Kërkesë drejtuar kryeprokurorit Llalla Familjarët e viktimave të Gërdecit kërkojnë rihapjen e hetimeve për Mediun

0
159

 

Tiranë

 

Akuza e 18 firmëtarëve të kërkesës: Ministri i Mbrojtjes në atë kohë, urdhërdhënësi kryesor. Lidhje organike mes veprimeve dhe mosveprimeve të ish-ministrit Mediu në këtë ngjarje

 

familjaret-gerdecFamiljarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit nuk tërhiqen. Pas kërkesës drejtuar ish-kryeprokurores Ina Rama për rihapje të hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë ata i drejtohen personit që e zëvendësoi atë në detyrë, kryeprokurorit Adriatik Llalla. Në një kërkesë të firmosur nga 18 familjarë, ata kërkojnë të rihapen hetimet pasi e akuzojnë ish-ministrin e Mbrojtjes si urdhërdhënësin kryesor në atë ngjarje. “Lidhur me veprimet ose mosveprimet e ish-Ministrit të Mbrojtjes dhe humbjes së paligjshme të jetës së viktimave është e mundur ekzistenca e një lidhjeje organike. Këto veprime kanë lidhje me aktivitetin e demontimit të municioneve në Gërdec dhe me shkallën e përfshirjes së mbikëqyrjes ushtarake të këtij aktiviteti me rrezikshmëri të lartë. Ka shumë për të zbuluar nëse rregullat ishin të pamjaftueshëm për të garantuar një proces normal demontimi dhe për të minimizuar çdo faktor risku, apo nëse rregullat ishin të mjaftueshëm, por shpërfillja e tyre ka sjellë pasojën e dëmshme. “Sipas familjarëve të viktimave, vlen për t’u theksuar se Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur akuza në lidhje me humbjen e jetëve për disa nga drejtuesit e dikastereve që kanë pasur për detyrë të mbikëqyrin procesin. “Ish-ministri i Mbrojtjes sipas legjislacionit që rregullon veprimtarinë e forcave të armatosura, është drejtuesi më i lartë i strukturave ushtarake në kohë paqeje dhe se për çdo akuzë që ngrihet ndaj eksponentëve të lartë të dikastereve, ashtu duhet të hetohet dhe gjykohet edhe shkalla e përfshirjes së çdo zyrtari tjetër, përfshirë këtu edhe Ministrin e Mbrojtjes si urdhërdhënësi kryesor dhe; për arsye të një hetimi të plotë e të gjithanshëm, përkrah gjykimit të 29 të pandehurve të Gjykatën e Apelit Tiranë, duhet të gjykohet paralelisht edhe Ministri për akuzat e ngritura, lidhjen me akuzat e tjera dhe mundësinë e ngritjes së akuzave të reja”, – nënvizojnë familjarët në kërkesën e tyre drejtuar kryeprokurorit Llalla.

Kërkesa dërguar Ina Ramës në vitin 2012

Shoqata e familjarëve të viktimave të shpërthimit të Gërdecit, nëpërmjet një letre drejtuar kryeprokurores Ina Rama, në 26 tetor 2012, kërkoi, vënien e të gjithë personave që dyshohen si përgjegjës, përpara drejtësisë. Jo vetëm ata 29 të pandehur që priteshin të gjykoheshin në Gjykatën e Apelit, por edhe të Fatmir Mediut, ndaj të cilit ende nuk është zhvilluar asnjë seancë. Sipas tyre, kjo kërkesë nuk ka marrë asnjë përgjigje. “Tashmë Kuvendi ka miratuar heqjen e pengesës ligjore për të ndjekur penalisht deputetët. Ky kuadër i ri ligjor për imunitetet e deputetëve, krijon premisat e duhura për angazhimin tuaj si institucion në këtë aksion në emër të drejtësisë. Më 11 tetor ky ndryshim i Kushtetutës është botuar në Fletore Zyrtare dhe nga data 26 tetor 2012 hyn në fuqi, duke e kthyer në konkrete mundësinë tuaj për të vijuar ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, si i vetmi person i përfshirë, por ende i pagjykuar për tragjedinë e ‘Gërdecit’, pikërisht për shkak të imunitetit, që tashmë nuk e gëzon më”, thuhej në letrën e drejtuar Ina Ramës. Shoqata e familjarëve të “Gërdecit”, bëri thirrje që Prokuroria e Përgjithshme të rinisë veprimet ndaj Fatmir Mediut aty ku janë ndërprerë, për shkak se në 2009-ën ai gëzonte imunitet. “Në këtë situatë, presim nga ana juaj të rinisni veprimet aty ku kanë ndalur në datën 14 shtator 2009, në kohën kur Gjykata e Lartë konstatoi se Fatmir Mediu kishte sërish mbrojtje nga imuniteti i ri i fituar në zgjedhjet e vitit 2009. Kërkojmë nga institucioni juaj që të çojë përpara drejtësisë deputetin e akuzuar, duke qenë se siç na u komunikua në atë kohë, imuniteti i ri ishte e vetmja pengesë që Gjykata e Lartë të vazhdonte gjykimin. Kujtojmë këtu, se pas pushimit të çështjes, juve nuk keni proceduar më tej, pasi nevojitej një autorizim i ri nga Kuvendi, ndërkohë që përfaqësuesi juaj ka deklaruar përpara Gjykatës së Lartë në procesin e nisur prej shoqatës sonë se Prokuroria e Përgjithshme nuk e ka nisur për herë të dytë kërkesën për heqjen e imunitetit, pasi ‘jemi në një situatë të paqartë juridike’”, – vijonte deklarata. Familjarët kërkojnë drejtësi, pasi sipas tyre kjo tragjedi ka lënë pas edhe një pafundësi me probleme që po i persekutojnë, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre. Ndërkohë që, edhe pas shqetësimit dhe interesit të ndërkombëtarëve për këtë çështje, familjarët shprehen se çështja e “Gërdecit” është një sprovë e madhe për të gjitha institucionet.

 

 

Tiranë

Rënia e dy punëtorëve nga skela, pranga inxhinierit dhe kontrolluesit teknik

Inxhinieri dhe kontrolluesi teknik i pallatit 8-katësh ku punonin dy punëtorët që humbën jetën dy ditë më parë janë arrestuar dje nga policia. Sipas burimeve zyrtare policore, Ndërtim Myftiu, 53 vjeç, dhe Xhetan Beqiri, 50 vjeç, janë arrestuar nga efektivët e Komisariatit numër dy në kryeqytet pasi dyshohen se nuk kanë marrë masat e duhura për sigurimin në punë të punëtorëve. Si pasojë e mosmarrjes së këtyre masave kanë humbur jetën duke u rrëzuar nga skela Muhamet Zmakaj, 50  vjeç, baba i 6 fëmijëve dhe banues në Kamëz dhe Agron Vellku po banues në Kamëz. Dy punëtorët e ndërtimit humbën jetën ditën e hënë pasi ranë nga kati i 8-të i një pallati ku po punonin. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Dora D’istria” në kryeqytet. Si pasojë e përplasjes njëri nga punëtorët humbi jetën menjëherë pa mundur të marrë ndihmën mjekësore ndërsa punëtori tjetër ndërroi jetë rreth orës 17:35 në Spitalin e Traumës në Tiranë. Në bazë të hetimeve mësohet se shkak i aksidentimit të tyre gjatë punës është bërë këputja e skelës.

 

Takimi

Kreu i Policisë së Shtetit pret delegacion nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së

Një delegacion i Departamentit të Shtetit të SHBA-së i kryesuar nga z. Hoyt Yee, si dhe drejtuesi i Programit për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë e Kufijve (EXBS), z. Alan Theriauld, zhvilluan dje një vizitë në Pikën e Kalimit Kufitar Han i Hotit. Gjatë vizitës z. Yee dhe delegacioni i kryesuar prej tij, u pritën dhe shoqëruan nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Artan Didi. Z. Yee dhe delegacioni që e shoqëronte, gjatë kësaj vizite fillimisht u njohën më nga afër me punën që bëhet në këtë Pikë Kalimi Kufitar, si dhe iu prezantua sistemi TIMS, që ka në dispozicion Policia e Shtetit dhe pajisjet për kontrollin në vijën e parë. Më pas gjatë kësaj vizite u bë një prezantim mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Grupit të Lëvizshëm Operacional të Policisë Kufitare, si dhe i pajisjeve që ato kanë në përdorim, të cilat janë donacion i bërë në kuadër të programit EXBS. Po ashtu u vizituan dhe ambientet e kontrollit në vijën e dytë, në Urën Ngritëse, ku u prezantuan disa nga rezultatet e arritura, duke përdorur pajisjen e kontrollit, ku dhe këto pajisje janë donacione të përftuara nga Policia e Shtetit në kuadër të programit EXBS. Z. Hoyt Yee, duke shprehur kënaqësinë e tij për vizitën e zhvilluar, garantoi vijimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, si dhe mbështetjen qoftë përmes trajnimeve të ndryshme për Punonjësit e Policisë Kufitare, ashtu dhe përmes mbështetjes me logjistikën e nevojshme dhe me pajisje për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit.

 

Korçë

18-vjeçarja shtatzënë dhunohet në spital nga bashkëshorti i dehur

Një grua shtatzënë në Korçë është dhunuar fizikisht nga bashkëshorti i saj brenda ambienteve të maternitetit të Korçës. 18-vjeçarja Erisa Çela nga fshati Vinçan është rrahur barbarisht nga bashkëshorti i dehur në dhomën e spitalit, pas një grindjeje të çastit. Ndërkohë, policia ka vënë në pranga 29-vjeçarin Olger Limushaj, nën akuzën e dhunimit të bashkëshortes së tij.

Nëna e 18-vjeçares shtatzënë Hurma Çela ka treguar se çifti ishte martuar një vit e gjysmë më parë dhe lidhja e tyre ende nuk ishte celebruar. Por konfliktet mes tyre ishin të shumta, për shkak të dyshimeve për një lidhje jashtëmartesore të bashkëshortit. 29-vjeçari e ka dhunuar edhe herë të tjera gruan e tij 4-muajshe shtatzënë, e cila pret fëmijën e parë.

Pas ngjarjes, 18-vjeçarja është kthyer në banesën e prindërve dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Pavarësisht ngjarjes dhe këmbënguljes së familjarëve, ajo pohon se do ta falë bashkëshortin dhunues. Ngjarja e rëndë vjen vetëm pak ditë pas dhunimit të një tjetër gruaje shtatzënë, në fshatin Porodinë të Korçës, e cila u rrah barbarisht dhe më pas u hodh nga muri rrethues i shtëpisë nga bashkëshorti i saj.

 

Motori bie në kanal, humb jetën 28-vjeçari Duro

Një motor ka përfunduar në kanal dhe për pasojë ka humbur jetën drejtuesi. Ngjarja aksidentale ka ndodhur rreth mesnatës duke u gdhirë dita e djeshme në rrugën dytësore Porodinë – Vinçan në qarkun e Korçës. Një motor humbi kontrollin dhe ra nga ura në kanal. Për pasojë humbi jetën 28-vjeçari Mariglen Duro. Policia bëri të ditur se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte motori.

 

Lezhë

Rihapen hetimet për vrasjen e 15-vjeçarit Armando Skandaj

Prokuroria e Lezhës ka rihapur dosjen e vrasjes së 15-vjeçarit Armando Skandaj 3 vite më parë, i cili mbeti i vrarë gabimisht pas një aksioni të policisë për kapjen e personi tjetër të akuzuar për grabitje. Rihapja e hetimeve erdhi pas kërkesës së familjarëve të viktimës, të cilët pretendojnë se policia e Lezhës ka manipuluar provat. Ata akuzojnë policinë se ka qëlluar në drejtim të automjetit ku udhëtonte 15-vjeçari duke e vrarë atë, ndërsa kërkojnë nga Prokuroria që autori i vrasjes së djalit të tij të dalë para drejtësisë. Ngjarja e rëndë ku mbeti i vrarë minoreni Armando Skandaj, ndodhi më 17 korrik të vitit 2010 në vendin e quajtur Ura e Cenit, ndërsa solli dhe protesta të qytetarëve duke i kërkuar policisë të zbardhë krimin. Policia e Lezhës në atë kohë po zhvillonte një aksion për kapjen e vëllait të viktimës, pasi dyshohej se kishte kryer një grabitje, por ai nuk i është bindur patrullës së policisë duke mos u ndaluar, ndërsa policia ka qëlluar mbi automjetin ku udhëtonin vëllezërit Skandaj, ku si pasojë mbeti i vdekur 15-vjeçari.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency