Nga të gjitha investimet janë punësuar 834 punëtorë, 221 nga ta janë punësuar në sektorin e ndërtimtarisë, 155 në sektorin financiar, 140 në tregti, 138 në aktivitete shërbyese dhe të tjerë në sektorë të ndryshëm
Sektori i patundshmërisë vlerësohet të ketë qenë më tërheqësi për investitorët e huaj gjatë këtij viti, por sektori që ka gjeneruar vende të reja të punës është sektori i ndërtimtarisë.
Sipas të dhënave zyrtare, thuhet se investimet e huaja në Kosovë në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, kanë arritur vlerën e 143.4 milionë eurove.
Ndërkaq, nga të gjitha këto investime, janë punësuar 834 punëtorë, 221 nga ta janë punësuar në sektorin e ndërtimtarisë, 155 në sektorin financiar, 140 në tregti, 138 në aktivitete shërbyese dhe të tjetër në sektorë të ndryshëm.
Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të punëtorëve, e konsiderojnë të vogël numrin qytetarëve që kanë arritur të punësohen nga investimet e jashtme.
Ali Dragusha, anëtar i Këshillit Ekonomiko-Social, e quan simbolik numrin të punësuarve nga investimet e huaja, për pritjet që kanë pasur.
Këshilli Ekonomiko-Social përbëhet nga të gjithë partnerët socialë dhe ekonomikë që kanë për qëllim këshillimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në funksionimin dhe vazhdimin e zhvillimeve të politikave sociale.
“Ne, nga investimet e huaja kemi pritur më shumë dhe jo një numër simbolik, të cilët kanë përfituar nga to. Po, ne kemi pritur nga investimet, pasi qeveria është dashur gjithsesi të fokusohet më tepër në fushën e marrëdhënieve të punës dhe në fushën e punësimit. Fatkeqësisht, edhe në këtë vit kjo nuk po ndodh”, – thekson Dragusha.
Ekspertët
Edhe eksperti për çështje ekonomike, Ismail Kastrati, thotë se numri i të punësuarve nga investimet e jashtme është dashur të jetë më i madh.
Por, ai konsideron se pa krijuar ambient miqësor, pa eliminuar korrupsionin, fenomenin e ryshfetit për investitorët potencialë, nuk do të ketë investime e as punësim të qytetarëve kosovarë.
“Aty ku cilësia e institucioneve të vendit nuk është në nivelin e duhur, kontrolli i korrupsionit dhe krimit ekonomik nuk bëhet, nuk ka kulturë të ndëshkueshmërisë. Çdo investitor i huaj që vjen, përballet me një qasje burokratike ndaj investitorëve të huaj, ku para se të krijojmë lehtësi për të investuar brenda, kërkohet ryshfet apo ortakëri në investimet e huaja, atëherë situata edhe më shumë ndërlikohet”, – vlerëson Kastrati.
Edhe Ali Dragusha pajtohet se autoritetet kompetente nuk kanë qenë të orientuara në tërheqjen e investimeve të huaja, edhe pse këto investime konsiderohen si potencial për zhvillimin e ekonomik dhe uljen e shkallës së papunësisë.
Ai pohon Kosova ka sektorë të mjaftueshëm dhe të pashfrytëzuar për investitorët potencialë ndërkombëtarë.
“Këtu ka shumë fusha, veçanërisht në fushën e bujqësisë dhe në ngritjen e kapaciteteve. Kemi punëtorë me përvojë shumë të gjatë dhe me disa trajnime jo të kushtueshme, ata kanë mundur t’iu përshtaten profesioneve, në pajtim me kohën dhe nevojat. Dhe, do të kishin pasur mundësi të inkuadrohen në procesin e punës”.
“Mirëpo, fatkeqësisht Qeveria nuk është orientuar në këtë drejtim. Kemi një orientim të punës eventuale në fushën e ndërtimtarisë, çka nuk jemi absolutisht të kënaqur, sepse është një investim i përkohshëm apo mund të jenë investime sezonale apo njëvjeçare”, – shpjegon Dragusha.
Ndërkaq, shtetet që kanë investuar më së shumti në Kosovë gjatë kësaj periudhe janë: Turqia më rreth 42.9 milionë euro, Britania e Madhe me 13 milionë euro dhe Shqipëria 9.7 milionë euro.
Korrupsioni – jo perceptim, por realitet
Perceptimi është një indikator i rëndësishëm në identifikimin e ndonjë dukurie në vend, thonë sociologë kosovarë. Sipas tyre, perceptimet publike kanë një rol shumë të rëndësishëm në hulumtimet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, sepse ato krijohen për mes përvojave personale. Edhe perceptimet në raportin e fundit të publikuar nga Gallup se rreth 90 për qind e kosovare besojnë se në qeveri ka korrupsion, janë reale, sepse qytetarët reflektojnë atë që ndjejnë dhe përjetojnë, thotë sociologu Shemsi Reçica. Gallup është kompani hulumtuese me seli në Uashington. Në shoqërinë kosovare, ndërkaq perceptimet janë më bindëse, vlerëson Reçica, duke shtuar se shoqëria kosovare është një komunitete i vogël në krahasim më vendet tjera të Evropës dhe botës. “Këtu njerëzit njihen në mes tyre komunikojnë, informimi i tyre më tepër është gojor dhe përcillet, sesa rezultat i përvojës se drejtë për drejtë. Por, perceptimet formohen edhe përmes përvojës së drejtpërdrejtë. Kur kemi parasysh se gati të gjithë njerëzit në Kosovë njihen në një mënyrë apo tjetër, perceptimet dalin krejtësisht reale dhe duhet t’u besohet atyre”, – shprehet Reçica. Edhe sociologu tjetër, Shemsi Krasniqi, thotë se perceptimi e matë shkallën e korrupsionit, por edhe të ndonjë dukurie tjetër. “Perceptimi është një indikator i rëndësishëm në identifikimin e ndonjë dukurie, sepse po mos të ekzistojë ajo dukuri, edhe qytetarët do të përgjigjen se nuk ka dëgjuar kurrë, ose nuk kanë parë. Perceptimi në një mënyrë e matë edhe shkallën e korrupsionit, është një lloji matje si indirekte”, – thekson Krasniqi. Korrupsioni politik në Kosovë, thotë Reçica, nuk është vetëm çështje perceptimi, por është realitet, sepse sipas tij, ky korrupsion jo vetëm që ekziston, por është rrezik që të kalojë në tërë shoqërinë. “Korrupsioni ka aq përmasa të mëdha këtu, sa që nuk ka mbetur sferë e jetës shoqërore pa u korruptuar. Edhe rreziku më i madh është që korrupsioni po depërton në shoqëri, jo vetëm në sfera të caktuara, ku njeriu mund të korruptohet dhe të ketë përfitime”. “Mirëpo, nëse korrupsioni vazhdon me këtë trend, rreziku ekziston se në një të ardhme ndoshta jo shumë të largët të bëhet si shoqëroi e korruptuar, dhe pastaj do të jetë problem luftimi i korrupsionit”, – thekson Reçica.
Korrupsioni
Ndryshe, disa qytetarë konsiderojnë se korrupsioni në institucionet vendore tejkalon perceptimet e qytetarëve. Pensionisti Abdullah Veseli, thotë: “Unë mendoj se korrupsion ka prej qeverisë e te poshtë. Pak flitet sa ka korrupsion”, – thotë Veseli. Prania e korrupsionit në vend nuk është çështje perceptimi por realitet, thotë një qytetar tjetër më emrin Arsim.
“Nuk është perceptim por realitet. Shiko pasurinë e zyrtarëve qeveritarë, të Kuvendit, udhëheqësve të ndërmarrjeve publike. Kjo tregon realitetin e korrupsionit”, – shprehet Arsimi.
Sociologët, thonë se perceptimet për nivelin e korrupsionit duhet të vënë në lëvizje autoritetet kompetente për të ndërtuar politika për të luftuar këtë fenomen, ndërsa qytetarët nuk duhet t’i heshtin rastet korruptive.