Ervin Kaduku
Gjatë periudhës rreth zgjedhjeve, prill – korrik, u larguan nga bankat 130 milionë euro. Rritja vjetore e depozitave, tri herë më e ulët se një vit më parë
Depozitat u rritën për të dytin muaj radhazi në shtator, duke kthyer mbrapsht tendencën rënëse që ishte konstatuar në periudhën prill-korrik, kryesisht si rrjedhojë e rikthimit të kursimeve në valutë në banka. Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat mujore të Bankës së Shqipërisë.
Totali i depozitave në sistemin bankar arriti në gati 956 miliardë lekë në fund të muajit shtator, duke u rritur me 0.8%, apo rreth 7 miliardë lekë në raport me një muaj më parë. E gjithë kjo rritje ka ardhur pothuajse tërësisht nga shtimi i kursimeve në valutë, të cilat janë zgjeruar me gati 1.6% në raport me një muaj më parë. Si depozitat e korporatave në valutë, ashtu dhe ato të individëve kanë parë një zgjerim të ndjeshëm në shtator, ndryshe nga periudha janar-korrik, kur kursimet në valutë shfaqën një tendencë konstante rënieje. E ndjeshme ishte kjo rënie, sidomos në periudhën rreth zgjedhjeve, ku gjatë prill-korrik u larguan nga bankat rreth 130 milionë euro (18 miliardë lekë).
Në krahasim me fundin e 2012-s, kursimet në total janë rritur me rreth 25 miliardë lekë, apo 2%, kryesisht si rrjedhojë e shtimit të depozitave në lekë, ndërsa ato në valutë kanë ndikuar vetëm në 10% të rritjes.
Me bazë vjetore (shtator 2013/shtator 2012), ishin 25.4 miliardë lekë, apo 2.7% më të larta, duke qenë tre herë më të ulëta në raport me një vit më parë, ku ndryshimet përkatëse ishin 8% dhe 72 miliardë lekë.
Megjithatë, bankat sërish nuk “e hapin qesen” në favor të ekonomisë, edhe kur u janë shtuar fondet si pasojë e rritjes së depozitave. Në fakt, kredia për ekonominë shfaqi sinjalet e para të rigjallërimit në shtator, pasi kishte rënë për tre muaj radhazi, megjithatë, me bazë vjetore huadhënia për bizneset e individët ka shënuar rënie prej gati 2%. Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, totali i kredisë për ekonominë në fund të muajit shtator arriti në 547 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 0.44%, apo rreth 2.4 miliardë lekë, në raport me një muaj më parë. Rritja ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e rigjallërimit të huasë në valutë, ndërkohë që ajo në lekë ka mbetur në vend.
Por, kjo nuk e pengon shenjën negative të këtij procesi. Gjithnjë sipas statistikave të bankës qendrore, në krahasim me fundin e vitit 2012, huaja për ekonominë është tkurrur me 1.3%, apo rreth 7.4 miliardë lekë. Një vit më parë, ndryshimet përkatëse ishin rreth 3% dhe 15 miliardë lekë.
Me bazë vjetore (shtator 2013/shtator 2012), huaja për ekonominë është reduktuar me 1.8%, apo rreth 10 miliardë lekë (një vit më parë ndryshimet përkatëse ishin 5.5% dhe 29 miliardë lekë) .
Kjo është ecuria më negative, që prej më se një dekade, kur sistemi bankar po vuante problemet e ristrukturimit të bankave të atëhershme shtetërore. Një paketë e Bankës së Shqipërisë, e miratuar në fillim të muajit prill, që synonte përmirësimin e ekzekutimit të kolateralit dhe lehtësimin e kritereve të likuiditetit për bankat, nuk arriti të nxisë huadhënien, teksa bankat vijuar të përqendroheshin në menaxhimin e huave me probleme, që në fund të gushtit u rritën sërish në 24.1% të totalit, pasi kishin rënë lehtë në korrik.
Arsyet e kreditimit të ulët lidhen si me kërkesën e dobët të biznesit, që ka frenuar investimet, ashtu dhe nga shtrëngimi i standardeve të kreditimit nga bankat. Kjo e fundit duket të jetë më e fortë se rënia e kërkesës, teksa Banka e Shqipërisë ka pranuar se tkurrja e huasë nga bankat po ndikon në lulëzimin e kredisë informale.
Info/Kosovë
Qeveria e Kosovës miraton buxhetin 2014, ja prioritetet
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2014. Ministri i Financave ka thënë se buxheti i Kosovës do të jetë 1 miliard e 590 milionë euro, transmeton “KTV”. Kryeministri i Kosovës ka thënë se me këtë planifikim do të ketë ngritje pagash për të gjitha kategoritë. Kryeministri i Kosovës gjithashtu ka bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe fer. Ai ka përgëzuar kabinetin qeveritar siç ka thënë për punën që po bëjnë gjatë fushatës, pavarësisht se shumica e tyre janë të angazhuar në fushatë. “Shpresojmë që edhe serbët në veri do të dalin në zgjedhje dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe do të nisim bashkëpunimin tonë dhe investimet atje”, – ka thënë Thaçi.
Projekti i riciklimit mbledh më shumë se 10.000 copë
Qendra për Studime të Avancuara FIT gjatë gjashtë muajve të fundit ka realizuar një projekt për riciklimin e baterive të zbrazëta, i financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. Sot është mbajtur ceremonia përmbyllëse e projektit në shkollën fillore “Mitrush Kuteli” në Matiqan. Me këtë rast janë ndarë mirënjohje dhe dhurata për tri shkollat fituese të projektit. Pjesëmarrës ishin përfaqësuesit e Ambasadës Amerikane, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe drejtorë të shkollave fillore.
Gjatë këtyre muajve janë mbledhur më shumë se 100 kilogramë bateri të zbrazëta, apo përkthyer në copë mbi 10.000 bateri. Vendin e parë e zuri shkolla fillore Faik Konica (19.5 kilogramë bateri), vendin e dytë shkolla fillore “Mitrush Kuteli” (14.5 kilogramë bateri) ndërsa vendin e tretë e zuri shkolla fillore “Hasan Prishtina” (11 kilogramë bateri).
Drejtoresha e shkollës fillore fituese “Faik Konica”, Kumrije Sahiti, u shpreh e gëzuar me zënien e vendit të parë, duke shtuar që “projekti është shumë i rëndësishëm për të mbrojtur mjedisin dhe vetëdijësuar fëmijët për rëndësinë e riciklimit”. Përfaqësuesi i Ministrisë së Mjedisit theksoi se “projekti për riciklimin e baterive bënë që Kosova të përmbush standardet për mjedis të Bashkimit Evropian”. Drejtoresha e projektit, Teuta Zymeri, theksoi se “me aktivitetet tona përmes fushatave vetëdijësuese ne po informojmë fëmijët për rreziqet që vijnë nga hedhja e baterive në formë të pakontrolluar dhe të paorganizuar dhe jemi duke ofruar këshilla se si dhe ku mund të hidhen bateritë në mënyrë të sigurt dhe pa e dëmtuar ambientin”.
Në shtetet e Bashkimit Evropian hedhja e baterive me mbeturinat e përgjithshme është e ndaluar me ligj. Niveli i ndotjes nga bateritë e përdorura në Kosovë është i lartë. Fëmijët, personat në moshë dhe gratë shtatzëna janë kategoritë më të kërcënuara nga kjo ndotje, prandaj politikëbërësit kosovarë dhe institucionet përgjegjëse në Kosovë duhet të bëjnë më shumë për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të pastër për të gjithë.
Shpallet fituesi i ndërtimit të autostradës drejt Shkupit
Dje ishte dita e fituesit të tenderit për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, transmeton “KTV”. Lah Nitaj, këshilltar politik i ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka thënë se gjatë ditës është bërë hapja e ofertave financiare për autostradën. Për ndërtimin e saj dy kompani kanë konkurruar për ta fituar tenderin, Bektel Enka, kompani amerikano-turke si dhe CMC Dougsh, kompani italiano-turke. Burime të besueshme i kanë thëne “KTV”-së se Bektel Enka ka dalë me dy oferta, autostrada pa tunel 500 milionë euro, ndërsa me tunel 600 milionë euro. Sipas këtyre burimeve, Bekteli ka bërë ofertë më të lirë 125 deri 225 milionë euro se kompania tjetër.