Një studim i Universitetit të Brown-it tregon se qelizat e rritura nervore në kultura tredimensionale shfrytëzojnë 1766 gjene për dallim nga qelizat që rriten në kultura standarde dydimensionale.
Studimi tregon që këto qeliza të rritura në ambient laboratorik në 3-D u ngjajnë më tepër qelizave themelore të trupit të njeriut dhe sillen ngjashëm me to. Kjo do të thotë, që, metoda e kultivimit është e një rëndësie të veçantë nëse duam të dimë si reagon organizmi ndaj veprimit të barnave të ndryshme dhe kjo më qartë shihet në 3-D.
Për më shumë se 100 vjet shkencëtarët kanë rritur qeliza në enë të rrafshëta. Në këta inkubatorë qelqi 2-D, qelizat ngjiten në fund dhe shpërndahen pasi të shumohen. Por në trup qelizat nuk rriten në atë mënyrë. Ato janë të shpërndara në lëngje dhe xhele dhe rrethohen me qeliza tjera, si dhe nuk janë të ngjitura, por lëvizin. Si rezultat, shkencëtarët supozojnë që kultivimi i qelizave në 3-D mund të mundësojë kuptimin më të drejtë të zhvillimit të proceseve të ndryshme në qeliza. Studiuesit e shkencave mjekësore dhe inxhinieringut nga UB, u munduan të gjenin një mënyrë për riparimin e indit nervor të dëmtuar. Për ta bërë këtë ata morën disa qeliza nervore kanceroze dhe i kultivuan në mjedise të ndryshme. Një grumbull qelizash i vendosën në një pjatë të rrafshët të mbuluar me kolagjen, ndërsa qelizat tjera në xhel kolagjeni në 3-D, madje duke i numëruar qelizat që të kishin përbërje të njëjtë. Pas një dite nxorën ARN-në nga qelizat dhe e çuan për analiza për të përcaktuar dallimet në aktivitetin e gjeneve. Rezultatet: një numër i madh gjenesh (1766) kishin reaguar ndryshe.
Kështu këto eksperimente konfirmuan dallimet në aktivitetin e gjeneve. Me mikroskop ishte vërejtur se qelizat e kultivuara në 3-D rriteshin më shpejtë, kishin një formë të qartë rrethore dhe aksonët e tyre ishin më të gjatë, me një fjalë, u ngjanin qelizave nervore të organizmit. Kjo do të thotë, se kjo metodë e kultivimit mund të krijojë një ind që do të transplantohej në mënyrë të suksesshme.
Qumështi ju mbron nga kanceri i zorrës
Konsumimi i rregullt i qumështit mbron nga rreziku për të zhvilluar kancer të zorrës së trashë. Studiuesit amerikanë kanë analizuar të dhëna të po thuajse 500 mijë personave të mbledhura nga studimet e mëhershme. Rezultatet e analizave kanë treguar se personat të cilët pinë 400 mililitër qumësht çdo ditë kanë 12 për qind rrezik më të zvogëluar për t’u prekur nga ky lloj i kancerit krahasuar me ata që nuk pinë qumësht. Kanceri i zorrës së trashë është lloji i tretë më i shpeshtë i kancerit në botë, ndërsa shkalla e prekjes nga ai dallon në vende të ndryshme, që mund të shpjegohet edhe nga ndryshimi i shprehive në të ushqyer. Ndikimin pozitiv të qumështit shkencëtarët e shpjegojnë me veprimin e kalciumit, i cili më herët ishte dëshmuar se ka efekt mbrojtës. Vlerësohet se konsumimi i kalciumit në sasinë prej 1000 miligramësh në ditë, mund të ulë rastin e prekjes nga kanceri i zorrës së trashë deri në 15 për qind te gratë dhe deri në 10 për qind te meshkujt.
Vjeshtë, kujdes sinozitin, rishfaqet me uljen e temperaturave
Sipas mjekëve, të gjithë ata që shfaqin shenja të rrufës për më shumë se dy javë të drejtohen tek mjeku, pasi duhet menduar për sinozit. “Ndërrimi i klimës ndikon në shfaqjen e rrufës, që njihet si një nga shkaktarët e pezmatimit të mukozës së hundës dhe rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, me pasojë dhe riakutizimin e simptomave të sinozitit”, – pohojnë mjekët otorino-laringologë. Ky, sipas tyre, është edhe sinozoti më i përhapur dhe që haset rëndom tek pacientët e prekur nga kjo sëmundje. Rëndësi të veçantë merr sinoziti i mprehtë i qelbëzuar tek fëmijët e vegjël, madje edhe tek të porsalindurit. Sinozitët krijohen edhe nga sëmundje të ndryshme infektive, si skarlatina, tifo, pneumonia, por edhe nga dhëmballët e sëmura. Sa i përket ekzaminimit, është mjeku ai që vendos diagnozën, duke u bazuar në mënyrën e fillimit të sëmundjes, në shenjat subjektive të të sëmurit. Shenjat janë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga çrregullime të gjendjes së humorit, lodhje dhe paaftësi në punë. Por mund të shfaqen edhe probleme në pamje dhe në nuhatje, thonë mjekët, të cilët pohojnë se ankesa kryesore është dhimbja në ballë, faqe, dhëmbë, etj. Dhimbja e kokës në sinozitet e mprehta është gjithmonë prezent, ndërsa në sinozitet e vjetra mund të mungojë.