Violeta Murati
Një natë më parë në edicionin e festivalit të filmit, TIFF, shfaqet filmi “Aria” e dhjetë gjigandëve të kinematografisë botërore, secili me historinë e tij; një nga segmentet “Një natë në opera”, me regji të Nicolas Roegh jepet: Atentati i Leka Zogut I në filmin anglez të ‘87-ës; Rrëfimi i producentit britanik Don Boyd: Ishim tapë kur caktuam në rolin e Mbretit Shqiptar aktoren Teresa Russell
Mes madhështisë së operës vjeneze në sfond, në parkun e saj, jashtë kur vendi ishte mbuluar në dëborë në një stol, tre burra me të zezë dhe kasketë lexojnë në gazetë: Vizita sekrete e Mbretit Zog… i dashuruar! Lajm në faqen e parë. Në pak sekonda një prej tre burrave nxjerr nga kapota e zezë një pistoletë, duke e mbështjellë me gazetën, shkojnë drejt ndërtesës së operës. Është kjo hyrja e xhirimit të segmentit “Një natë në opera” nga filmi “Aria” realizuar për herë të parë në historinë e kinematografisë botërore ku mblidhen bashkë, shkruar e drejtuar nga 10 prej regjisorëve më të famshëm si Jean Luc Godard, Robert Altmann, Ken Russell, Nikolas Roegh etj.
Konsideruar befasi shqiptare pasi një nga regjisorët Nicolas Roegh ka zgjedhur romancën e fshehtë të Mbretit Zog, që i kushton me trajtimin e atentatit të bujshëm organizuar kundër tij gjatë vizitës në Vjenë në vitin 1931. Ky film, me gjithë pjesët e tjera të plota, është shfaqur për herë të parë në Shqipëri përfshirë në programin e festivalit të TIFF, ndërsa ka bërë xhiron e botës në vitin 1987. Filmin në Tiranë e prezantoi producenti i tij, Dan Boyd, ndërsa organizatorët kishin parashikuar edhe ardhjen e regjisorit Nicolas Roegh, që për arsye shëndetësore thanë se nuk mundi të ishte i pranishëm.
Të gjithë filmat prezantohen pa fjalë. Ka vetëm muzikë. Nuk ka dialog, ku secili shfaq një arie nga operat e kompozitorëve të famshëm si Verdi, Puçini, Vagner etj.
Segmenti i regjisorit anglez Roegh për Mbretin shqiptar është opera “Balloja me maska” e Verdit, shfaqur në pallatin e Operës së Vjenës.
Producenti i filmit, Dan Boyd, duke përshëndetur në shqip, tha se “është një nder që po e shfaqim këtë film në Tiranë”. Filmi i shumëpërfolur për shqiptarë deri tani ishte pjesë e habisë, dhe për shumë media u interpretua histori për t’u konsumuar. Në fakt ndjekja e filmit një mbrëmje më parë, për dy orë merr vesh nga dimensioni i regjisorëve të famshëm duke depërtuar në raporte intime, deri në mënyra të pamëshirshme, ashpër në psikën tabu edhe të qytetërimit perëndimor, shpërfillës si ndaj ndjenjës dhe seksit. Secili nga regjisorët ka treguar historinë e tij, si zgjedhje e lirë, personale.
Ndoshta në këtë kontekst nis vizualiteti i segmentit të filmit për Mbretin shqiptar, drejtuar si romancë, e më pas regjisorët paraqesin seksin, trupin nudo të femrës, marrëdhëniet intime në çift deri në kufirin e natyralitetit fatal, shpesh shumë afër pornografisë artistike.
Ky film ka rrëfyer producenti mbylli natën e fundit në Kanë në vitin 1987, vlerësuar si nga më të veçanta për të. Referuar dhe shfaqjeve nëpër vende të ndryshme Boyd do ndante edhe me shqiptarët efektin që ka lëshuar ky film në mentalen e njerëzve, kur tha: “Disa segmente të tjera të filmit do t’i doni dhe të tjera jo. Kudo që është shfaqur gjysma ka duartrokitur, gjysma ka fshikëllyer, e kanë urryer. Ju lutem që ju të mos fishkëlleni”… mbyll porosinë për shikuesit shqiptar, që në fakt dhe pse në pjesë “skandaloze”, nuk pati asnjë pipëtimë në sallë. Një film që u frymëzua nga Walt Disney, thotë Boyd, duke vendosur më pas ta kthenin “Aria” në një film artistik.
Segmentin “Një natë në opera” me muzikë nga aria e Verdit, producenti e konsideron një histori puzzle, me të cilën regjisori britanik Roegh e kishte një zgjedhje krejtësisht personale. Arsyeja? Përveç enigmës së vrasjes, vizitës sekrete të mbretit shqiptar, romancës së tij të fshehur kasti i regjisorëve kishin mbetur në momentin e fundit, se cili do të luante në rolin e Zogut. Boyd thotë se ndonëse ekipi i xhirimit ishte vendosur në Vjenë ata ende nuk kishin vendosur për personazhin.
Një histori që rrëfehet në sinqeritet, ku Boyd tregon se gjithë ekipi i regjisorëve dolën për të pirë. “Ishim bërë të gjithë tapë, kur Nicolas tha: “Po sikur ta Theresa ta luajë Mbretin Zog?” Ai sqaroi se sugjerimin e kishte marrë prej meje, por se e kujt ishte ideja fillestare nuk u mor asnjëherë vesh”, ka treguar Boyd duke ngritur një atmosferë tjetër kurioziteti tek shikuesit, pasi bëhej fjalë për ikonën e kinematografisë amerikane Theresa Russell, bashkëshorte e regjisorit britanik që kishte dhënë tashmë historinë e tij për enigmën e romancës së Mbretit shqiptar.
***
Në Vjenë, në pallatin rezidencial, shfaqet Mbreti Zog I, në rol Theresa Russell, me trup mesatar, me mustaqe të vogla, sy blu, fare i ri në pamje. Fsheh enigmë, ankth përgatitja e Mbretit për në opera. Shpesh kamera fokuson sytë, luan me sytë e Mbretit. Në anën tjetër, në sfondin muzikor përgatitet baronesha, paraqitet në të njëjtën skenë ankthi.
Gjithë ritmi i filmit hyn mes vështrimit para pasqyrës të personazheve, mbretit dhe baroneshës dhe hijes së tre burrave që përgatiten për atentatin.
Regjisori britanik e ka dhënë me plot madhështi prezencën e mbretit shqiptar, qoftë në rezidencën e tij, ashtu dhe sqimën në të veshur, shoqëruar gjithë kohën nga adjutantët e tij.
Tensioni filmik mbërrin kulmin në shfaqje. Në lozhë Mbreti Zog ka përballë baroneshën. Tensioni i romancës vjen nga vështrimet, sy në sy, miklime të dyanshme, në fshehtësi edhe pse gjithë njerëzia mendja e kanë te balloja me maska. Por kjo valë ndjesish përzihet me muzikën, bashkë me instiktiv e Mbretit për t’u ngritur nga lozha, braktisur operan nën tensionin njerëzor, për çfarë po i përgatitej jashtë dyerve të pallatit. Përqendrimi artistik krijon parandjenjën duke e bërë Mbretin të lërë menjëherë shfaqjen pasi dramacitetin kryen dhe “detyrën” e fundit të “ndeshjes së shikimeve” me baroneshën.
Ngjarja e rrallë sos në shkallët e Pallatit të Operas kur të shtënat përzihen me kulminacionin e Verdit, duke përzier gjakun me krismat. Mbreti shpëton, falë majorit të tij, që për t’i shpëtuar jetën mbeti vetë i vrarë. Plagoset dhe ministri i oborrit mbretëror. Në histori e dimë janë Llesh Topallaj dhe Ekrem Libohova.
I rëndësishëm fakti, kur mbi të zezë, në ekran shkruhet: King Zog shot back! Në këtë histori regjisori britanik konsideron (në habi) rast historik, emri shqiptar i monarkut si lideri i vetëm në historinë botërore që i përgjigjet një atentati, duke shkrepur pistoletën e tij dhe duke lënë për vdekje atentatorin. Kjo mund të quhet një lidhje e dyfishtë midis Zogut dhe operas, parandjenjë e vendosur qysh në fillim të këtij segmenti. Theresa Russell luan vetëm me mimikë duke krijuar profilin e një Mbreti rebel, të butë, të ashpër, të dashuruar, romantik – në një kohë kur në film paraqitet kjo dendësi tensioni të brendshëm, vetëm me muzikë, pa fjalë në gati 20 minuta.
Fjalitë: Zogu, romancë dashurie me baroneshën e re, zbulojnë historinë e puzzle, kur pas atentatit baronesha ka dalë po me të njëjtin vrull nga Pallati, ka dëgjuar krismat dhe është lëshuar në krahët e Mbretit shqiptar.
Zogu, i vetmi lider në historinë botërore që i përgjigjet atentatit
I rëndësishëm fakti, kur mbi të zezë, në ekran shkruhet: King Zog shot back! Në këtë histori regjisori britanik konsideron (në habi) rast historik, emri shqiptar i monarkut si lideri i vetëm në historinë botërore që i përgjigjet një atentati duke shkrepur pistoletën e tij dhe duke lënë për vdekje atentatorin. Kjo mund të quhet një lidhje e dyfishtë midis Zogut dhe operas, parandjenjë e vendosur qysh në fillim të këtij segmenti.
Info/kult
“Agroniada” kujton koreografin
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së mjeshtrit të koreografisë shqiptare Agron Aliaj, Teatri i Operas organizoi mbrëmjen “Agroniada”, përfshirë si një album koreografik nga krijimtaria e zgjedhur nën koreografinë e Arjan Sukniqit. Është një prezantim simbolik duke kujtuar kontributin e koreografit e dirigjuar nga Eno Koço, i cili drejton orkestrën, dhe prej 50 vitesh kishte njohje të afërt me Aliajn. Lëvrimi i gjinive të ndryshme, krijimi i një lloj shkolle të modernizmit në baletin klasik, si shtysë e nxitje për repertorin shqiptar, janë vlerësimet ku vendoset kontributi i koreografit. Ndërsa balerinët kanë vlerësuar Aliajn si profesor, koreograf dhe artist i papërsëritshëm i skenës shqiptare. Solistët dhe trupa e baletit sollën pjesët më të njohura nga krijimtaria e koreografit si “Shopen”, “Mjellma e zezë”, “Ëndrra dashurie”, “Arrëthyesit”, “Zhizel”, “Vdekja e mjellmës”, “Fausti”, “Lumi i vdekur” dhe “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”.
“Paraja” e Bokshit merr në Dibër çmimin “Shfaqja më e mirë”
Komedia “Paraja”, e realizuar nga trupa e Teatrit Shqiptar nga Shkupi, ka fituar çmimin e shfaqjes më të mirë në edicionin e 12-të të Festivalit të Teatrove Shqiptare në Maqedoni të zhvilluar në Dibër, që sapo ka përfunduar. Kjo shfaqje është realizuar nga regjisori kosovar Ilir Bokshi, ndërsa bën fjalë për një farsë angleze të aktorit dhe shkruesit të teksteve Rej Kuni dhe konsiderohet si një nga komeditë më intriguese të tij. Në këtë komedi, e tërë loja në skenë ndërlidhet me paranë, për çka, pjesëmarrësit japin gjithçka nga vetja për ta mbrojtur atë. Intriga ndodh rreth një çante që ngatërrohet në metro, një çantë me afërsisht 2 milionë funta që ndryshon rrjedhën e jetës së Perkinsëve. Në këtë shfaqje luajnë: Luran Ahmeti, Zarije Jonuzi, Xhevdet Jashari, Amernis Jovanovska Nokshiqi, Blerim Dardhishta, Fisnik Zeqiri dhe Visar Etemi. Ndërkohë, aktorja e cila luan në këtë shfaqje, Zarije Jonuzi, është shpërblyer me çmimin aktorja më e mirë në rolin kryesor, nga juria profesionale e festivalit e përbërë nga Milto Kutani, Selajdin Salihu dhe Agim Selimi. Çmimi “Aktori më i mirë” i është ndarë Çun Lajçit për rolin në shfaqjen e regjisorit Ekrem Kryeziu “Përplasja” të realizuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Ndërsa për regjinë më të mirë është shpërblyer Erson Zymberi me shfaqjen “Pacienti i dr. Frojdit” të Teatrit të Gjilanit. Juria ka ndarë edhe çmimin aktori me i mirë joprotagonist i cili i ka takuar Albano Prodanit si dhe çmimet speciale për aktorët Pajazit Murtishi dhe Arben Derhemi. Në festivalin “Teatri shqiptar në Maqedoni” gjatë 6 netëve të kaluara janë prezantuar shfaqje të ndryshme teatrale nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.