Kryetari i PD-së u takua me përfaqësuesit e Bankës Botërore Basha, thirrje BB-së: Të monitorojë Shqipërinë me kushte strikte

0
140

Florenc Drizari

Basha u takua me drejtorin Ekzekutiv Piero Cipollone dhe drejtoren për rajonin e Evropës Juglindore Ellen Goldstein

 

lajme-Basha_BB_138581356Kreu i PD-së, Lulzim Basha, gjatë një takimi që pati me përfaqësues të Bankës Botërore u shprehu atyre shqetësimet për muajin e parë të qeverisjes së re socialiste. Këto shqetësime, sipas kreut të demokratëve, kishin të bënin me fusha të tilla, si: ligji i nëpunësit civil, akti normativ për ndryshimet në ligjin e buxhetit, anulimet e koncesioneve. Për sa u përket këtyre të fundit, PD i quan të ligjshme, ndërkohë që mazhoranca ka shprehur qëndrimin e saj për t’i rishikuar edhe një herë vendimet e marra nga qeverisja e djathtë në këtë fushë.

Gjatë bashkëbisedimit që kryetari i Partisë Demokratike, Basha, pati një ditë më parë me përfaqësues të Bankës Botërore, drejtorin Ekzekutiv Piero Cipollone dhe drejtoren për rajonin e Evropës Juglindore Ellen Goldstein, shkëmbyen idetë e tyre lidhur me bashkëpunimin shumëvjeçar mes Bankës Botërore dhe Shqipërisë, arritjet e Shqipërisë veçanërisht nën qeverisjen e demokratëve, si edhe me pikëpyetjet që po shoqërojnë – sipas të djathtëve, zhvillimet ekonomike dhe fiskale në këto muaj të parë të qeverisjes socialiste.

Z. Basha bëri një ekspoze të situatës makroekonomike dhe makrofiskale si dhe të zhvillimeve më të fundit që kanë pasuar rotacionin politik në Shqipëri. Ai u shprehu bashkëbiseduesve shqetësimet lidhur me zhvillimet ekonomike në vend si dhe pasigurinë që po zë gjithmonë e më shumë vend në planet e konsumatorëve dhe biznesplanet e investitorëve – thuhet pas takimit që kreu i PD-së pati me përfaqësuesit e Bankës Botërore.

“Z. Basha në veçanti u ndal në zhvillimet në fushën e administrimit fiskal, fushë e cila është bërë arenë e emërimeve politike dhe aspak meritokratike, emërime të cilat po kushtëzojnë borxhimin e mëtejshëm të vendit në nivele të panjohura më parë. Z. Basha informoi bashkëbiseduesit lidhur me detaje të aktit normativ për ndryshimet në buxhet si dhe me shkeljet e dukshme ligjore që e bashkëshoqërojnë këtë akt, i cili sanksionon marrjen e huave të reja, jo më për investime publike siç e kërkon ligji, por tashmë edhe për shpenzime administrative dhe operacionale.

Kreu i opozitës, gjithashtu u kërkoi bashkëbiseduesve që të vazhdojnë të jenë pranë Shqipërisë, si deri më sot, me programe dhe projekte zhvillimi dhe në të njëjtën kohë paraqiti idetë e tij lidhur me prezantimin e kushteve monitoruese, strikte ndaj qeverisë shqiptare për të qenë në gjendje që të përfitojë nga kreditë dhe programet e tjera të mbështetjes buxhetore nga Banka Botërore”, – këto mësohet të kenë qenë pikat kryesore të diskutimeve që kreu i PD-së, Lulzim Basha, zhvilloi gjatë takimit me përfaqësuesit e Bankës Botërore në selinë blu.

 

 

Mima: INSTAT nën spastrim politik, qëllimi, atentat ndaj konsensusit

Partia Demokratike ngre zërin për shkarkimet nga puna të funksionarëve të lartë të administratës publike. Një ditë më parë ishte deputeti i PD-së, Florion Mima, i cili tha se Kryeministri i ri i vendit ka shkarkuar, në thyerje totale të bazës ligjore, pa asnjë argument dhe tërësisht jashtë të gjitha procedurave ligjore në fuqi, drejtoren e Institutit të Statistikave, Ines Nurja. Sipas deputetit Mima, “znj. Nurja është një eksperte karriere e statistikave kombëtare, duke e zëvendësuar atë me z. Gjergj Filipi, drejtor i Institutit ‘Agenda’, tashmë edhe haptazi jo të pavarur”, – tha Mima.

“Sot (dje), të gjitha paralajmërimet e Partisë Demokratike lidhur me fushatën e spastrimeve politike dhe emërimeve të reja klienteliste e aspak meritokratike po vërtetohen katërcipërisht.

Sot, kuptohet qartë qëllimi i atentatit ndaj konsensusit me shtyrjen e futjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil.

Statistikat e vendit, një krenari kombëtare e cituar pa përjashtim në të gjitha raport-progreset e Bashkimit Evropian, kanë pësuar sot atentatin më të rëndë dhe paralajmërimi tjetër i Partisë Demokratike për kapjen e statistikave të vendit dhe vendosjen e tyre nën thundrën e kryeministrit të ri të vendit, është sot plotësisht i vërtetuar”, – tha në deklaratën e tij deputeti i PD-së, Florion Mima.

 

 

Basha takon drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, ambasadorin Jan Kickert

“PD do të bëjë gjithçka për hapjen e negociatave”

Kreu i PD-së, Basha: Shqetësim për sfidimin e shtetit ligjor nga mazhoranca

“Shqipëria e meriton statusin dhe Partia Demokratike do të japë kontributin e saj për marrjen e statusit në dhjetor dhe do të bëjë gjithçka për hapjen e negociatave për anëtarësim”. Ky ishte thelbi i diskutimeve që kreu i PD-së, Lulzim Basha, pati gjatë takimit me drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Austrisë, ambasadorin Jan Kickert. Ky i fundit shoqërohej nga drejtori i sektorit për Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Jashtme të Austrisë, z. Johann Sattler.

Në këtë takim, kryetari Basha falënderoi z. Kickert për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që Austria i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, në të gjitha fushat e bashkëpunimit dypalësh dhe në veçanti në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Z. Kickert konfirmoi angazhimin dhe vendosmërinë e qeverisë austriake, për të vijuar të ndihmojë dhe të mbështesë Shqipërinë, në të gjitha fushat dhe në hapat e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit në BE, por njëkohësisht edhe për punuar ngushtësisht edhe me opozitën shqiptare, në forcimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe integrimit të Shqipërisë.

“Duke u ndalur tek rekomandimi i Komisioni Evropian për statusin e vendit kandidat, në takim u theksua se kjo përbën një tjetër vlerësim të punës dhe të arritjeve të rëndësishme të qeverisë së PD-së gjatë 8 viteve të shkuara, por njëkohësisht edhe vlerësim të veçantë për zgjedhjet e 23 qershorit, si zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri, në përputhje me standardet ndërkombëtare por edhe për qëndrimin thellësisht demokratik të qeverisë së Partisë Demokratike ndaj rezultatit.

Kryetari Basha theksoi se rekomandimi për marrjen e statusit është një lajm i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe është për të ardhur keq që statusi erdhi me kaq vonesë, për shkak të bllokimeve dhe qëndrimit jo konstruktiv të opozitës së Partisë Socialiste”, – mësohet të jetë diskutuar mes kreut të PD-së, Lulzim Basha, dhe përfaqësuesve diplomatikë austriakë.

Më tej, Basha shprehu shqetësimin e opozitës shqiptare, për sa i përket situatës financiare e fiskale në vend.

“Konceptimi i qeverisjes si një fushatë kundër ligjit dhe kushtetutës, kundër institucioneve të pavarura, kundër konsensusit dhe kundër të vërtetave ka në themel jo vetëm mungesën e vizionit dhe programit të kësaj mazhorance por dhe përpjekjen për të instaluar me shpejtësi në Shqipëri, praktikën e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, si pararojë e instalimit të kleptokracisë”, – theksoi z. Basha gjatë takimit me drejtorin politik të Ministrisë së Jashtme të Austrisë.

 

 

 

 

Akti normativ për rishikimin e buxhetit votohet sot në Parlament, opozita kundër vendimit të qeverisë

Pozitë dhe opozitë pritet të rezervojnë debate të ashpra në sallën e Parlamentit lidhur me aktin normativ të qeverisë për rishikimin e buxhetit të këtij viti. Më herët opozita ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë fort nismën e qeverisë, duke e quajtur atë një akt që minon stabilitetin financiar të vendit, ndërkohë që mazhoranca justifikohet me mungesën argumentin se të djathtët e kanë lënë bosh arkën e shtetit.

“Rishikimi i buxhetit 2013, kështu siç ka ardhur, është ëndrra më e keqe, makthi më i madh që kjo qeveri u ofron shqiptarëve”. Kështu e cilësoi dy ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, aktin normativ të qeverisë për disa ndryshime në buxhetin e shtetit të këtij viti. Vendimi i qeverisë pritet të kalojë për votim këtë të enjte në seancë plenare, ndërsa opozita ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë këtë nismë të qeverisë. Në listën e diskutantëve nga radhët e opozitës pritet të jenë përfaqësuesit e Komisionit të Ekonomisë, por jo vetëm; po kështu pritet të jetë edhe nga radhët e mazhorancës.

Në axhendën e Kuvendit të Shqipërisë, pas miratimit të procesverbalit të seancës plenare të datës 17.10.2013, pritet votohen këto projektligje: Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe ARTIGIANCASSA S.p.a. “Për financimin e programit për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të ullinjve”;

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe ARTIGIANCASSA S.p.a. për programin “Fuqizimi i Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe të Agrikulturës për disbursimin e granteve në agrikulturë”;

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe ARTIGIANCASSA S.p.a. “Për projektin pilot për krijimin dhe testimin e sigurimeve të buta, me qëllim mbulimin e rreziqeve në agrikulturë”; si dhe Akti Normativ nr. 6, datë 4.10.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2012 “Për buxhetin e vitit 2013”.

 

 

 

 

 

 

Zgjedhjet e pjesshme, KQZ u bën thirrje partive politike të sigurojnë pjesëmarrjen e komisionerëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri thirrje partive politike të marrin masat për të siguruar pjesëmarrjen e komisionerëve në trajnimet e organizuara nga KQZ-ja.

Një ditë më parë, zëdhënësja e KQZ-së ngriti shqetësimin për mosrespektimin e afatit ligjor për paraqitjen e propozimeve për anëtarë të KQV-ve të Zonës Zgjedhore Bashkia Korçë, nga partitë politike që kanë këtë detyrimin ligjor në bazë të Kodit Zgjedhor.

Aktualisht, administrata e Komisionit Zgjedhor ndodhet në përgatitje të procesit zgjedhor të datës 3 nëntor për zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Komunës Karbunarë të qarkut Fier dhe për kryetar të Bashkisë Korçë të qarkut Korçë. Sipas KQZ-së, afati ligjor për përmbushjen e këtij detyrimi nga ana e partive politike të regjistruar si subjekte të interesuara në zgjedhje, ishte data 14 tetor 2013. Ky afat rezulton i përmbushur nga partitë politike vetëm për KQV-të e Zonës Zgjedhore Komuna Karbunarë.

“Vonesa në paraqitjen e propozimeve për anëtarët dhe sekretarët e KQV-ve të Zonës Zgjedhore Bashkia Korçë po përbën pengesë serioze për organizmin dhe realizimin e trajnimit të tyre në funksion të standardeve të procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke shpresuar dhe besuar në përmbushjen sa më parë të këtij detyrimin nga partitë politike, bën me dije se kalendari i trajnimeve të komisionerëve, i ripërshtatur në kushtet e kohës së mbetur, parashikon që në oraret 10:00-16:00, në ambientet e bibliotekës së qytetit dhe në ambientet e Prefekturës Korçë (salla e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak), do të zhvillohen trajnimet për komisionerët e Qendrave të Votimit sipas ndarjes së mëposhtme:

ditën e premte dhe ditën e shtunë, dt. 25 dhe 26 tetor, do të zhvillohet trajnimi për anëtarët e QV me numra rendorë ritës nga 3636 deri 3642/1 dhe 3669/1 deri në 3676;

Trajnimi i Komisionerëve të Qendrave të tjera të Votimit do të zhvillohet në datat 28 tetor deri me datë 2 nëntor 2013, sipas kalendarit të trajnimeve, të publikuar pranë selisë së KZAZ-së nr. 71 në qarkun Korçë, dhe dërguar dhe partive politike”, – deklaroi një ditë më parë zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.

 

Shkon në 200 numri i denoncime në PD për lirime nga puna në administratë

Partia Demokratike siguroi një ditë më parë se do t’u qëndrojë premtimeve të saj për të mbështetur këshillim ligjor falas për të gjithë ata persona që janë shkarkuar në mënyrë të padrejtë nga administrata publike. Aktualisht, sipas përfaqësuesve të PD-së, numri i atyre që kanë kërkuar këshillim ligjor falas po shkon në 200 persona.

Kërkesat e punonjësve janë paraqitur pranë selisë qendrore të PD-së ose duke aplikuar në faqen online të partisë opozitare; faqe e cila është hapur që në fillim të muajit tetor. Në një prononcim për mediat, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso, sqaroi se nga cilët sektorë vijnë ankesat e punonjësve të liruar nga puna.

“Kemi shumë ish-punonjës policie të cilët janë liruar apo janë transferuar pa të drejtë ose ulur në detyrë; ose u është bërë presion në mënyra të ndryshme pa dokumentacionin e nevojshëm ligjor. Pra, ata nuk dinë asgjë për fatin e tyre, thjesht u është komunikuar me gojë largimi, transferimi. Kemi punonjës të cilët një pjesë e mirë e tyre kanë qenë punonjës në institucionet e varësisë së Ministrisë së Ekonomisë, qofshin këto institucione publike, apo shoqëri me kapital tërësisht, apo pjesërisht shtetëror, ku aksioneri kryesor është Ministria e Ekonomisë. Kemi ish-punonjës të ALUIZNI-t, gjithashtu mjekë, mësues dhe kategori të tjera”, – deklaroi Kaso për “abc news”.