Adnan Januzaj ,18-vjeçari që paguhet më shumë se Ronaldo dhe Runi

0
169

Talenti Adanaj Januzaj është kthyer në sensacionin e këtij sezoni futbollistik. Kosovari duket se po ndërton mirë emrin e tij në futbollin ndërkombëtar.

 

Kitchee FC v Manchester UnitedJanuzaj është kthyer në një ndër lojtarët që duket se po bën më mirë se shumë të tjerë. Djaloshi 18-vjeçar u kthye në një sensacion pas golave të shënuar ndaj Sanderlendit. Dy gola që duket se i ndryshuan edhe trajektoren. Pas kësaj mediat kanë filluar të mbushin faqet e gazetës me lajme për lojtarin. Shumë e konsiderojnë si një supertalent. Ndërsa të tjerë shpresojnë që lojtari të arrijë të bëhet edhe një ndër më të mëdhenjtë në botë. Mesfushori është futbollisti i ri që ka kontratën më të shtrenjtë në historinë e Junajtidit. Edhe pse zyrtarisht nuk ka një shifër për shumën e parave që do të përfitojë 18-vjeçari, “Sunday People” raporton se paga bazë e tij thuhet të jetë 70 mijë euro në javë ndërsa po ashtu do të marrë plus edhe 6 milionë euro, që ka pranuar të nënshkruajë kontratën të cilët do t’i dhurohen në pagë javore nga 25 mijë euro javë për pesë vite. Kjo kontratë e bën shqiptarin të tejkalojë shifrat që janë paguar në të kaluarën Kristiano Ronaldon e Uejn Runi si futbollistë të rinj, si edhe përfitimet e tij janë shumë më të mëdha në raport me futbollistët e rinj aktualë, si: Dani Uellbek, Kris Smalling, Fill Xhons dhe Tom Kleverli. Edhe tema e kombëtares duket se ka sjellë shumë zhurmë për të për faktin sepse ai akoma nuk ka vendosur se për cilën kombëtare mund të luajë. Spekulimet në Angli madje kanë sjellë edhe informata të reja. Mundet që Adnani të bëhet lojtar i kombëtares së “tre luanëve”, një vendim që do ta bënte pjesë të skuadrës së Roy Hoxhsonit. Mirëpo atij i duhet të presë që të plotësojë pesë vjet për të marrë nënshtetësinë angleze. Veprim që duket paksa i parealizueshëm, pasi lojtarit i duhet që të presë edhe disa vite pa kombëtare. Madje, në tabloidin “Mirror” një analist sportiv i njohur ka bërë një koment për rastin e Januzajt. Ai ka thënë: “Adnan Januzaj nuk duhet të luajë për Anglinë. Nëse adoleshenti i Mançester Junajtidit do të kishte lindur në Bolton dhe jo në Bruksel, do të dëshiroja ta shikoja me fanellën e kombëtares së “tre luanëve”. Nëse e ëma ose i ati do të ishin anglezë apo gjyshërit e tij do të kishin prejardhje nga Blajti, atëherë do t’i kërkoja trajnerit Roi Hoxhson ta përfshinte në listën e tij me çdo kusht për ta marrë në Brazil. Por nëse është e vërtetë që Federata Angleze po punon për të zhvlerësuar rregullin e qëndrimit 5-vjeçar në Britani, në mënyrë që të bëjë të mundur aktivizimin e Januzajt me Anglinë, atëherë ne duhet të ndalemi gjatë dhe të reflektojmë. Pasaporta e tij do të ishte një pasaportë e dhënë për arsye interesash. Unë jam i pari ai që them se Adnani është një lojtar i mirë dhe këtë e pashë në ndeshjen kundër Kristal Pallasit. Ai tashmë ka gjithë botën nën këmbët e tij, por nuk është anglez. Edhe nëse FIFA do të mbyllë njërin sy për ta lejuar aktivizimin e tij me Anglinë, do të ishte një vendim i gabuar. Shqipëria, Belgjika, Serbia dhe Turqia kanë çdo të drejtë legjitime për ta kërkuar Januzajn të veshë fanellën e kombëtareve të tyre, por Anglia jo, jo tani, jo pas 5 vjetësh, madje asnjëherë”. Një deklaratë që duket se e mban larg derës së “tre luanëve”. Por sa shanse ka që të luajë me Shqipërinë? Lojtari disa ditë më parë bëri një intervistë për televizion kombëtar duke thënë se zgjedhjen e kombëtares e ka në dorë babai i tij. Mirëpo babai tij ka bërë një deklaratë që nuk ka dhënë shenja të mira. Ai ka deklaruar se FSHF nuk është treguar serioze dhe nuk ka bërë asnjë kërkesë për lojtarin. Madje, të gjitha gjërat që thuhen në media, sipas tij, janë vetëm shpifje, pasi asnjëri nuk është munduar të kontaktojë. Menaxheri dhe njëkohësisht babai i lojtarit ka pranuar të afrohen disa herë me anë të Lorik Canës, por që nuk është një lëvizje e duhur. Ai deklaroi se nëse Shqipëria ka një ftesë zyrtare për të bërë, duhet ta bëjë me njerëzit e duhur, profesionistë të kësaj fushe. Por e rëndësishme është se ai nuk e mohoi mundësinë që djaloshi të luajë me Shqipërinë. Një deklaratë tjetër që e afron edhe më shumë Januzaj drejt kombëtares shqiptare është edhe një deklaratë e fundit nga shoku i tij. “Anglia? Nuk besoj se do luajë për ta. Diskutonim shpesh për kombëtaret dhe ai nuk pushonte së foluri për Lorik Canën. Unë i thosha: ‘Po ne kemi Kompanin dhe Fellainin’. Dhe ai më përgjigjej: ‘Po, por nuk jeni aq të mirë’. Fansat shqiptarë e njohin Adnanin qëkur ishte 15 vjeç dhe tani pasi ai shënon 2 gola papritur, dalin fansat belgë dhe fillojnë të marrin shënime. Ai mund të bëjë histori me Shqipërinë, t’i udhëheqë në një turne të madh dhe ata do të flasin për të për 50 vjet. Ose do të zgjedhë Belgjikën për të pasur mundësi të luajë gjithmonë në turne të mëdhenj, por do të jetë thjesht një nga shumë lojtarët e mirë”, – ka deklaruar Kindermans për tabloidin britanik. Në deklaratën e tij të fundit, një shok i skuadrës së tij duket se ka dhënë edhe një vlerësim për lojtarin. Mbrojtësi i Mançester Junajtidit, Fil Xhons, ka lavdëruar bashkëlojtarin e tij, Adnan Januzaj, për fillimin e mahnitshëm të sezonit. “Është një presion i madh që vjen në Premier League në një moshë aq të re. Është një testament për të, që ai ka bërë një punë aq të shkëlqyeshme. Ai është i mprehtë, ka këmbë të shkathëta dhe do të bëjë gjëra të mëdha për klubin. Bëri një asist brilant për golin tonë. Adnani është një djalosh i qetë. Ai shikon vetëm punën e tij. Por, nëse vazhdon të bëjë këto lloj performancash, do të jetë një yll i vërtetë”, – ka thënë Xhons. Duket se e ardhmja e lojtarit do të jetë e sigurtë në të ardhmen. Një lojtar që premton shumë dhe duket se do të japë spektakël.

 

 

Notaret kosovare fitojnë tri medalje në turne rajonal

Notaret kosovare kanë siguruar medalje të reja për Kosovën. Një medalje e artë, dy të argjendta dhe një e bronztë është bilanci i notareve të reja kosovare në turneun ndërkombëtar “Youth for youth” të mbajtur në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, për dy ditë me radhë. Kështu, notaret më të mira kosovare kanë vazhduar të arrijnë rezultate të mira jashtë kufijve të Kosovës. Si edhe herëve të tjera, garuesja më e suksesshme ishte Rita Zeqiri, e cila i mbylli garat me dy medalje të fituara. Zeqiri është stolisur me medalje të artë në disiplinën 400 metra miks, ndërsa atë të argjendtë në 800 metra krol, në grupmoshat e lindura në vitin 1996. Flaka Pruthi, ndërkohë, e ka marrë medaljen e bronztë në 100 metra shpinë (grupmoshat 1990/2000), ndërsa Melisa Zhdrella e ka rrëmbyer vendin e dytë dhe medaljen e argjendtë në 50 metra bretkosë (grupmosha 1999/2000). Me këto suksese noti kosovar ka fituar edhe një vlerësim ndërkombëtare në një konkurrencë rajonale, por edhe më gjerë. Në këtë turne kanë marrë pjesë afro 350 garuese nga shumë shtete të ndryshme evropiane, si Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i zi, Britania e Madhe, Bullgaria dhe Kosova.