Reagon opozita me zëdhënëset Bardhi dhe Vorpsi Shkarkimi i Nikës dhe Cikos, PD: Mediokriteti, i vetmi aleat i Ramës

0
154

Florenc Drizari

Laura Vorpsi, Ramës: A është z.Olsi Rama, përfaqësues i ekzekutivit? A ka lidhje aktiviteti i tij me qeverinë dhe zyrtarët e lartë të delegacionit në Izrael?

 

silvi-bardhi-1Partia Demokratike akuzoi një ditë më parë Kryeministrin Edi Rama, për shkarkimet nga detyra që i janë bërë dy personaliteteve si Nevila Nika nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe Zhani Cikon nga TOB.

Sipas PD-së, me këto lëvizje të fundit, Rama “tregon babazinë për të kontrolluar çdo institucion dhe mediokritetin si të vetmin aleat të tij”.

Zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi, nëpërmjet një konference për shtyp tha se personalitete si Nevila Nika apo Zhani Ciko, i zënë rrugën projektit të kryeministrit për të sunduar kudo.

Ndërkaq, po me anë të një deklarate tjetër për mediat, zëdhënësja Laura Vorpsi, kërkoi shpjegime publike nga Kryeministri Rama për përfshirjen e vëllait të tij si pjesë e delegacionit shqiptar në Izrael.

SILVI BARDHI

“Por me emërimin që ka bërë, askush nuk pret më që Kryeministri të tregojë respekt për pasurinë shpirtërore të vendit, për dosjen e madhe të letrave shqipe, për margaritarin e arkivave të shtetit. Kryeministri i ka zbritur standardet cilësore në nivelin 0, dhe ka treguar se nuk gëzon asnjë lloj ndjeshmërie ndaj institucioneve të veçanta si arkiva e shtetit.”- thuhet në deklaratë.

Me mënyrën e shkarkimit, duke i dërguar dorazi zonjës Nika fermanin e zi, përmes zëvendësuesit të saj, zoti Rama ka konfirmuar dhe një herë largësinë e tij të madhe me etikën dhe respektin ndaj dinjitetit human, tha Bardhi, duke shtuar se, personalitete si Nevila Nika apo Zhani Ciko, i zënë rrugën projektit të kryeministrit për të sunduar kudo.

LAURA VORPSI

Përfshirja e vëllait të Kryeministrit, Edi Rama në delegacionin shqiptar në Izrael – ishte arsyeja që Laura Vorpsi t’i kërkonte në emër të PD-së, kreut të qeverisë një shpjegim publik.

“Një delegacion me përfaqësues të biznesit shqiptar, ku bënin pjesë dhe zv-kryeministri dhe Ministri i Bujqësisë, si dhe vëllai i Kryeministrit Rama, ka vizituar së fundmi Izraelin.

Duke i vlerësuar nismat që rrisin marrdhëniet dhe shkëmbimin mes Izraelit dhe Shqipërisë, ne kemi disa pyetje për z.Rama.

A është z.Olsi Rama, përfaqësues i ekzekutivit?

A është vëllai juaj përfaqësues i biznesit, dhe nëse po, a ka lidhje aktiviteti i tij me qeverinë dhe zyrtarët e lartë të delegacionit?

A është Olsi Rama i ftuar, turist, kureshtar i zakonshëm, apo cili është roli i tij në këtë vizitë?

Mbetemi me shpresën se Kryeministri do të bëjë transparencë, ashtu sic ai ka premtuar”, – deklaroi zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi në një dalje të saj për mediat.

Ndërkaq, më herët përfaqësues të Partisë Demokratike kanë akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Sajmir Tahirin për emërimet e fundit në krye të Policisë së Shtetit. Lidhur me këtë çështje grupi parlamentar i PD-së, ka kërkuar edhe një interpelancë me Kryeministrin Rama. Interpelanca nuk u mbajt në seancën e kaluar të parlamentar për shkak të axhendës shumë të ngjeshur me debate për aktin normativ të qeverisë për ndryshime në buxhetin e shtetit për vitin 2013, ndërkohë që kjo interpelancë pritet të mbahet gjatë seancës së kësaj të enjteje.

 

 

Zgjedhjet në Korçë, kandidati i PS-së fton FRD-në

Pak ditë para zgjedhjeve të pjesshme të 3 nëntorit, kandidati i Partisë Socialiste për postin e kryetarit të Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, fton për bashkëpunim Frymën e Re Demokratike dhe partitë e tjera.

Në një takim elektoral të zhvilluar dje në Korçë, Filo theksoi: “Të ecim në rrugën e drejtë, t’i bashkohemi progresit”.

Nënkryetari aktual i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo kandidon për postin e kryetarit në zgjedhjet e 3 nëntorit, përballë kandidatit të PD-së Sotiraq Stradobërdha.

Në garë ishte regjistruar edhe përfaqësuesja e FRD-së, Brikena Zeneli, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e përjashtoi pas kërkesës së PD-së.

Partia Demokratike kishte depozituar në KQZ kërkesën ankimore për përjashtimin e kandidates së FRD-së nga gara, me argumentimin se kanë konstatuar një mangësi në regjistrimin e kandidates nga KZAZ-ja e Korçës, kërkesë që u pranua nga institucioni i administrimit të zgjedhjeve.

Sipas kërkesës së demokratëve, regjistrimi i Zenelit është bërë në kundërshtim me ligjin zgjedhor, pasi nuk janë respektuar përcaktimet që bën ai sa i përket paraqitjes së firmave mbështetëse për partitë që s’janë të përfaqësuara në Parlament.

Më konkretisht ata argumentuan se Zeneli, si kandidate e mbështetur nga FRD-ja, e cila nuk përfaqësohet në Kuvend, duhej të paraqiste 1 për qind të firmave të të gjithë zgjedhësve të Bashkisë Korçë, çka korrespondojnë me rreth 712 firma. Mësohet se Zeneli ka paraqitur 759 forma mbështetësish, pra më shumë sesa ka qenë limiti i kërkuar.

 

Basha: “Kandidatët me emra njësoj, por Sotiraqi ynë më i aftë”

“Kemi kandiduar personin që besojmë se ofron më së miri potencialin për të avancuar alternativën tonë për Korçën. Kandidatët emrat i kanë njësoj, të dy Sotiraq. Madje duket se Sotiraqi tjetër në moshë sikur është edhe më i ri, por rrugët i ka më të vjetra se Sotiraqi ynë. Mënyrat, përqasjet, botëkuptimet, objektivat janë të një mendësie ku pushteti shikohej si një luks për t’u shpërndarë mes miqve”.

Kështu ka deklaruar dy ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nga qyteti i Korçës.

Sipas tij, në këto zgjedhje demokratët konkurrojmë si opozitë, ndërsa ka theksuar se kandidati i përzgjedhur është shprehja e nderimit dhe respektit për këtë qytet. “Kemi kandiduar personin që besojmë se ofron më së miri potencialin për të avancuar alternativën tonë për Korçën. Për të vënë në qendër të qeverisjes lokale të Korçës jo kryetarin e Bashkisë, as shokët apo miqtë e tij personalë, e as grupet e interesit, po për të vënë në qendër të Bashkisë së Korçës qytetarin korçar, hallet dhe problemet e tij, shpresat dhe dëshirat. Stratobërdha është njeri që e prek dhe e ndien shqetësimin e gjithsecilit. Gjej rastin të bëj edhe një dallim tjetër evident, që është i qartë: kandidatët emrat i kanë njësoj, të dy Sotiraq. Madje duket se Sotiraqi tjetër në moshë sikur është edhe më i ri, por rrugët i ka më të vjetra se Sotiraqi ynë. Me praktikën më të mirë të qeverisjes sot vjen Sotiraq Stratobërdha më i qartë se ai tjetri, pasi ky u ofron transparencë, modesti dhe përkushtim qytetarëve. Sot dua t’u bëj një apel vlerave që ndodhen në shpirtin e çdo qytetari korçar të logjikojnë përtej çdo përkatësie politike dhe të gjykojnë me parametrat e një gjykimi modern”, u shpreh Basha në takimin e djeshëm elektoral në Korçë.