Gëzim Saliu
12 policë privatë dhe përmbaruesi shoqërohen në rajon. Ministri: Askush mbi ligjin
Pronari i ndërtesës: Gjykata ka dhënë vendim të prerë. Gjinushi: Bandat ish-qeveritare merren me letra false
Selia e PSD-së përfshin në përplasje fizike Policinë e Shtetit dhe atë private. Aksioni i ndërmarrë nga përmbarimi privat për lirimin e ndërtesës së partisë së Skënder Gjinushit u kundërshtua dje nga forcat e Policisë së Shtetit, të cilët kërkuan largimin e përmbaruesve dhe policisë private nga ndërtesa. Por, urdhri i policisë nuk u mirëprit nga privati e në këtë moment nisi përplasja mes palëve, e cila u mbyll me shoqërimin në rajon të 12 përfaqësues të policisë privatë, përmbaruesit privat si edhe pronarit të ndërtesës.
Përplasja
Rreth orës 08:00 të paradites së djeshme, përmbaruesi privat Baftjar Nela, i mbështetur dhe nga policia private, e kontraktuar dhe nga pronari i shtëpisë, ka hapur me forcë derën e jashtme të ndërtesës dhe ka marrë në dorëzim oborrin e selisë së PSD-së. Forcat e policisë private u vendosën të rreshtuara para derës dhe nuk lejuan hyrjen në ndërtesë të kreut të PSD-së Skënder Gjinushi, dhe përfaqësuesve të tjerë të kësaj partie. Nga ky moment, Gjinushi iu drejtua një lokali që ndodhej përballë selisë së PSD-së, duke shmangur përplasjen me policinë private. Menjëherë në selinë e PSD-së ka mbërritur Policia e Shtetit, e cila i ka kërkuar policisë private të largohej nga dy portat komunikuese të objektit. Kundërshtia e policisë private për të zbatuar urdhrin e Policisë së Shtetit ka degjeneruar deri në dhunën fizike mes palëve. Sipas policisë private, aksioni i tyre ishte më se ligjor, nisur nga fakti se po ekzekutonin një urdhër të përmbaruesit privat. Pas përplasjes mes tyre, policia ka shoqëruar 12 policët privatë dhe më pas edhe vetë përmbaruesin privat, Baftjar Nela, në komisariatin nr. 3 të kryeqytetit. Ministria e Brendshme, përmes një deklarate të shkurtër, ka theksuar se policët privatë janë shoqëruar pasi kanë kundërshtuar me forcë Policinë e Shtetit dhe më pas janë konfrontuar me policët e rendit. “Askush nuk do të lejohet të dalë mbi ligjin dhe mbi Policinë e Shtetit”, – thuhej në deklaratë. Konflikti ka vijuar edhe pasdite, në momentin kur kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, u fut në selinë e partisë. Pronari i banesës dhe përfaqësuesit e përmbarimit kanë kundërshtuar hyrjen e tij në ndërtesë, por në këtë momente ka ndërhyrë policia, e cila i ka shoqëruar ata në rajon. Më parë, pronari i ndërtesës 3-katëshe, ku është vendosur selia e PSD-së, Osman Metallohu, u shpreh: “Vendimi i gjykatës është i formës së prerë, ne kemi fituar gjyqin, nuk e kuptoj pse Skënder Gjinushi po mban pronën e tjetrit”. Nga ana e tij, kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, nga lokali ku ndodhej, u shpreh: “Janë falsifikuar dokumentet, PSD ka fituar gjyqin me anë të vendimit të Gjykatës së Lartë, personi që pretendon se është pronari, ndodhet në gjyq prej 5 vjetësh dhe i ka humbur të gjitha gjyqet, ky pronar ka vetëm 1/3 e pronës, ndërsa pjesa tjetër është pronë shtetërore, ndërsa ky pretendon ta marrë të gjithë godinën nëpërmjet falsifikimit. Enti Kombëtar i Banesave merret me banesat, jo me selitë, por disa banda qeveritare apo ish-qeveritare merren me letra false dhe marrin vendime të tilla. Përgjegjësi do të japë llogari para prokurorisë dhe më pas para gjykatës”.
Konflikti
Rreth orës 8:00 të paradites së djeshme forcat e policisë private bllokuan hyrjen në selinë e PSD-së, duke zbatuar urdhrin e përmbaruesit privat Baftjar Nela i kontraktuar nga pronari i ndërtesës
Një orë më pas në selinë e PSD-së mbërritën forcat e Policisë së Shtetit të cilët kërkuan largimin e policisë private
Kundërshtia e policisë private për t’u larguar nga dera e hyrjes së selisë së PSD-së ka shkaktuar përplasjen fizike me Policinë e Shtetit e cila shoqëroi në komisariat 12 efektivët e policisë private
Rreth orës 16:15, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, së bashku me përfaqësues të tjerë të forcës politike që drejton, ka hyrë në ndërtesën e selisë. Hyrja e tij në ndërtesë u kundërshtua ashpër nga pronari i ndërtesës
Qëndrimet
Pronari i ndërtesës, Osman Metallohu
“Vendimi i gjykatës është i formës së prerë, ne kemi fituar gjyqin, nuk e kuptoj pse Skënder Gjinushi po mban pronën e tjetrit”,
Përmbaruesi Baftjar Nela
“E kemi lajmëruar kryetarin Gjinushi, afati ligjor prej 10 ditësh ka mbaruar, nuk ka më afate, kemi të drejtën të kalojmë në ekzekutim të menjëhershëm, i kemi dhënë kohën e nevojshme që të marrë objektet që ka brenda selisë, qoftë arkivin apo dokumentet e tyre” .
Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi
“PSD ka fituar gjyqin me anë të vendimit të Gjykatës së Lartë, personi që pretendon se është pronari ndodhet në gjyq prej 5 vjetësh dhe i ka humbur të gjitha gjyqet, ky pronar ka vetëm 1/3 e pronës, ndërsa pjesa tjetër është pronë shtetërore, ndërsa ky pretendon ta marrë të gjithë godinën nëpërmjet falsifikimit”,
Vendimi për selinë
Në qershor, Gjykata hodhi poshtë kërkesën e ministrit të Brendshëm
Në datë 19 të muajit qershor të këtij viti, Gjykata e Tiranës hodhi poshtë kërkesën e ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Flamur Noka, për lirimin e selisë së PSD-së për shkak se prona ishte private. Gjykata, pas analizës së provave dhe pretendimeve të përfaqësueseve të kërkuesit në gjykim, vlerësoi se kërkesa është e pabazuar në ligj dhe për rrjedhojë duhej të refuzohej. “Gjykata arrin në përfundimin e cituar me sipër, pasi analizon përmbajtjen e nenit 19 të ligjit nr. 8510, dt. 15.07.1999, “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore”, i ndryshuar, i cili në mënyrë eksplicite parashikon: “Vendimi i organit të administratës shtetërore për njohjen e përgjegjësisë në shkaktimin e dëmit, për pagimin e dëmshpërblimit përkatës dhe të masës së tij, përbën titull ekzekutiv”. Pra, nga dispozita në të cilën është referuar kërkuesi, konkludohet që konsiderohet titull ekzekutiv vetëm vendimi i organit të administratës shtetërore për njohjen e përgjegjësisë në shkaktimin e demit, për pagimin e dëmshpërblimit përkatës dhe të masës se tij, ndërkohë që në rastin objekt gjykimi nuk jemi përpara një akti të tillë, por thjesht të një shkrese me anë të së cilës i është vënë në dispozicion Partisë Social-Demokrate një ambient për ta përdorur për të kryer aktivitetin e vet politik”, – thuhej në vendim. Në këto kushte, thekson më tej Gjykata, duke e gjetur kërkesën të pabazuar në ligj e konkretisht në dispozitën e cila ka shërbyer si bazë ligjore për kërkesën, çmon ta refuzojë atë.