Komisioni i Jashtëm i PE-së Rezoluta për Shqipërinë: Kërkojmë nga ministrat e BE-së t’i japin statusin kandidat

0
142

Gëzim Saliu

 

Raportuesi Vuljanic: Këshilli i Ministrave të njohë përparimin e Shqipërisë, duhet dialog

 

Nikola VULJANIC - Blue CardParlamenti Evropian mbështet raportin e Komisionit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, Nikola Vuljanic, paraqiti dje gjatë mbledhjes në Strasburg, një rezolutë në të cilin i bëhej thirrje Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat. Rezoluta njeh përparimet e bëra nga Shqipëria drejt përmbushjes së objektivave të integrimit dhe veçanërisht arritjen e reformave të kërkuara nga Brukseli, ndërkohë që theksohet se ka ende shumë punë për t’u bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht në reformën e administratës publike, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësisë së sistemit gjyqësor e pluralizmit të mediave.

Rezoluta

Edhe në rezolutë, ashtu si në progres-raportin e KE-së, theksohej nevoja e dialogut dhe konsensusit mes forcave politike. Duke mbështetur propozimin e Komisionit Evropian rezoluta i bëri “thirrje Këshillit të njohë përparimin e Shqipërisë duke i dhënë asaj statusin kandidat”. Nga ana tjetër rezoluta kërkon vazhdimësinë e reformave,kryesisht në 5 prioritet e përcaktuara më parë nga KE në kuadër të hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Rezoluta e paraqitur nga raportuesi për Shqipërinë Nikola Vuljanic, para se të miratohet nga Komisioni i Jashtëm e më pas nga Parlamenti Evropian, mund t’i bëhen mendime edhe nga eurodeputetët. Në rast se rezoluta do të kalonte përpara mbledhjes së dhjetorit, ku edhe do të merret vendimi përfundimtar për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, do të ndikonte pozitivisht në drejtim të vendeve të Be-së që janë ende skeptike lidhur me këtë proces. Dy ditë më parë, Holanda përmes ministrit të Jashtëm Frans Timmermans bëri të ditur se është ende e pavendosur për qëndrimin që do të mbajë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të BE-së në dhjetor. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, deklaroi se kërkesën për votën pro për Shqipërinë për statusin kandidat, do t’ua adresojë edhe vendeve të tjera të BE-së, edhe atyre të njohura si skeptike për zgjerimin. Holanda, së bashku me Gjermaninë, Francën dhe Britaninë mbeten ende skeptike lidhur me votën e tyre në dhjetor në Këshillin e Ministrave të BE-së. Më 16 tetor, Komisioni Evropian rekomandoi që “Shqipëria të marrë Statusin e vendit kandidat duke rënë dakord që ajo të vazhdojë të ndërmarrë aksione në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Nga ana tjetër Komisioni Evropian për hapjen e negociatave me BE-në bëri të ditura 5 prioritetet që Shqipëria duhet ti plotësojë. “Administratë profesioniste dhe të depolitizuar ;Forcimi i pavarësisë të institucioneve të drejtësisë; Lufta kundër korrupsionit ;Lufta kundër krimit të organizuar; Mbrojtja e të drejtave të njeriut, përfshirë romët”.

 

Reforma në drejtësi

Idetë në grupin e punës së mazhorancës: Gjykatë Supreme, shkrihet Kushtetuesja dhe ajo e Lartë

Ministri Celibashi: Sistem i korruptuar në drejtësi, riformatim të KQZ-së

 

Qeveria ka ngritur grupin e punës për reformën në sistemin e drejtësisë. Në këtë grup, ku bëjnë pjesë ministri i Drejtësisë Nasip Naço, ai i Brendshëm Saimir Tahiri, ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Ilirian Celibashi dhe deputetë të mazhorancës, një ndër çështjet në diskutim është mundësia e krijimit të një Gjykate Supreme, e cila do të përfshinte në një Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese. Ministri Celibashi pohoi dje se ende nuk ka një qëndrim të qartë për krijimin e Gjykatës Supreme, duke theksuar se dokumenti përfundimtar i këtij grupi do t’i nënshtrohet një diskutimi të gjerë. “Akoma nuk ka qëndrim për shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë në një Gjykata Supreme. Është një grup i ngritur për reformën në drejtësi. Pas hartimit të dokumentit, do bëhet objekt i një diskutimi të gjerë”, – u shpreh ministri në emisionin “7 pa 5” në “Vizion Plus”.

Reforma

Sipas ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, problemi më i madh i sistemit të drejtësisë nuk ishte kapja nga qeverisja e kaluar. “Sistemi ishte i intimiduar nga mazhoranca e kaluar. Por jo ky nuk është problemi më i madh. Është një sistem klientelist dhe i korruptuar, që më pas shfrytëzohet nga politika”, – tha Celibashi. Nga ana tjetër, Celibashi konfirmoi gjithashtu edhe nismën për rikonceptimin e KQZ-së, duke theksuar se pas çdo procesi zgjedhor bëhen reforma dhe sërish proceset elektorale kontestohen. Reforma në sistemin e drejtësisë është cilësuar nga mazhoranca qeverisëse si një prioritet parësor. Më parë, ministri për marrëdhënien me Parlamentin ka pohuar në një intervistë televizive se reforma në drejtësi mund të prekë edhe ndryshimin e ligjit themeltar të vendit. “Reforma ligjore që qëndrojnë në një konsolidim të sistemit të karrierës në gjyqësor apo në atë prokurorisë, reforma që konsistojnë në trajtim dhe një status më të mirë ekonomik, social dhe më gjerë të punonjësve të drejtësisë, besoj se janë elementet më thelbësore dhe kryesore që do të ndikojnë në një përmirësim të situatës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Në kompleks mendoj se është koha për ta rikonsideruar të gjithë korpusin ligjor, pse jo edhe atë kushtetues që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë”, – ka thënë Celibashi. Në programin qeverisës të mazhorancës së majtë, të votuar një muaj më parë në Kuvend, në pjesën për sistemin e drejtësisë, parashikohen të ndryshohen ligjet bazë për disa nga institucionet kryesore. “Për të kontribuar në përmirësimin e performancës së prokurorëve, gjykatësve dhe avokatëve, qeveria do t’i japë mbështetje të plotë Prokurorisë së Përgjithshme për të përfunduar vlerësimin e prokurorëve; t’i japë mbështetje të plotë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të përfunduar vlerësimin e gjyqtarëve; të ndërmarrë nisma ligjore për t’u dhënë të drejtën gjykatave dhe/ose Avokatit të Popullit të monitorojnë dhe penalizojnë avokatët që nuk respektojnë procesin gjyqësor”, – thuhej në program.

 

 

Mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar

Kryeministri paraqet objektivat: Të hapim vende pune dhe të lajmë borxhin ndaj të tretëve

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur dje për herë të parë Këshillin Ekonomik Kombëtar, një strukturë e re e ngritur nga qeveria që do të ketë për detyrë këshillimin e qeverisë për politikat ekonomiko-financiare. Në tryezën, ku merrnin pjesë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, si dhe përfaqësues të Dhomës Shqiptare të Tregtisë, Biznes Albania, si dhe ekspertë ndërkombëtarë të ekonomisë, Rama u shpreh se kriza ekonomike dhe financave në vend duhet të kthehet në një oportunitet për ta kapërcyer duke dalë nga kjo më të fortë. Në këtë kontekst, kreu i qeverisë paraqiti para të pranishmëve një draft, ku theksoi se rritja e punësimit dhe larja e borxheve ndaj të tretëve do të jenë prioritetet e ekonomisë. “Na duhet rritje ekonomike me punësim. Që do të thotë një ekonomi prodhuese që rigjeneron vende të reja pune. Njëra është çështje ne planin afatshkurtër që lidhet me një situatë të ngarkuar borxhesh ndaj të tretëve të qeverisë, borxhe ndaj sektorit privat, ndaj kompanive për punë publike të tenderuara apo të kryera dhe të papaguara, ndaj të tretëve në arsim shëndetësi, për shërbime të marra dhe të papaguara ndaj kompanive për tatimet mbi vlerën e shtuar të rimbursuar apo të pamarre në konsideratë”, – tha Kryeministri. Në këtë takim të parë, kreu i qeverisë bëri të ditur edhe mënyrën se si do të funksionojë Këshilli Ekonomik Kombëtar, ku pohoi: “Çdo tre muaj ne do sjellim këtu temat e nxehta me synimin që të diskutojmë për aspektet strategjike të zhvillimit të politikave ekonomike dhe financiare. Ndërkohë që çdo muaj Këshilli do të mblidhet pa praninë e ekspertëve të huaj dhe të meje, por praninë e ministrit të Financave dhe Ekonomisë”. Ndërsa ministri i Zhvillimit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, vlerësoi shumëllojshmërinë e perspektivave të përfaqësuara nga botë të ndryshme edhe pse të lidhura me njëra-tjetrën, për të sugjeruar propozimet për funksionimin e KEK-së.

 

OKB feston 68-vjetorin

 Ministri Bushati: Më 2023 anëtarësohemi në Këshillin e Sigurimit

Me rastin e 68-vjetorit të krijimit të OKB-së, agjencia e Kombeve të Bashkuara në Tiranë organizoi dje ceremoninë me temë “WE the People”, në Teatrin e Operas dhe Baletit. I pranishëm në aktivitet, ishte edhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, nga ku u shpreh: “Në vitin 2015-2017 synojmë të anëtarësohemi në Këshillin e të Drejtave të Njeriut dhe në vitin 2022-2023 të anëtarësohemi në Këshillin e Sigurimit”. Më tej, Bushati nënvizoi: “Kjo dekadë është një periudhë tranzicioni, por ku ka vullnet ka gjithnjë rrugëdalje. Për qeverinë shqiptare bashkëpunimi me OKB-në është një proces i vazhdueshëm për progresin e vendit”.