Reforma administrative Si ndryshon Tirana, 4 komuna shkrihen

0
226

Tri modelet për reformën, komunat e Kasharit, Paskuqanit, Dajtit dhe Farkës do të shkrihen duke u bashkuar me kryeqytetin

hartaKatër komunat që rrethojnë Tiranën do të shkrihen, duke u bërë pjesë e kryeqytetit. Në bazë të reformës administrativo-territoriale që pritet të ndërmerret nga qeveria, komunat e Kasharit, Dajtit, Paskuqanit dhe Farkës nuk do të kenë më kufij ndarës me hartën e Tiranës. Kjo vërtetohet edhe nga deklarata e këshilltarit pranë ministrit të Shtetit për çështjet vendore, Enea Hoti, i cili pohoi për “VP” zgjerimin e kufijve të Tiranës dhe shkrirjen me komunat përreth. Ndërkohë, në zyrat e ekspertëve që po merren me reformën, ndodhen tri modele për hartën e re administrative, ku më favoriti duket projekti suedez i vitit 2012, i cili e sheh Shqipërinë vetëm me 80 njësi vendore. Nga ana tjetër, studimi i Shoqatës së Komunave ka projektuar që vendi të mos ketë më shumë se 160 njësi vendore e ndërsa modeli i Shoqatës për Autonomi Vendore kërkon që Shqipëria të ketë 36 njësi, po aq sa dhe rrethe.

Reforma

Në konferencën e disa ditëve më parë, me temë “Reforma administrative territoriale”, dukej se qeveria mbështeti më shumë projektin suedez për ndarjen administrative të vendit. Sipas këtij projekti, vendi do të ketë më pak se 100 njësi vendore, nga 384 që janë aktualisht dhe qarqet do të shndërrohen në 6 rajone të mëdha. Në këndvështrimin e qeverisë, ndarja aktuale administrative ka kosto të mëdha për taksapaguesit shqiptarë. “Është e papranueshme në kushtet e Shqipërisë, dhe jo thjesht të Shqipërisë në krizë ekonomike, por të Shqipërisë kështu siç e kemi, me mundësitë që kemi, që administrata e komunave t’u kushtojë taksapaguesve 25 milionë dollarë në vit dhe të ketë 80 komuna me më pak se 5 mijë banorë dhe jo pak, por 71 komuna që i kanë të ardhurat zero dhe që qëndrojnë më këmbë vetëm falë pagave të financuara nga buxheti i shtetit”, – pati pohuar Rama në konferencën e organizuar nga ministri për Çështjet Vendore dhe Prezenca e OSBE-së në Tiranë. Ndërkohë, deputeti socialist Ben Blushi i bëri thirrje qeverisë që reformën administrativo-territoriale ta trajtojë si thellësisht ekonomike. “Unë i nxis të gjitha grupet politike ta shikojnë reformën si një reformë ekonomike. Qeveria ta trajtojë reformën territoriale si një reformë thellësisht ekonomike. Diskutimi duhet bërë edhe me komunitetet lokale, që janë të interesuara t’i zgjerojnë kufijtë e tyre”, – pati theksuar Blushi. Reforma administrativo-territoriale do të jetë një reformë, e cila, sipas mazhorancës, do të rrisë efikasitetin e njësive vendore përmes mirëqeverisjes, rritjes së efiçencës në menaxhimin e burimeve të këtyre njësive, menaxhimin e kapaciteteve si dhe fuqizimin e qytetarëve dhe komuniteteve. Kjo reformë sipas parashikimeve të qeverisë pritet të përfundojë para zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ku ndërkohë drejtuesi i Shoqatës së Komunave, Agron Haxhimali, deklaroi dy ditë më parë se mundësia më e madhe për përfundimin e saj është viti 2019, pra para zgjedhjeve vendore të këtij viti.

 

Shkelen afatet

Shtyhet zgjedhja e kreut të ri të PS-së, Rama, kandidati i vetëm

Shkelet statuti i Partisë Socialiste lidhur me zgjedhjen e kreut të ri të forcës kryesore politike në vend. Pasi mandati i kryetarit ka përfunduar më 26 shtator, sipas statutit Asambleja duhej të mblidhej brenda 15 ditësh dhe të thërriste brenda 30 ditësh Kongresin për administrimin e kandidaturave dhe caktimin e datës së votimit për zgjedhjen nga anëtarësia të kryetarit të ri të partisë, që nuk duhet të jetë më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit. Duket se angazhimet e kryeministrit Rama si edhe reformat që pritet të ndërmerren nga mazhoranca e majtë kanë shtyrë në kohë zgjedhjen e kreut të ri të partisë. Pak kohë më parë, PS zgjodhi grupin e punës i cili do të merrej me këtë proces, i cili përbëhet nga sekretari organizativ, Blendi Klosi, ai për pushtetin vendor, Bashkim Fino, si dhe nënkryetari i grupit parlamentar Taulant Balla. Më 26 shtator 2009, pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të këtij vitit, Rama u përball me Maqo Lakrorin për postin e kreut të PS-së, ku fitoi me afro 90% të votave.

 

Portali “Euroactiv”

Statusi kandidat, Shqipëria pret mbështetje nga Itali dhe Greqia

Tirana pret mbështetjen greko-italiane në rrugën e saj drejt BE-së. Kështu shkruante dje portali “Euroactiv”, duke iu referuar marrjes së Presidencës së Bashkimit Evropian me rotacion, 1 janar 2014 Greqia, e ndjekur nga Italia më 1 korrik.  “Ne kemi shpresa se presidenca greke dhe italiane do të tërheqin vëmendjen e BE-së për zgjerimin, në veçanti për një perspektivë më të shpejtë për Shqipërinë. Greqia dhe Italia mund të jenë forca shtytëse dhe unë shpresoj se ata do të punojnë ngushtë gjatë vitit që vjen”, – u shpreh shprehur kreu i Parlamentit, Ilir Meta për “Euroactiv” Greqi. Nga ana tjetër, “Euroactiv” në shkrim bën të ditur besimin tek ministri i Jashtëm grek, Evangelos Venizelos, i cili mund të luajë një rol të rëndësishëm. “Evangelos Venizelos është një politikan proevropian dhe ka gjithë peshën e nevojshme në veçanti për të nxitur axhendën evropiane të Shqipërisë dhe për të çuar marrëdhëniet dy paleshe në një nivel shumë të të lartë”, – citoi “Euroactiv” një zyrtar të qeverisë, në kushte anonimati. Ndërkaq, artikulli citon edhe këshilltarin për Politikë të Jashtme të Metës, Ralf Gjoni, cili flet për rritjen e euroskepticizmit. “Ndërsa ne u afrohemi zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, shohim me trishtim që rreziku nga forcat radikale po forcohet gjithnjë e më shumë. Kjo do të jetë një katastrofë për Evropën dhe një fatkeqësi për Ballkanin Perëndimor”, – deklaroi Gjoni.

 

 

 

Takimi

Integrimi, Gjosha: Kemi ende shumë punë për të bërë. Leidekker: KE do të zgjerojë bashkëpunimin

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, priti dje në një vizitë drejtorin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Marco Leidekker, ku në emër të qeverisë ajo shprehu vlerësimin për raportin e Komisionit Evropian të publikuar vetëm pak ditë më parë për Shqipërinë. Gjosha theksoi se ky dokument i shton vendit përgjegjësitë për të çuar përpara me sukses procesin. “Por, na bën gjithashtu të vetëdijshëm që ka ende shumë punë për të bërë në mënyrë që ne të përmbushim prioritetet e kërkuara”, – tha ministrja. Nga ana e tij, Leidekker deklaroi se Komisioni Evropian do të ofrojë asistencën e ti, bazuar në prioritetet që qeveria ka vendosur në përmbushje të angazhimeve të saj. Ai nënvizoi: “KE-ja është e gatshme për të zgjeruar më tej bashkëpunimin me Shqipërinë, duke e mbështetur me një sërë projektesh, ashtu sikurse ka bërë edhe më herët”. Ministrja Gjosha gjithashtu ka kërkuar gjithashtu mbështetje në vijim sidomos në ndërtimin e kapaciteteve dhe strukturave të nevojshme që i shërbejnë vendit në procesin e Integrimit në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se strategjia e qeverisë për të realizuar me sukses këtë proces është gjithëpërfshirëse me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera që duhet të kontribuojnë.