De Biazi: Adnani, edhe më afër kombëtares

0
226

Jurges Veizaj

Duket se edhe trajneri italian është përqendruar në marrjen e lojtarit. Një talent që, sipas teknikut italian, nuk duhet lënë pas dore, por duhet bërë pjesë e kuqezinjve.

 

Kitchee FC v Manchester United

Çështja “Adnan Janzuaj” akoma është kryefjala e kombëtares sonë. Adnani ka magjepsur të gjithë në Angli dhe në Evropë. Lojtari duket se po kthehet në një sensacion të ri për sa i përket futbollit evropian. Lojtari është nominuar së fundmi edhe për lojtarin më të mirë të ri. Kosovari konsiderohet si një lojtar që mendon tri herë më shpejt se lojtarët e tjerë, duke e kthyer në një lojtar shumë të fortë për të ardhmen. Lojtari kandidon krahas Pogbasë, Iskos dhe Drakslerit. Të konkurrosh me këto talente do të thotë që ke një dhunti shumë të madhe, shumë më të madhe nga shumë lojtarë të tjerë, por lojtari nuk ka si të shpëtojë syrit të shqiptarëve që të gjithë i mbajnë sytë drejt tij. Është e sigurtë që nëse lojtari do të vijë të luajë me shqiponjat do të kthehet në një simbol. Ndoshta lojtari, edhe pse i ri, mund të bëjë historinë për futbollin shqiptar dhe për kombin. Evropiani i 2016-ës nuk është larg dhe lojtari duhet sa më shpejt të ambientohet me skuadrën tonë, nëse dëshiron të jetë pjesë jona. Bexhet Pacolli para dy ditësh i ka dërguar një letër Kryeministrit Edi Rama me disa nga kushtet për të cilat lojtari mund të bëhet pjesë jona, kushte të cilat e afrojnë lojtarin me ne. Fillimisht duhet bindur babai i lojtarit. Kjo, pasi ai është faktori kyç që mund të bëjë mrekullinë. Siç e deklaroi edhe vetë lojtari, çdo zgjedhje tij kalon nga babai i tij. Mirëpo ajo që u pa nga intervista e babait dhe njëkohësisht agjentit të tij ishte një e dhënë shumë pozitive. Kjo, pasi ai kishte shumë pakënaqësi me federatën. Sipas tij, ata nuk janë sjellë si duhet me lojtarin. Çështja, sipas tij, ishte trajtuar në mënyrë të keqe edhe me njerëzit e gabuar. Ai kërkoi që nëse FSHF është e interesuar, duhet të kontaktojë me të me personat e duhur, me njerëzit e duhur. Mirëpo kushtet e Pacollit janë edhe disa nga dëshirat që mund ta bëjnë lojtarin dhe babain të bindet. Propozimi i tij ka këto pika: Federatë mbarëkombëtare futbolli; delegacion mbarëkombëtar te familjarët e Adnanit në Angli për ta bindur; shtetësi shqiptare për të afërmit e Januzajt dhe dhuratë familjes një hapësirë toke në Jug për investim – këto janë pikat kryesore të projektit “Pacolli” për Januzajn. Në veçanti, zoti Pacolli ilustron pikën e fundit të propozimit të tij, i cili ngjan si ofertë materiale, por në fakt është një operacion imazhi për të nxitur turizmin britanik dhe botëror në Shqipëri, në veçanti atë elitar. Ai ka shprehur edhe gatishmërinë e tij dhe të fondacionit që drejton për ta bërë të mundshëm operacionin “Januzaj”.

Ai në fund është shprehur: “Le ta shndërrojmë këtë talent të madh në një ikonë të kombit, që do të shërbente për ringjalljen e tij shpirtërore. Unë kam besim se, nëse i qasemi drejt Adnan Januzajt, ai mund ta luajë këtë rol në mënyrë historike”.

 

Përpjekjet e De Biazit

Por edhe trajneri De Biazi duket se nuk po rri duarkryq. Italiani e ka me shumë pasion punën me kombëtaren tonë. Në kontratën e tij të re, kushti është kualifikimi në Euro 2016, një kualifikim që mund të jetë historik dhe që mund të shënojë një faqe të re në futbollin tonë. Mirëpo për ta arritur këtë i duhen edhe lojtarët e duhur. Adnani është lojtari kyç që mund të bëjë diferencën dhe që mund të na japë kualifikimin. Trajneri duket se ka vendosur edhe vetë që të hidhet në aksion dhe të kërkojë takim me babain e lojtarit për të biseduar për këtë çështje. Italiani ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” mbi hapat e fundit që janë bërë në këtë anë. Tekniku ka shkruar: “E lexova me kënaqësi lajmin se Kryeministri Edi Rama mund t’i dërgojë zëvendëskryeministrit të Kosovës për të zgjidhur çështjen e të marrit Adnan Januzaj për të veshur fanellën kuqezi. Të hënën i kam shkruar drejtpërdrejt babait të lojtarit, për të pasur një takim, një mesazh direkt dërguan në celular, e shkruar në shqip, anglisht dhe frëngjisht. I kam kërkuar nëse është mundësia që të takohem me të për të diskutuar me të së bashku për mundësinë që ka Adnani për të veshur fanellën e vendit të tij të origjinës. Të mërkurën kam provuar të telefonoj, por pa sukses. Sot akoma nuk kam marrë përgjigje për takimin e kërkuar, por shpresoj që së shpejti të takohemi. Akoma më shumë se kurrë, kur është treguar edhe vëmendja nga Kryeministri ynë. Çdo sforcoje e bërë për kauzën e kombëtares sonë do të jetë e mirëpritur nga unë dhe nga të gjithë tifozët që duan një Shqipëri më të fortë”. Tashmë mbetet vetëm që të shohim reagimin nga ana e lojtarit që duket se po mendon këto ditë mjaft mirë vendimin mjaft të rëndësishëm. Duket se të gjithë faktorët janë vënë në lëvizje për t’i mbushur mendjen Adnan Januzajt që, përveçse “djall i kuq” të kthehet edhe në shqiponjë dhe të përfaqësojë vendin prej nga i ka rrënjët.