur me këtë ngjarje, deklaruesi Fatmir Leshi, njëherësh dhe bashkëshorti i i të ndjerës, ka shpjeguar se ditën e ngjarjes, datë 12.10.2012, rreth orës 12:00 – 12:30, kohë kur ndodhej në Kuçovë, e ka marrë në telefon mamia e fshatit Merushe Tabaku, e cila i thotë se Elvira ishte e sëmurë dhe po e niste me një furgon të fshatit për në Spitalin Kuçovë. Deklaruesi Fatmir është nisur menjëherë në drejtim të Spitalit Kuçovë, kohë kur aty ka mbërritur dhe furgoni i fshatit në të cilin ndodhej bashkëshortja e tij e shoqëruar nga infermiere Merushe Tabaku. Si kanë zbritur nga furgoni janë paraqitur në repartin e urgjencës së këtij spitali, ku mjek urgjence ka qenë mjeku Petrit Toska, i cili ka bërë vizitën e kësaj paciente si dhe trajtimin mjekësor. Pasi ka qëndruar me urgjencë rreth 1 orë dhe gjendja e Elvirës nuk po ndryshonte, Petriti i ka thënë që të shkonim në Spitalin e Beratit, pasi aty bëheshin analiza dhe ekzaminim më i saktë. Si ju është vënë në dispozicion një ambulancë e këtij spitali, janë nisur në drejtim të Spitalit Rajonal Berat.
Mjeku: Gruaja bën vetë
Kanë mbërritur në repartin e urgjencës së këtij spitali, ku Elvira Leshi është vizituar nga mjeku i urgjencës Petrit Bano. Ky mjek i ka thënë infermieres për t’i bërë gjilpërë dhe di që i janë bërë 3 gjilpëra, por se çfarë konkretisht, nuk mund të jap dot ndonjë të dhënë të saktë. Pas kësaj, ky mjek e ka thirrur me vete bashkëshortin dhe i ka thënë “se nuk ka gjë, bën vetë”, duke e sqaruar që ta çonin sërish për në spitalin e Kuçovës. Kanë marrë rrugën për kthim në Kuçovë dhe pa mbërritur tek vendi i quajtur Meteor, pacientja ka prerë gojë dhe fliste me pëshpërima, sqaron më tej ky deklarues. Kur ka mbërritur tek spitali i Kuçovës, nga mjeku Petrit Toska i është thënë se pse e solle prapë këtu. E kane mbajtur pacienten në urgjencën e këtij spitali për gati 20-30 minuta, kohë kur ajo ka gjetur vdekjen.
Prokurori komandohet në këtë detyrë për 4 muaj
Besnik Muçi zë vendin e Belurit prezantohet si zv.drejtues prokurorie
Besnik Muçi emërohet si zv.drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Muçi vjen në këtë post pas komandimit të Kosta Belurit në krye të Prokurorisë së Vlorës, ndërkohë që Muçi ka qenë pjesë e Krimeve të Rënda prej disa vitesh me radhë. Emërimi i tij është bërë nga kryeprokurori Adriatik Llalla, ndërkohë që mesditën e djeshme është bërë prezantimi i Muçit para kolegëve të tij të Krimeve të Rënda. Këtë detyrë Besnik Muçi e merr pa disa vite shërbimi në këtë prokurori, ndërkohë që dy javë më parë ai sapo la kreun e Prokurorisë së Kavajës. Në këtë post ka qëndruar i komanduar për katër muaj me radhë dhe më pas sërish është rikthyer në Tiranë, ku tashmë do të qëndrojë sërish i komanduar në krye të Krimeve të Rënda. Prokurori Muçi gjatë punës së tij hetimore ka hetuar dhjetëra dosje me rëndësi, ndërkohë që kohët e fundit ka shërbyer në sektorin e goditjes së aseteve financiare të krimit të organizuar. Muçi kujtohet si prokurori që hetoi veprimet arbitrare të ndërtimit të mbikalimit të Zogut të Zi në Tiranë. Ndërkohë që, veç kësaj dosje, ai ka hetuar anëtarët e grupit “Hijet e natës”, si dhe disa grupe të tjera kriminale, që kishin si specialitet trafikun e heroinës nga Shqipëria në drejtim të shtetit Italian.
Kapshticë
Policia greke bllokon 37 kg drogë
Policia kufitare greke ka sekuestruar këtë të premte një sasi prej 37 kilogramë marijuanë në pikën kufitare të Kapshticës. Sipas burimeve të policisë lokale, lënda narkotike ishte fshehur në bagazhin e një automjeti i cili drejtohej nga një shtetas shqiptar. Mësohet se në pranga kanë rënë dy persona, drejtuesi i automjetit, 25 vjeç dhe një pasagjer, të dy shtetas shqiptarë. Policia gjithashtu sekuestroi edhe dy telefona celularë si dhe 150 Euro. Rasti në fjalë është duke u ndjekur dhe nga policia shqiptare për më mësuar bashkëpunëtorët e tjerë të këtij trafiku narkotikësh.
Ngjarja në Berat
Aksidenti, plagosen pesë persona
Si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në rrugën nacionale Berat – Lushnjë mesditën e djeshme kanë mbetur pesë persona të plagosur. Sipas policisë lokale, mësohet se dy makina me targa, BR 9155 A dhe BR 7003 A, janë përplasur me njëra tjetrën në vendin e quajtur Moravë në këtë aks rrugor. Burimet raportojnë se të plagosurit, dy drejtuesit e mjeteve, Vladimir Milova, 53 vjeç, dhe Arben Bakërri, si dhe 3 pasagjerë, janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Nuk ka ende të dhëna për identitetin e tyre por mësohet se janë dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Dyshohet se shkak i aksidentit është bërë një parakalim i gabuar i mjetit me targa BR 7003 A që për pasojë i ka zënë rrugën mjetit tip “Mercedes-Benz” që udhëtonte përballë tij. Sakaq që policia ka nisur hetimet për aksidentin.
Ngjarja në Tiranë
Makina përplaset dhe merr flakë
Një makinë është përplasur me një bordurë tek zona e Liqenit Artificial. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:10 minuta, në zonën e njohur si Liqeni i Thatë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcë të shumta policie që kanë nisur hetimet. Makina është tip “Hyundai” me targa të huaja, BD 484 KM. Mësohet se fillimisht policia është njoftuar për një shpërthim në një makinë, por gjatë hetimeve, policia ka zbuluar se, zhurma e shkaktuar nga aksidenti, ka bërë që banorët të njoftonin për një shpërthim në një makinë. Nuk ka dëme në njerëz, ndërsa makina është djegur pjesërisht. Bashkë me policinë kanë shkuar edhe forcat zjarrfikëse. Shkak i aksidenti ka qenë humbja e kontrollit nga drejtuesi i mjetit.