Poeti gjenial: Portret i Georg Büchnerit

0
167

 

20 tetor poetiPara 200 vitesh lindi njëri nga poetët gjenialë gjermanë, Georg Büchner. Emri i tij kujtohet sot me dhënien e çmimit më të rëndësishëm letrar gjerman. Büchner shkroi pak, por dramat e tij luhen ende në të gjithë botën.

Me nocionin e gjeniut duhet vepruar me kujdes. Por bota akademike është e një mendimi në këtë pikë: Poeti Georg Büchner, i lindur 17 tetor 1813 mund të cilësohet si njëri nga gjenitë e kulturës gjermane. Me rastin e 200 vjetorit të lindjes së poetit, Gjermania e kujton shkrimtarin gjenial me një jetë shumë të shkurtër përmes shumë aktivitetesh, madje muaj para datëlindjes së tij.

Shkrimtari gjerman, Peter Schneider në një intervistë për radion gjermane “Deutschland Funk” e kujton Büchnerin si një shkrimtar gjenial. “Ai ka krijuar kaq shumë, madje edhe tekste që nuk kishin të bënin me politikën. Një jetë e prerë shumë herët, një gjeni i papërfytyrueshëm. Madje nuk mund të kuptosh se kur ia ka dalë ai t’i shkruajë gjithë këto. Büchneri edhe studionte në ato vite, e ky ishte angazhimi i tij kryesor. Ai ishte studiues i shkencave natyrore.”

Perceptime të ndryshme

Në rastin “Georg Büchner”, studiuesit e letërsisë zhvillojnë prej kohësh një debat të fortë për interpretimin e shkrimtarit. Për njërën palë ai është një revolucionar i çështjeve sociale, që ka kapur edhe penën. Ndërsa për palën tjetër një romantik i vonë, i angazhuar politikisht që në vitet e hershme të rinisë, por edhe një shpirt i shqetësuar që donte të kuptonte se çfarë e bashkon botën.

Tre pjesë teatrale, një novelë, një pamflet politik, disa letra, dhe një numër jo i madh tekstesh shkencore – kjo është e gjithë pasuria e jetës së tij të shkurtër. Büchner i lindur në Darmstadt filloi studimet e mjekësisë në moshën 19 vjeç dhe dorëzoi doktoraturën me një punim mbi strukturën nervore tek peshqit. Në moshën 23 vjeçare ai nisi punën si docent privat në Zyrih, por shumë pak kohë më vonë vdiq nga tifoja në rrethana të trishtueshme në Zvicër.

Nga revolucionar në mendimtar

“Si mundet që një i ri në një kohë kaq të shkurtër të krijojë një vepër me një ndikim kaq të madh në botë”? pyet Hermann Kurzke, i cili në vitin e jubileut të Büchnerit ka botuar një biografi voluminoze. Studiuesi Kurzke e sheh Büchnerin para së gjithash si mendimtar dhe poet – duke iu kundërvënë kështu disa ekspertëve të mëparshëm të poetit. Në Republikën Demokratike Gjermane, por edhe në Republikën Federale në vitet 70-të, Büchner trajtohej si një shkrimtar revolucionar, i angazhuar për çështjet sociale.

Argumentat për Büchnerin si shkrimtar revolucionar vijnë nga një shkrim politik i Büchnerit për lëvizjen revolucionare në Gjermani në vitet 1830, “Korrieri nga Heseni”. Asokohe nuk mund të flitej për kombin gjerman, siç njihet sot. Dukatet dhe principatat e dikurshme e bënin Gjermaninë një peizazh të arnuar kombëtar. Büchner në pamfletin e tij ngrihej kundër padrejtësisë sociale dhe shtypjes në dukatin e madh të Hesen-Darmshtadit. Me përkrahësit e tij, Büchner synonte rrëzimin e princit të atëhershëm. Gjithçka dështoi. Pati arrestime, dënime kundër organizatorëve, burgime. Büchner arratiset në Strasburg, ku kishte filluar studimet e mjekësisë.

Nga kjo kohë krahas studimeve, poeti iu kushtua krijimtarisë. Në veprën “Vdekja e Dantonit”, ai trajtoi temën e revolucionit francez dhe përvojën e tij. Këtë vepër e vënë në skenë sot edhe teatrot francezë. Shkrimtari gjerman Peter Schneider vlerëson tek veprat e Büchnerit ndërlidhjen e elementëve psikologjikë dhe politikë. “Ky është gjenialiteti i Büchnerit, që këto dy elementë nuk mund të ndahen. Edhe figurat revolucionare të përshkruara në “Vdekjen e Dantonit” janë në të njëjtën kohë pasqyrime shpirtërore, karaktere që mbajnë me vete edhe parrullat politike.”

Por me veprën tjetër “Leonce dhe Lena” shkrimtari e la shtegun revolucionar dhe u përpoq të bëjnë psikogramën e njeriut. Për Hermann Kurzken një paradoks: “Büchner futet pa dyshim tek historia e çlirimit të njerëzimit, edhe pse shumë elementë aty janë melankolikë, e ai përshkruan dështimin e revolucionit në kohën e tij.”

Psikologjia e poetit

Por me dramën e tij “Ëoyzeck”, Georg Büchner trajton edhe një herë padrejtësinë e vështirësitë sociale në botë. Për shumë studiues të poetit, që shohin tek ai vetëm ideologjinë, kjo dramë është ushqimi i duhur. Këtu shkruan dikush për revolucionin dhe konfliktin mes të pasurve dhe të varfërve. Büchner shihet si pararendës i ideologjive socialiste. Por Kurzke e sheh këtë si një interpretim shumë miop. Studiuesi përmend veprën tjetër “Lenz” që ka në qendër një poet të sulmuar nga demonët. Një studim kompleks i psikikës njerëzore. “Ai e ndjente potencialin e çrregullimit brenda vetes dhe u çlirua prej tij, përmes përshkrimit të një poeti që çmendet”, analizon studiuesi Kurzke.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency